top of page

BUJAR QESJA: Pamje që nuk plaket

  • 3 hours ago
  • 11 min read

Në "Blu Moon" aty ku u ul historia e “Teutës” e vitit 2000

-Burrat e Teutës në një fotografi të rrallë

Nga BUJAR QESJA

Pamje që nuk plaket

Ka fotografi, që sapo shkrep aparati, fillojnë të plaken. Vitet u zbehin ngjyrat, u rrudhin cepat, u venitin shkëlqimin. Mbeten kujtime familjare, të bukura për ata që janë brenda tyre, por të heshtura për të tjerët. Por ka edhe fotografi, që ndjekin një rrugë krejt tjetër. Sa më shumë kalon koha, aq më tepër fitojnë vlerë. Nuk plaken. Përkundrazi, rinohen në kujtesë. Çdo vit që kalon u shton peshë, u shton domethënie dhe i shndërron në dokumente të historisë.

E tillë është edhe kjo fotografi që publikohet për herë të parë. Kur ma solli mjeshtri i fotografisë Luan Jaupi, e mora në dorë siç merret një relike e çmuar. Nuk pashë vetëm nëntë burra. Pashë nëntë rrugë jete, që u kryqëzuan në një pikë të vetme, dashurinë për “Teutën” dhe për futbollin e Durrësit.

Në atë çast, mendja më iku një çerek shekulli pas. M'u kujtua Durrësi i vitit 2000. Një qytet, që po ndryshonte me ritme të shpejta. Një qytet, që po hapte dyert drejt një shekulli të ri. Një qytet, ku sporti mbetet krenaria e përditshme e njerëzve. Në atë kohë, futbolli nuk ishte thjeshtë ndeshje e së dielës. Ishte temë bisede në lokale. Ishte argument në familje. Ishte gëzim dhe mërzitje kolektive.

Teuta nuk është vetëm një klub. Është identiteti sportiv i qytetit. Kur shikoj këtë fotografi të bërë në vilën "Blu Moon", në sektorin Iliria të Plazhit, nuk shoh vetëm takim miqsh, por edhe një copëz historie. Në atë tavolinë, janë mbledhur presidenti i klubit, trajneri, sekretari, futbollistë të brezave të ndryshëm, mjeku, gazetari, kompozitori dhe njerëz, që punuan në prapaskenë për ta bërë “Teutën” më të fortë.

Asnjëri nuk mendonte, se një ditë kjo fotografi do të merrte vlerën e një dokumenti. Por ja, që koha vendos ndryshe nga njerëzit.

Kur “Teuta” po hynte në një kapitull të ri

Viti 2000, mbetet moment i rëndësishëm për futbollin durrsak. Shqipëria po përpiqej të ndërtonte një futboll më modern. Klubet kërkonin forma të reja organizimi. Futbolli kishte hyrë në ekonominë e tregut, ku pasioni nuk mjaftonte më. Duhej edhe vizion, financa dhe menaxhim. Edhe “Teuta” përballë kësaj sfide.

Pak kohë më parë, presidencën e klubit e kishte marrë Edmond Hasanbelli. Vinte me energji të reja dhe me dëshirën, për t'i dhënë klubit drejtim më të organizuar. Nuk ishte e lehtë. “Teuta” mbante mbi supe histori të madhe. Çdo president që merrte drejtimin, trashëgonte edhe përgjegjësinë për të mos e ulur emrin e klubit. Hasanbelli e kuptonte mirë këtë barrë. Për këtë shkak, ofroi pranë vetes njerëz që futbollin nuk e njihnin nga librat, por nga jeta.

Në atë fotografi, shikohen pikërisht këta njerëz. Nuk janë zgjedhur rastësisht. Secili prej tyre, përfaqësonte një hallkë të rëndësishme të “Teutës”. Njëri administronte. Njëri stërviste. Njëri shëronte futbollistët. Njëri promovonte ekipin në shtyp. Njëri sillte përvojën e fushës. Njëri mendonte për të ardhmen. Në tërësi, formonin skuadër tjetër, atë që nuk dilte në fushë me fanellë, por që punonte çdo ditë të kishte sukses.

"Blu Moon" adresë ku lindnin idetë

Nuk është rastësi, që fotografia është bërë në vilën "Blu Moon". Në ato vite, lokalet buzë detit nuk ishin vetëm vende pushimi. Ishin edhe zyra informale të sportit. Aty lindnin debatet. Aty diskutoheshin transferimet. Aty analizohej ndeshja e fundit. Aty bëheshin planet për të ardhmen. Në tavolina të tilla, nuk mungonte as humori, as debatet, as ëndrrat.

