top of page

Bujar Qesja: Melisa Halili kur flet një engjëll hesht edhe koha

  • 1 minute ago
  • 10 min read

-Mrekullia e 10-të vjeçares, lindur për t'i dhënë artit shqiptar një emër të ri

Mbështetja i një talenti të rrallë i bën nder kombit

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Ka raste kur Zoti zgjedh vendet më të thjeshta për të lindur mrekullitë

Ka udhëtime, që i bën për miqësi. Ka udhëtime, që i bën për respekt. Ka edhe udhëtime, që i bën thjeshtë për të ndryshuar ajrin. Por ka raste të rralla, kur njeriu kthehet prej tyre më i pasur shpirtërisht, sepse ka parë një mrekulli. Një mrekulli të gjallë. Një mrekulli që merr frymë. Një mrekulli që flet. Një mrekulli që quhet Melisa Halili.

Majtara është një fshat i vogël i krahinës së Maqellarës, në zemër të Dibrës. Në hartën e Shqipërisë, mund të duket vetëm një pikë e vogël mes maleve, por historia ka treguar, se shpeshherë pikërisht këto pika të vogla, kanë lindur njerëz të mëdhenj. Kjo tokë ka nxjerrë burra të urtë, luftëtarë, arsimtarë, artistë, poetë e njerëz të dijes.

Ka nxjerrë karakter. Ka nxjerrë shpirt. Dhe tani duket, se po i fal Shqipërisë një talent, për të cilin do të flitet gjatë. Kur mbërritëm në konakun e poetit të njohur dibran Demir Rusi, askush nuk e kishte mendjen, se pas pak minutash, do të jetonim nga emocionet më të bukura të jetës.

Ndodheshin rreth njëzet miq. Mes tyre poeti Demir Rusi. Çifti Elsa dhe Vasil Hila. Avokati i njohur Baftjar Rusi. Miq të ardhur nga vende të ndryshme. Bisedonim, qeshnim, kujtonim. Atmosfera ishte ajo që krijojnë vetëm sofrat shqiptare, ku buka, fjala dhe zemra ulen bashkë.

Por papritur, në atë oborr të qetë, hyri një vajzë e vogël. E heshtur. Me një buzëqeshje të dlirë. Me sytë që shkëlqenin, si burimet e maleve dibrane. Askush nuk do ta besonte, se pas pak çastesh, do të na linte pa frymë. Demir Rusi më kishte folur gjatë për të.


Më kishte thënë:

-Bujar, do të shohësh një talent si rrallëherë.

E dëgjova me respekt. Por nuk e fsheh. Brenda vetes mendova:

"Po, çdo prind, çdo mësues, çdo poet e sheh të talentuar fëmijën që do."

Nuk kaluan pesë minuta dhe kuptova se këtë herë gabova unë. Madje gabova rëndë.

Kur fëmija zhduket dhe lind artistja

Melisa nisi të interpretonte. Jo të recitonte. Të interpretonte. Ky është ndryshimi. Sepse recitimi mësohet. Interpretimi lind. Melisa nuk po shqiptonte vargje. Po jetonte çdo fjalë. Çdo pauzë kishte kuptim. Çdo ngritje zëri kishte emocion. Çdo shikim fliste. Çdo lëvizje ishte teatër. Çdo frymëmarrje ishte art.

Në pak sekonda harruam moshën e saj. Harruam se përballë kishim një fëmijë dhjetëvjeçar. Para nesh qëndronte një aktore. Një artiste. Një interpretuese, që kishte lindur me një dhunti të rrallë. Në atë çast askush nuk fliste. Nuk dëgjohej asnjë kollë. Asnjë lëvizje. Vetëm zëri i saj.

Dhe ai zë mbushte gjithë oborrin. Madje dukej, sikur përhapej përtej maleve të Dibrës. Nuk po shikonim vetëm një recitim. Po përjetonim një ngjarje. Kur mbaroi, askush nuk nxitoi të duartrokiste. Për disa sekonda, mbetëm të gjithë të ngrirë. Sikur donim të bindnim veten, se ajo që sapo pamë ishte e vërtetë.

