top of page

BUJAR QESJA: Nëntë burra, nëntë histori, nëntë fate, që u takuan në një çast të vetëm

  • 4 hours ago
  • 5 min read

Kur fotografia bëhet kujtesë

-Ata që zbukuruan kohën e tyre

-Nëntë burra, nëntë histori, nëntë fate, që u takuan në një çast të vetëm

Nga BUJAR QESJA

Ka fotografi që i hedh në album dhe i harron. Ka të tjera që mbeten nëpër sirtarë, të zverdhura nga vitet dhe të vizituara rrallë nga kujtesa. Por ka edhe fotografi, që zgjedhin vetë vendin e tyre. Nuk pranojnë të fshihen. Qëndrojnë mbi tavolinën e punës, përballë syve, si për të të kujtuar çdo ditë se jeta nuk matet me vitet që ikin, por me njerëzit që ke pasur fatin të njohësh.

Kështu edhe fotografia e 2 shtatorit 2007.

Nëntë burra. Nëntë emra të njohur. Nëntë fate të ndryshme. Të ardhur nga sporti, letërsia, gazetaria, muzika, shkenca dhe piktura. Nuk i bashkonte profesioni. Nuk i bashkonte një detyrë shtetërore, apo një interes i çastit. I bashkonte diçka shumë më e rrallë, respekti për njëri tjetrin, kultura e komunikimit dhe ajo qytetari e hijshme, që duket se po bëhet gjithnjë e më e rrallë.

Nëntë burra janë rreshtuar aty. Të qeshur, të qetë, me atë fisnikërinë e njerëzve, që nuk kishin nevojë të bërtisnin për t'u dëgjuar. Secili fitoi respektin me punë, talent dhe qytetari. Secili mban mbi supe histori, që meriton të rrëfehet.

Kur e shoh këtë fotografi, nuk numëroj fytyrat. Numëroj kohën. Kujtoj një brez njerëzish, që dinin të ishin të suksesshëm pa qenë kundërshtues, të njohur pa qenë të zhurmshëm dhe të respektuar, pa e kërkuar me ngulm duartrokitjen.

Në krye të kujtesës më vjen Kreshnik Tartari, "Nderi i Kombit". Sportisti elegant, trajneri vizionar dhe drejtuesi i përkushtuar. Me “Dinamon” shkroi histori si volejbollist, por lavdinë më të madhe e ngriti si ndërtues i ekipit legjendar të femrave, që arriti deri në katërshen më të mirë të Europës. Drejtoi edhe përfaqësuesen e San Marinos, shërbeu si zëvendësministër i sporteve dhe mbeti deri në fund, figurë e respektuar e edukimit fizik shqiptar. Lindi më 21 korrik 1943 dhe mbylli sytë larg atdheut, në Rimini të Italisë, më 30 maj 2026. Një largim që i shtoi dhimbjen mallit të miqve dhe kolegëve.

Në pamje, ulur nga e djathta: Kreshnik Tartari, Nasi, Lera, Limoz Dizdari, Kiço Blushi. Në këmbë, nga e majta: Agron Çobani, Artur Zonja, Albert Shala, Zamir Mati dhe Betim Muço. Tiranë, 2 shtator 2007
Në pamje, ulur nga e djathta: Kreshnik Tartari, Nasi, Lera, Limoz Dizdari, Kiço Blushi. Në këmbë, nga e majta: Agron Çobani, Artur Zonja, Albert Shala, Zamir Mati dhe Betim Muço. Tiranë, 2 shtator 2007

Pranë tij, Kristaq Blushi, që të gjithë e thërrisnin me dashuri Kiço. Njeri i letrave dhe i politikës. Skenarist i katërmbëdhjetë filmave shqiptarë, autor veprash letrare dhe deputet për tre legjislatura. Në fjalën e tij, kishte urtësi dhe në mendim guxim. La pas jo vetëm veprën e vet, por edhe trashëgiminë familjare të dashurisë për fjalën e shkruar, që e vijon i biri, Ben Blushi. Lindi më 23 gusht 1943 dhe u nda nga jeta në vitin 2019.

Agron Çobani, mbetet nga zërat më të bukur që ka njohur Radio Tirana. Zëri i tij nuk lexohej, por përjetohej. Gazetarët e rinj, e dëgjonin si leksion të gjallë profesionalizmi. Drejtoi RTSH-në dhe mbeti shembull elegance në komunikim. U largua nga kjo botë më 29 shtator 2012, në moshën 70-të vjeçare.

Betim Muço mbeti ndër ata njerëz, që bashkonin shkencën me letërsinë. Sizmolog i përmasave ndërkombëtare, profesor dhe shkrimtar, punoi për dekada në studimet sizmologjike shqiptare. Nga viti 1997 jetoi në Uashington, ku fitoi emër si studiues. Largimi nga jeta  më 15 janar 2015, pak ditë para se të mbushte 68 vjeç, la pas ndjesinë e një ikjeje të parakohshme.