Shpeshherë një ide e hedhur mes një filxhani kafeje dhe një gote uji, bëhej më pas vendim i rëndësishëm për klubin. Në këtë kuptim, "Blu Moon" nuk ishte vetëm vilë në bregdet. Për “Teutën” e atyre viteve, ishte edhe një pikë takimi, ku njerëzit e futbollit ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Prandaj kjo fotografi, ka atmosferë të veçantë. Nuk ka poza ceremoniale. Nuk ka protokoll. Ka natyrshmëri. Ka buzëqeshje. Ka miqësi. Dhe mbi të gjitha ka besim.

Besimin se “Teuta”, do të vazhdonte të ishte flamuri sportiv i Durrësit. Ky është ndoshta mesazhi më i bukur, që sjell kjo fotografi.

Katër burrat e rreshtit të parë, katër shtylla të “Teutës”

Në çdo fotografi ka një plan të parë. Edhe në këtë fotografi tek "Blu Moon", nuk është rastësi, që në rreshtin e ulur janë vendosur katër njerëz, në atë kohë përfaqësonin katër hallkat më të rëndësishme të klubit. Njëri ishte presidenti. Njëri trajneri. Njëri sekretari. Njëri ishfutbollisti dhe drejtuesi i sportit. Katër role të ndryshme. Një mision i vetëm – “Teuta”.

Ata nuk kishin nevojë për fjalë të mëdha. Mjaftonte t'i shihje në sy për të kuptuar se biseda e tyre kishte vetëm një bosht: si të ecte përpara skuadra e qytetit.

Tut Leshteni eleganca e sulmuesit

Në skajin e majtë është Maksut Leshteni. Por për durrsakët, ka qenë dhe mbetet përgjithmonë Tuti. Ka emra, që nuk kanë nevojë për mbiemër. Mjafton emri dhe çdo sportdashës e di për kë bëhet fjalë. I tillë është edhe Tuti.

Në vitet kur luante futboll, ishte ndër sulmuesit më elegantë që ka pasur “Teuta”. Nuk ishte futbollist, që mbështetej vetëm tek forca fizike. Luante me mendje, me intuitë dhe me teknikë, që e bënte të veçantë. Në tribunat e stadiumit "Niko Dovana", emri i tij thërritej me respekt.

Por ajo që e bën edhe më të çmuar figurën e Tut Leshtenit, është se ai nuk u largua nga “Teuta”, kur mbaroi karrierën sportive. Shumë futbollistë, largohen sapo heqin fanellën. Ai bëri të kundërtën. Vazhdoi të punonte për klubin. Në kohën kur është bërë kjo fotografi, mbante detyrën e sekretarit të KF “Teuta”.

I qetë. I matur. I përpiktë. Njeri që i shmangej protagonizmit, por jo përgjegjësisë. Puna e sekretarit nuk dukej në tribunë. Nuk përmendej në kronikat sportive. Por pa të, shumë gjëra nuk do të ecnin. Në këtë fotografi, Tuti duket i qeshur. Një buzëqeshje, që flet për njeriun i cili  kishte gjetur lumturinë, duke i shërbyer klubit të jetës.

Edmond Hasanbelli  presidenti që mori timonin në kohë ndryshimesh

Në qendër të fotografisë qëndron Edmond Hasanbelli. Në vitin 2000, sapo kishte marrë presidencën e klubit. Ishte periudhë e vështirë. Futbolli shqiptar, po përpiqej të përshtatej me realitetin e ri ekonomik. Klubet kishin nevojë për financa, organizim dhe vizion. Presidenti nuk ishte vetëm përfaqësuesi formal i klubit. Duhej të ishte menaxher, negociator, organizator dhe njeriu, që mbante gjallë ëndrrën e tifozëve.

Hasanbelli e mori këtë barrë me seriozitet. Pranë vetes afroi njerëz, që e njihnin futbollin në rrënjë. Nuk ishte njeri i zhurmës. Ishte njeri i punës. Në fytyrën e tij në këtë fotografi, lexohet qetësia e njeriut që ka marrë një përgjegjësi të madhe, por edhe besimi, se me bashkëpunëtorët e duhur, mund të ndërtohej një “Teutë” më e fortë.

