top of page

BUJAR QESJA: Zëri i ri i ekonomisë shqiptare dhe krenaria e qytetarisë durrsake

ree

Prof. Asoc. Dr. Ermir Shahini : zëri i ri i ekonomisë shqiptare dhe krenaria e qytetarisë durrsake

...Brenda tre viteve (2022–2025), Prof. Asoc. Dr. Ermir Shahini ka arritur një h-indeks 15, me 322 citime në 19 artikuj të botuar dhe është renditur në 2 përqind më të lartë globalisht nga mbi 20 milion studiues të regjistruar. Këto tregues janë pasqyrë e qartë e karrierës, që po ngrihet me shpejtësi të rrallë...


BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh


Durrësi, qyteti i lashtë mbi dy mijëvjeçar, djepi i një qytetarie që lind talente ka diçka magjike. Në këtë port antik, ku valët përplasen prej mijëra vitesh, ka parë qytetërime të tëra, kulturë e ditur gjithmonë se si të përqafojë botën dhe frymë qytetarie, i jep lindje talenteve.

Ky qytet ka qenë gjithmonë burim i pandalshëm i figurave, që kanë lënë gjurmë në historinë dhe shkencën shqiptare. Durrësi është qytet që gjithmonë ka ditur të mbajë mbi supe peshën e historisë dhe të ardhmes, duke krijuar frymë qytetarie të veçantë: përzierje mes europianizmit, hapjes dhe thjeshtësisë.

Në Durrës nga antikiteti e deri sot, janë formuar figura që kanë ditur ta nderojnë vendin. Një prej tyre, në shekullin XXI, është Prof. Asoc. Dr. Ermir Shahini, emër që shkëlqen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në skenën ndërkombëtare të shkencës ekonomike.

Historia e Shahinit është e veçantë. Është shembulli i gjeneratës së re të studiuesve shqiptarë, të cilët nuk mjaftohen me kufijtë kombëtarë, por synojnë të maten me standardet e botës. Më të rëndësishëm e bën fakti, se e ka arritur këtë pa u shkëputur nga rrënjët e veta. Pedagog i përkushtuar në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, qytetar aktiv dhe figurë publike që e përfaqëson vendin me dinjitet.

Kur dëgjon shifrat e profilit të tij shkencor, ato duken gati të pabesueshme: h-indeksi 15, 322 citime, 19 punime shkencore në vetëm tre vite dhe renditje që e pozicionon në 2% më të lartë të studiuesve të botës. Në oqeanin prej 20 milionë kërkuesish në bazën e të dhënave Scopus, Ermiri ynë është mes 200 mijë më të mirëve. Për një 37-të vjeçar nga Durrësi, kjo është pasaport ndërkombëtare, që e bën krenar jo vetëm qytetin, por edhe Shqipërinë.

Shahini është produkt i një familjeje me trashëgimi qytetare të spikatur në Durrës, ku përkushtimi ndaj dijes dhe respekti për vlerat janë ngulitur si themel. Profili i tij shquhet për ndërthurje harmonike mes thjeshtësisë njerëzore, qytetarisë durrsake dhe profesionalizmit akademik. Nëse e lexojmë si histori suksesi, është dëshmi se shkenca shqiptare mund të ngrihet në nivele ndërkombëtare, kur talenti bashkohet me punën e palodhur dhe me mbështetjen institucionale.


Nga auditorët e UAMD-së në majat e botës akademike


Kush e njeh Ermir Shahinin, e di se nuk është vetëm njeri shifrash. Për më shumë se 13 vite, është pedagog i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), aty ku i ka përkushtuar jetën studentëve dhe kërkimit. Në auditorët e Fakultetit të Biznesit, ligjëron mikroekonomi, makroekonomi, ekonomiksi i sjelljes dhe kurse të avancuara për master mbi ekonominë e çështjeve sociale.

Është i lidhur ngushtë me qytetin. Nuk e shikon veten si “akademik të mbyllur në laborator”, por si qytetar që e ndien detyrimin të japë ndihmesë në komunitet. Studentët e përshkruajnë si pedagog që e bën ekonominë të prekshme, të gjallë, të lidhur me realitetin shqiptar dhe botëror. Ligjëratat e tij nuk janë thjeshtë kapituj në librin e ekonomisë, por dritare drejt botës.