Pastaj shpërtheu duartrokitja. Një duartrokitje që vinte nga zemra. Një duartrokitje që nuk ishte mirësjellje. Ishte tronditje. Ishte emocion. Ishte respekt. Disa prej nesh kishin lot në sy. Po, po! Lot gëzimi. Sepse jo çdo ditë, të jepet mundësia të shohësh lindjen e një ylli.

Demir Rusi, njeriu që dalloi diamantin mes gurëve

Në jetën e çdo artisti të madh, vjen një çast vendimtar. Është ai moment, kur dikush e sheh talentin përpara se ta shohin të tjerët. Për Melisa Halilin, ky njeri ishte poeti, shkrimtari dhe veprimtari i njohur dibran Demir Rusi.

Nuk e zbuloi në një skenë të madhe, as në një festival kombëtar. Fati deshi, që ta njihte në konkursin e zakonshëm të shkollave 9-të vjeçare të zonës së Maqellarës, aty ku askush nuk priste të lindte një histori e tillë.

Paradoksi është, se Melisa nuk ishte parashikuar të merrte pjesë në konkurim. Organizatorët e nxorën në skenë, vetëm për të mbushur kohën, ndërsa juria po tërhiqej për të marrë vendimin mbi fituesit. Ishte një zgjidhje spontane, pa asnjë pretendim. Por pikërisht ajo minutë ndryshoi gjithçka.

Demir Rusi ishte pjesë e jurisë. Në çastin kur dëgjoi zërin e vogëlushes, harroi proçesverbalet, pikët dhe çdo proçedurë tjetër. Vëmendja u përqendrua vetëm tek ajo vajzë e brishtë, që po interpretonte me siguri dhe ndjenjë të pazakontë. Nuk shihte më, një nxënëse të klasës së tretë. Përpara tij po shfaqej një talent i lindur.

Kur interpretimi përfundoi, Rusi nuk e fshehu emocionin. La jurinë dhe vrapoi si i “çmendur” drejt vogëlushes. Përqafoi Melisën dhe që nga ai çast, vendosi ta ndihmonte me të gjitha mundësitë që kishte. Është i bindur se kjo vajzë, nuk duhej të mbetej brenda kufijve të fshatit të saj. Ajo duhej të dilte në skenat e Shqipërisë dhe më tej, sepse talenti nuk njeh kufij gjeografikë.

Nuk është hera e parë, që arti shqiptar ka zbuluar talente në mënyrë rastësore. Historia jonë, njeh shumë emra të mëdhenj, që janë zbuluar larg qyteteve, larg akademive dhe larg qendrave të mëdha kulturore. Por rrallëherë ndodh, që një fëmijë dhjetëvjeçar, të krijojë një bindje kaq të menjëhershme tek të gjithë ata që e dëgjojnë.

Demir Rusi, nuk u mjaftua vetëm me lavdërimet. Ai e shoqëroi Melisën në veprimtaritë e para artistike. Shkroi për të. E prezantoi para publikut. E lidhi me njerëz të artit dhe është bërë zë i fuqishëm në mbështetje të saj.

Në çdo shkrim dhe në çdo takim, Demiri përsërit të njëjtën thirrje: "Kjo vajzë duhet ndihmuar." Dhe kjo nuk është fjali, e thënë nga emocioni i çastit. Është bindja e poetit, që ka parë me sytë e tij lindjen e një talenti të rrallë.

Familje e zakonshme, që rrit një vajzë të jashtëzakonshme

Pas çdo fëmije të talentuar, qëndron një familje që sakrifikon në heshtje. Kështu ndodh edhe me Melisën. Është fëmija i tretë i Erjona dhe Fatmir Halilit, familje e thjeshtë nga Majtara, që jeton me krenari dhe punë të ndershme. Nëna e saj, Erjona, çdo ditë bën rrugë të gjatë për të shkuar në punë në Big Market të Maqellarës. Udhëtimi vajtje ardhje, zgjat rreth dy orë në këmbë. Përveç lodhjes së përditshme, përballet edhe me probleme shëndetësore.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për Melisën, lodhja harrohet. Përpiqet ta shoqërojë vajzën në çdo veprimtari, në çdo festival dhe në çdo ftesë artistike, sepse e di se talenti nuk pret. Edhe babai, Fatmiri, është njeri i përkushtuar ndaj familjes. Nuk ka pasuri për t'i hapur rrugën vajzës me para, por ka pasuri shumë më të madhe, besimin e palëkundur tek ajo. Prindërit e Melisës, nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë vetëm mundësi, që vajza e tyre të ecë përpara.