Kristaq Goda fisnikëria që nuk kërkoi duartrokitje

Pranë presidentit është Kristaq Goda. Për miqtë dhe sportdashësit, Toto. Një emër i dashur. Një njeri i urtë. Një futbollist, që i përket brezit të futbollistëve të viteve '60-të. Më vonë, u bë pjesë e Bashkisë së Durrësit si inspektor i sporteve. E kreu këtë detyrë, me përkushtim dhe ndershmëri.

Në një kohë kur shumë njerëz e kërkonin vëmendjen, Toto punonte në heshtje. Besonte se sporti nuk ndërtohej me fjalë. Ndërtohej me punë. Sa herë që “Teuta” kishte nevojë për mbështetje institucionale, ai ishte aty.

I gatshëm. Korrekt. I respektuar nga të gjithë. Në këtë fotografi duket i qetë. Ashtu siç ishte edhe natyra e tij. Njeri që nuk ngrinte zërin, por fitonte respekt vetëm me sjellje dhe ndershmërinë.

Hasan Lika trajneri që solli kulturën e futbollit

Në krah të Kristaq Godës, është Hasan Lika. Nga trajnerët më të kulturuar të futbollit tonë. E nisi si futbollist i “Partizanit”, por emrin e madh e krijoi edhe si trajner. “Teuta” është nga skuadrat që drejtoi me përkushtim. Po kështu edhe “Lushnja”, “Vllaznia”, “Luftëtari” e klube të tjera. Hasan Lika nuk ishte trajner që fitonte me zhurmë, por me dije. Me organizim. Me disiplinë.

Mbetet nga ata trajnerë, që para se të fliste për taktikën kërkonte shpirtin e garës.. Fliste për edukimin. Për respektin ndaj fanellës. Për respektin ndaj kundërshtarit. Vjen nga një familje, që ka nxjerrë emra të njohur për arbitrimin shqiptar. Babai i tij, Petrit Lika, ishte arbitër futbolli. Xhaxhai Agim Lika, mbetet nga arbitrat më të njohur shqiptarë, me stemën e FIFA-s në gjoks.

Edhe pse zgjodhi rrugën e trajningut dhe jo të arbitrimit, Hasan Lika trashëgoi nga familja kulturën sportive, korrektësinë dhe ndjenjën e drejtësisë. Jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por emri i tij, vazhdon të përmendet me respekt në çdo bisedë për trajnerët, që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar.

Pesë burrat në këmbë, pesë histori që i dhanë zë dhe frymë “Teutës”

Në çdo fotografi, ka njerëz që duken në plan të dytë. Por shpesh janë pikërisht ata, që plotësojnë tablonë. Në këtë fotografi, rreshti i dytë nuk është më pak i rëndësishëm se i pari. Në këmbë qëndrojnë, pesë personalitete krejt të ndryshëm nga njëri tjetri, por të bashkuar nga një emër i vetëm, “Teuta”.

Njëri i përket muzikës. Njëri nga lidhjet me futbollin ndërkombëtar. Njëri nga mjekësia. Njëri nga fusha e lojës. Dhe tjetri nga gazetaria. Pesë rrugë të ndryshme. Një pasion i përbashkët.

Agron Xhunga, kur muzika dhe futbolli flasin të njëjtën gjuhë

I pari, në të majtë, është kompozitori i njohur durrsak Agron Xhunga. Shumica e shqiptarëve e njohin për krijimtarinë muzikore. Durrsakët e njohin edhe për një dashuri tjetër. Dashurinë e pakushtëzuar për “Teutën”. Agroni nuk ishte tifoz i rastit. Jetonte me ritmin e skuadrës.

Nëse “Teuta” fitonte, buzëqeshja e tij dukej që larg. Nëse humbiste, e ndjente sikur kishte humbur vetë. Ishte nga ata njerëz, që besonin se sporti dhe arti nuk janë dy botë të ndara. Përkundrazi. Të dy lindin nga i njëjti burim, pasioni. Shpesh, në bisedat tona, kalonte nga muzika tek futbolli pa e kuptuar.

Fliste për një simfoni, me të njëjtin emocion si për një gol të bukur. Për të, një aksion i ndërtuar me elegancë, kishte ritmin e një kompozimi muzikor. Nuk është rastësi, që në këtë fotografi ndodhet mes njerëzve të futbollit. Ndihet njëri prej tyre. Agroni ka kompozuar për sportin dhe emri i tij shoqëron historinë e “Lokomotivës” së djeshme dhe “Teutës” së sotme.