Në vitin 2016, mbrojti me autoritet gradën “Doktor i Shkencave Ekonomike” në UAMD. Rrugëtimi i vështirë, u kurorëzua në vitin 2023 me titullin “Profesor i Asociuar” në Tiranë, njohje e qartë e ndihmesës kërkimore dhe pedagogjike. Në dhjetor 2024, institucionet shqiptare e vlerësuan sërish me dhënien e fondit të ekselencës shkencore. Kështu pozicionohet prej studiuesve më të vlerësuar të brezit të tij.


Elsevier, Scopus dhe rrugëtimi suksesi


Për ta kuptuar plotësisht peshën e arritjeve të Shahinit, duhet sqaruar terreni mbi të cilin ka ecur. Elsevier është shtëpia botuese më e madhe ndërkombëtare e literaturës shkencore, me revista prestigjioze si The Lancet dhe Cell, si dhe platforma të njohura si ScienceDirect dhe Mendeley. Ndërkohë, Scopus është baza e të dhënave bibliografike dhe sistemi i citimeve që menaxhohet nga Elsevier, ku maten publikimet, citimet dhe ndikimi shkencor i çdo studiuesi.

Scopus përfshin mbi 27 mijë revista shkencore, qindra mijëra libra dhe materiale konferencash, duke ofruar panoramë të plotë të dijes së kohës. Tani që po hedhim këto shënime, ka mbi 19 milion profile autorësh dhe mbi 100 milion dokumente shkencore të indeksuara. Brenda kësaj mase gjigante, është e jashtëzakonshme të arrish të bëhesh i dukshëm, aq më tepër i vlerësuar. Pikërisht këtu qëndron edhe madhështia e arritjes së Prof. Shahinit.


Statistikat e profilit të jashtëzakonshëm


Brenda tre viteve (2022–2025), Prof. Asoc. Dr. Ermir Shahini ka arritur një h-indeks 15, me 322 citime në 19 artikuj të botuar dhe është renditur në 2 përqind më të lartë globalisht, nga mbi 20 milion studiues të regjistruar. Këto tregues janë pasqyrë e qartë e karrierës, që po ngrihet me shpejtësi të rrallë.

-h-indeksi 15, do të thotë se të paktën 15 punime të tij, janë cituar nga studiues të tjerë më shumë se 15 herë secila. Për periudhë kaq të shkurtër, ky është tregues i jashtëzakonshëm.

-322 citime gjithsej: me mesatare prej 17 citimesh për çdo publikim. Kjo e vendos Shahinin mbi mesataren ndërkombëtare, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe shkencave shoqërore ku citimet rriten më ngadalë.

-19 publikime në tre vite: ritëm i lartë botimi, rreth 6-7 artikuj në vit, e cila dëshmon për produktivitet shkencor të qëndrueshëm.

-Top 2 përqind globalisht kuptohet të jesh në mesin e 200 mijë studiuesve më të mirë nga 20 milion në botë. Ky është privilegj, që e vendos Shahinin në elitën ndërkombëtare.

Nëse krahasohet me mesataren e studiuesve shqiptarë në Scopus, diferenca është e dukshme. Shumica kanë mesatarisht 5-10 publikime në një karrierë prej 10-15 vitesh, 30-100 citime dhe një h-indeks 2-6. Shahini i tejkalon këto shifra disa herë brenda një periudhe të shkurtër. Ky krahasim e shndërron atë, prej figurave më premtuese të kërkimit shkencor shqiptar.


Tematika kërkimore sfidojnë botën akademike


Shahini nuk merret me ekonomi të thata, të shkëputura nga realiteti. Zgjedh tema që lidhen me jetën tonë të përditshme, me zhvillimet globale dhe me pyetjet e mëdha të kohës:

Politikat ekonomike të Donald Trump dhe ndikimi i tyre në ekonominë botërore.

Efektet ekonomike dhe mjedisore të luftës Rusi–Ukrainë, në bashkëpunim me studiues ukrainas.

Ekonomia e pensioneve, një temë jetike për një shoqëri që plaket me shpejtësi.

Ekonomia e mjedisit dhe urbanizimi, që lidhet me cilësinë e jetës në qytetet shqiptare.

Ekonomiksi i sjelljes, një qasje moderne që ndihmon të kuptojmë pse individët marrin vendime shpesh jo të parashikueshme.

Në to gërshetohet vizioni teorik me ndjeshmërinë qytetare. Janë studime që tregojnë se Shahini është jo vetëm studiues, por edhe sfidant i realitetit, mendimtar që sheh më tej se kaq.