Albert Shala, gazetari i palodhur, i përket brezit që gazetarinë e kishte mision. Me shkrimin dhe vëzhgimin e tij shoqëroi zhvillimet e kohës, duke ruajtur integritetin profesional. Jeton në Amerikë, duke mbetur po ai njeri i qetë dhe fisnik që njohën miqtë.

Figurë krejt e veçantë është Zamir Mati. Djali i kundëradmiralit të flotës detare shqiptare Abdi Mati, që ndoqi fillimisht rrugën ushtarake duke përfunduar Shkollën e Lartë të Oficerëve në Itali. Piktor i njohur dhe pionier i balonave, e ngjyrosi jetën me fantazi dhe pasion. Prej vitesh është vendosur në Francë.

Nasi Lera, është ndër prozatorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Përkthyes i vyer dhe shkrimtar me finesë të rrallë. U lind më 20 shtator 1944 dhe vijon të mbetet emër i respektuar i letërsisë shqipe.

Artur Zonja e ka jetuar gazetarinë në terren, në studio televizive, pranë ngjarjeve dhe pranë njerëzve. Emigroi në Amerikë, por nuk u shkëput nga kujtimet dhe miqësitë shqiptare. Është gjithashtu, bashkëshorti i këngëtares së njohur Afërdita Zonja, duke krijuar një familje, ku arti dhe komunikimi ecin krah për krah.

Në fund, por jo nga rëndësia, qëndron Limoz Dizdari. Kompozitori që i dha muzikës shqiptare këngë të pavdekshme. "Këputa një gjethe dafine" dhe "Udhët e Atdheut më thërrasin", janë vetëm dy prej margaritarëve të krijimtarisë së tij. “Artist i Merituar”, ish-deputet dhe kryetar për dy mandate i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbetet një nga figurat më të ndritura të kulturës sonë kombëtare.

Kur e vështroj këtë fotografi, më duket sikur dëgjoj përsëri zërat e tyre. Dikush hedh një batutë, dikush kujton një ngjarje, një tjetër kundërshton me elegancë, ndërsa të gjithë qeshin me atë çiltërsi, që lind vetëm mes njerëzve që e kanë fituar të drejtën për të qenë të krenarë.

Koha ka bërë të vetën. Ka thinjur flokët, ka larguar disa prej tyre përgjithmonë dhe ka shpërndarë të tjerët nëpër vende të ndryshme të botës. Por nuk ka mundur të marrë atë, që ka më shumë vlerë, gjurmën njerëzore që lanë pas.

Kjo fotografi, nuk është dëshmi e një takimi të rastësishëm. Është portreti i brezit që i dha Shqipërisë dinjitet, kulturë dhe qytetari. Një brez që dinte të krijonte, të debatonte, të respektonte dhe të ishte paqësor.

Ka njerëz, që edhe pasi ikin, vazhdojnë të të bëjnë shoqëri. Dhe ndoshta ky është përkufizimi më i bukur i gjithkohësisë, të mbetesh i pranishëm në kujtesën e miqve, si fotografi që koha nuk arrin ta zbehë.

Kur e shoh këtë fotografi, kuptoj se ajo nuk është vetëm një kujtim. Është edhe testament miqësie. Disa prej këtyre burrave, kanë ikur përgjithmonë. Të tjerë jetojnë larg Shqipërisë. Disa vazhdojnë të shkruajnë, të pikturojnë, të kujtojnë. Por asnjëri nuk është larguar nga memoria jonë.

Ata i përkasin  një brezi, që dinte të debatonte pa u armiqësuar, të kishte bindje pa humbur respektin, të fitonte famë pa humbur thjeshtësinë. Ishin dhe janë njerëz që e nderonin dhe e nderojnë tavolinën, ku uleshin dhe miqësinë që ndanin.

Fotografia e 2 shtatorit 2007, më kujton se jeta është e përkohshme, ndërsa gjurmat njerëzore mbeten të përjetshme. Në fund të fundit, nuk mbeten vetëm titujt, dekoratat apo postet. Mbetet sjellja, fjala e mirë, dora e shtrirë për mikun, kujtimi që lë pas.

Kjo është arsyeja, pse kjo fotografi nuk largohet nga tavolina ime e punës. Sepse ajo më kujton çdo ditë, se sa e çmuar është koha, sa të vyer janë njerëzit dhe sa e bukur është mirënjohja.

Një fotografi. Nëntë burra. Një kohë, që vazhdon të marrë frymë përmes kujtesës.

 

 

 


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page