Ndarja nga jeta, në prill të vitit 2015, la boshllëk të madh në kulturën durrsake. Agron Xhunga vazhdon të jetojë, sa herë përmendet arti dhe “Teuta”.

Njeriu që hapi dritaren drejt Brazilit

Pranë Agron Xhungës, qëndron menaxheri sportiv që jetonte në Brazil. Emri i tij mund të mos jetë shumë i njohur për publikun. Por ajo që bëri për “Teutën”, mbetet fakt historik. Nëpërmjet ndërmjetësimit të tij, mbërriti në Durrës futbollisti i parë brazilian që veshi fanellën e Teutës. I riu Xhovani Da Silva, vetëm 20 vjeç.

Në ditët e sotme, afrimi i futbollistëve nga Amerika e Jugut është diçka e zakonshme. Por në vitin 2000 ishte një lajm. Ishte një risi. Ishte një sinjal, se edhe “Teuta” po kërkonte të dilte përtej kufijve tradicionalë të merkatos shqiptare.

Hap i vogël në dukje, por me domethënie Tregonte se klubi, kishte filluar të mendonte më gjerë. Më larg. Me mendistë e kohës.

Dr. Lluka Heqimi, mjeku që shëroi trupin dhe ushqeu mendjen

Në mes të fotografisë është Dr. Lluka Heqimi. Një emër që gëzon respekt në sportin shqiptar. Për vite me radhë, ka qenë mjek i ekipit kombëtar të futbollit. Po kështu, edhe mjek i KF “Teuta”. Në futboll, mjeku rrallëherë del në faqet e para të gazetave. Por çdo trajner, e di se sa vendimtar është ai.

Një diagnozë e saktë. Një ndërhyrje në kohën e duhur. Një këshillë profesionale. Shpesh kanë vlejtur sa një gol. Por Lluka Heqimi, nuk u kufizua vetëm në profesionin e mjekut. Iu përkushtua edhe botimeve. Ka shkruar libra, studime dhe kujtime, duke dëshmuar se dija nuk njeh kufij.

Te ai bashkëjetojnë mjeku, studiuesi dhe shkrimtari. Figurë e rrallë, që e ka nderuar Durrësin dhe sportin shqiptar.

Niko Jani "Kabrini shqiptar"

Në të djathtë të doktorit qëndron Niko Jani. Mjafton të përmendet emri i tij dhe sportdashësit e viteve '80-të buzëqeshin menjëherë. "Kabrini shqiptar." Ky është epiteti që tifozët i dhanë. Dhe nuk ishte aspak i rastësishëm.

Ashtu si Antonio Cabrini i Italisë edhe Niko Jani, ishte mbrojtës i majtë me shpirt sulmues. Elegant. Teknik. I shpejtë. I guximshëm. Nuk ishte futbollist që kënaqej, vetëm duke prishur lojën e kundërshtarit. Krijonte. Ndihmonte sulmin. I jepte ritëm skuadrës.

Tani jeton në Itali. Por sa herë flitet për mbrojtësit e mëdhenj të “Teutës”, emri i tij renditet ndër të parët. Sepse disa futbollistë, nuk maten vetëm me numrin e ndeshjeve. Maten edhe me kujtesën që lënë tek tifozët.

Gazetari që nuk e pa sportin si statistikë

Në fund të rreshtit qëndron Bujar Qesja. Ndoshta si gazetar. Por mbi të gjitha si dëshmitar i kohës. Kur nisi të shkruajë për sportin, në fillim të viteve shtatëdhjetë, nuk e mendonte se një ditë, do të bëhej pjesë e historisë që po dokumentonte.

Ka ndjekur “Teutën” në stadiume të mbushura plot. Ka udhëtuar me ekipin jashtë dhe brenda Atdheut. Ka ndarë gëzimet e fitoreve. Ka përjetuar trishtimin e humbjeve. Ka intervistuar qindra sportistë. Ka shkruar mijëra kronika. Ka transmetuar në radio dhe televizion. Por mbi të gjitha, ka patur fatin të njoh njerëzit. Ata që publiku, i shikonte vetëm për nëntëdhjetë minuta në fushë.

Ndërsa Qesja,  pati privilegjin t'i njihte në jetën e tyre të përditshme. Kjo fotografi, na prek pikërisht për këtë arsye. Sepse aty nuk shikojmë personazhe. Shikojmë miq. Shikojmë bashkëudhëtarë. Shikojmë pjesë të jetës.