Këto studime tregojnë jo vetëm aftësinë për të analizuar, por edhe për të parashikuar zhvillimet. Ato janë prova se Prof. Shahini është hulumtues i palodhur, i cili e sheh ekonominë jo si sistem të mbyllur teorik, por si shkencë që ndikon drejtpërdrejt jetën e njerëzve.


Dimensioni filozofik dhe thjeshtësia i intelektualit durrsak


Ermir Shahini mbart në vete, përmasën filozofike të intelektualit të angazhuar. Beson se ekonomia nuk është thjesht lojë numrash, por shkencë që flet për njeriun dhe nevojat e tij. Kjo qasje e bën të ndryshëm nga studiuesit, që kufizohen vetëm në botimin e artikujve.

Në auditorët e UAMD-së, njihet për ligjërata që nuk mbeten në terrenin abstrakt, por lidhen me realitetin shqiptar dhe global. Kështu, ushqen brezin e ri me vizion kritik dhe e bën ekonominë shkencë të gjallë, të prekshme dhe të dobishme.

Përtej shifrave dhe botimeve, Shahini mbetet kokulur dhe i përkushtuar, qytetar i Durrësit, i afërt me studentët dhe kolegët, gjithmonë i gatshëm të ndajë dije e të ndihmojë. Thjeshtësia është ndoshta forca më e madhe e tij. E sheh veten si pjesë të komunitetit që e ka formuar.

Filozofia e tij është: ekonomia nuk është vetëm numra, por mbi të gjitha është njeriu. Ekonomi që nuk reflekton mbi njeriun, nuk është shkencë, është vetëm teknikë. Pikërisht kjo e bën të veçantë mes studiuesve, aftësia për të parë tek ekonomia historinë, shoqërinë dhe të ardhmen.


Përtej kufijve shqiptarë


Arritjet e tij tashmë janë të dokumentuara dhe të matshme. Por më e rëndësishmja është ajo që parashikohet për të ardhmen. Nëse ky ritëm vazhdon, h-indeksi i tij mund të arrijë 25–30 brenda pesë viteve. Kjo do ta vendoste edhe më lart në renditjet globale dhe do ta bënte figurë të fuqishme në rajonin e Ballkanit.

Në një vend të vogël si Shqipëria, ku kërkimi shkencor shpesh nuk gjen mbështetje, suksese të tilla janë thirrje për të besuar te talenti dhe për ta përkrahur atë. Ermir Shahini është provë se Shqipëria nuk mungon në hartën e shkencës, thjesht duhet të dijë të nderojë dhe të mbështesë ata që e bëjnë të dukshme.


Model i kohës


Me ritmin e tanishëm, është e pritshme që brenda pesë viteve të ardhshme h-indeksi i tij të arrijë 25–30, duke e pozicionuar edhe më lart në arenën ndërkombëtare. Kjo do ta kthejë nga emrat me peshë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit dhe më tej.

Prof. Asoc. Dr. Ermir Shahini, nuk është vetëm studiues i shifrave dhe i artikujve shkencorë. Është intelektuali, qytetari, pedagogu, sfiduesi dhe vizionari. Djalë i thjeshtë i Durrësit që ka arritur të hyjë në elitën botërore të kërkuesve shkencorë.

Prof. Asoc. Dr. Ermir Shahini është shembulli i studiuesit të përmasave moderne. Nuk ndalet para sfidave dhe ndërton me durim profil ndërkombëtar të respektuar. Mbetet pasuri kombëtare dhe krenari e Durrësit, qytetit që e ka rritur dhe e nderon me dinjitet në çdo arritje të tij.

Me përkushtim, dije dhe modesti, vesh kostumin e shkencëtarit, studiuesit, hulumtuesit dhe qytetarit të modelit. Shqipëria ka nevojë për profile të tilla. Durrësi është i privilegjuar që ka në gjirin e tij një personalitet që e nderon jo vetëm qytetin, por edhe kombin mbarë.

Prof. Asoc. Dr. Ermir Shahini, është më shumë se emër në listat e Scopus-it. Është pasuri kombëtare, krenari e qytetit të Durrësit dhe simbol i brezit të ri të studiuesve shqiptarë, që guxojnë të ëndërrojnë dhe të arrijnë.

Shqipërisë i duhen më shumë figura të tilla. Ndërsa Durrësi, si gjithmonë, mbetet i privilegjuar që në gjirin e vet ka një intelektual që e nderon dhe e bën pjesë të hartës globale të dijes.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page