Mbase pa e kuptuar edhe Bujar Qesja, është bërë një gur i vogël, në ndërtesën e kujtesës së sportit durrsak. Nëse shkrimet e tij, do t'u shërbejnë brezave që vijnë për të njohur më mirë historinë e “Teutës”, atëherë do ta quajmë të shpërblyer, gjithë mundin e këtyre më shumë se pesëdhjetë viteve gazetari sportive.

Faleminderit, Luan Jaupi!

Po të mos ishte për syrin dhe kujdesin e fotografit Luan Jaupi, ndoshta kjo fotografi do të kishte mbetur e harruar në ndonjë sirtar. Arkivat personale, kanë shpëtuar shumë faqe të historisë së Durrësit. Janë kujtesa që nuk ruhen në muze. Ruhen në zemrën e njerëzve. Prandaj kjo fotografi, nuk është vetëm një kujtim.

Është një dëshmi. Është një burim. Është një pasaportë e një kohe, që nuk duhet të humbasë. Çdo fotografi e tillë është një faqe libri. Dhe çdo faqe libri, është një amanet për brezat që do të vijnë.

Një fotografi... një qytet i tërë

Sa më gjatë e sodit këtë fotografi, aq më shumë kupton se ajo nuk flet vetëm për nëntë burra. Ajo flet për Durrësin. Për një qytet, që gjithmonë ka ditur të nxjerrë njerëz me vlera. Për një klub, që ka mbijetuar falë përkushtimit të shumë brezave. Për miqësi që nuk i prishi koha.

Dhe për një të vërtetë të madhe. Historia e “Teutës” nuk është shkruar vetëm në fushën e blertë. Ajo është shkruar edhe në tavolina si kjo e "Blu Moon-it", ku njerëzit bashkonin mendimet, projektet dhe zemrën për fanelën e kaltër.

Koha e kthen një fotografi në dokument historie Ekziston një shprehje që thotë se: “Koha është gjykatësi më i drejtë”. Ajo nuk nxiton të japë vendime. Pret. Vëzhgon. Dhe vetëm pas shumë vitesh vendos, se çfarë duhet të mbetet në kujtesën e njerëzve. Edhe kjo fotografi ka kaluar në gjykatën e kohës.

Në ditën kur u shkrep, ishte fotografi e zakonshme. Një grup miqsh. Një tavolinë. Një mbrëmje buzë detit. Ndoshta askush nuk e mendoi, se pas një çerek shekulli kjo pamje, do të fitonte peshën e një dokumenti historik. Tani nuk shohim më vetëm fytyrat. Shohim jetët që kanë bërë. Shohim ndihmesën që secili ka dhënë. Shohim vitet që kanë kaluar mbi to.

Një qytet që ruan kujtesën e sportit të tij, ruan një pjesë të shpirtit të vet. Dhe kjo fotografi, është pikërisht një copëz e atij shpirti. Nuk është vetëm një pamje. Është dëshmi e njerëzve, që e deshën Teutën pa kushte. Është një faqe e historisë së Durrësit. Është një trashëgimi që duhet ruajtur.

Dhe, mbi të gjitha, është kujtesë se lavdia e një klubi, nuk ndërtohet vetëm nga trofetë që ngrihen lart, por nga njerëzit, që me përkushtim, ndershmëri dhe dashuri, ia kushtojnë jetën fanelës së tij.

Bujar Qesja

Durrës: 26 korrik 2026

 

Një pamje e rrallë dhe me vlera historike.

Ulur nga e majta: Maksut (Tut) Leshteni (Sekretar i Klubit të Futbollit “Teuta”) Edmond Hasanbelli (President i KF Teuta), Kristaq (Toto) Goda (inspektor i sporteve në Bashkinë Durrës, nuk jeton), Hasan Lika (trajner i ekipit “Teuta”).

Në këmbë nga e majta: Agron Xhunga (kompozitor, nuk jeton), manaxheri që solli në Durrës brazilianin e parë të ekipit Xhovanai Da Silva, nuk jeton, Lluka Heqimi (doktori i ekipit, shkrimtar), Niko Jani (mbrojtësi i majtë i të gjitha kohërave i futbollit durrsak), Bujar Qesja (gazetari dhe historian i sporteve).

Viti 2000, Vila “Blu Moon”, plazhi i Durrësit.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page