Në këtë histori, ka edhe një mesazh të madh shoqëror. Sa Melisa mund të ketë sot në Shqipëri, që nuk arrijnë të zbulohen? Sa talente humbasin çdo vit, vetëm sepse mungojnë kushtet ekonomike, mbështetja apo një dorë e shtrirë në kohën e duhur? Kjo është arsyeja, pse historia e saj nuk është vetëm historia e një vajze. Është historia e përgjegjësisë sonë si shoqëri.

Nëse ne dimë, të mbështesim njerëzit e talentuar kur janë ende fëmijë, nesër do të kemi artistë, që do ta nderojnë Shqipërinë në skenat më autoritare të botës. Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë do të mbetemi peng i keqardhjes, duke thënë pas shumë vitesh: "Edhe ajo ishte shqiptare."

Kur vlerat nuk njohin kufij

Që nga dita, kur Demir Rusi e mori për dore artistikisht Melisën, ngjarjet nisën të rridhnin me shpejtësi të habitshme. Melisa që në fillim, ishte vajzë e panjohur nga një fshat i Dibrës, filloi të ngjitej njëra pas tjetrës në skenat e vendit. Çdo interpretim, ishte provim i ri dhe njëkohësisht fitore e re.

Publiku nuk shikon thjeshtë, një fëmijë që reciton bukur. Shikon edhe një vajzë, që jeton çdo varg, që e shndërron poezinë në dialog, që e kthen fjalën në emocion dhe emocionin në art. Ky është shkaku, pse njerëzit nuk largoheshin indiferentë nga sallat ku interpretonte Melisa. Largoheshin duke folur për të. E kujtonin, e përmendnin dhe pyesnin me habi: "Nga është kjo vajzë?"

Përgjigjja ishte gjithmonë e njëjtë: "Nga Majtara e Maqellarës."

Dhe kjo përgjigje, mbushte me krenari jo vetëm banorët e atij fshati, por gjithë Dibrën. Sepse, në një kohë kur shpesh dëgjojmë lajme që na trishtojnë, Melisa po sjell lajme krejt të tjera. Lajme që flasin për shpresë, për kulturë dhe për të ardhmen.

Skenat nisën të shtoheshin. Ngjarjet artistike, u bënë gjithnjë e më të shumta. Ftesat erdhën nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Më pas erdhën edhe nga Kosova. Më tej, talenti i saj kaloi Adriatikun dhe u prezantua para bashkatdhetarëve tanë në Itali. Kudo ndodhi e njëjta gjë. Publiku ngrihet në këmbë dhe e duartroket gjatë. Nuk ka rëndësi mosha e saj. Në këto çaste njerëzit, nuk shikonin një fëmijë. Shikonin një artiste.

Kur flet talenti edhe personalitetet e mëdha ndalen ta dëgjojnë

Nga momentet më domethënëse, në rrugëtimin e Melisës ishte pjesëmarrja në veprimtarinë e Federatës Universale të Paqes në Tiranë. Ishte një veprimtari, ku merrnin pjesë personalitete të njohura të jetës publike shqiptare. Mes tyre ndodhej edhe ish Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.

Melisa interpretoi poezinë "Pastroje shpirtin, o njeri". Vetëm pak minuta në skenë dhe në sallë u krijua atmosferë e veçantë. Kur Melisa mbaroi interpretimin, ish Presidenti Alfred Moisiu, kërkoi ta takonte personalisht. E përqafoi me dashuri dhe duke u kthyer nga njerëzit që e shoqëronin, tha fjalët që tingëllojnë si amanet për të gjithë ne:

"Kjo vajzë ka të ardhme. Ndihmojeni!"

Nuk është vlerësim i zakonshëm. Ishte gjykimi i një njeriu me përvojë, i cili kishte parë gjatë jetës së tij mijëra njerëz të talentuar. Ishte një thirrje, që nuk duhet të mbetet vetëm në fotografitë e asaj veprimtarie.

Regjisori dhe aktori me famë ndërkombëtare, Xhevat Limani, mbeti i mahnitur nga interpretimi i saj. Pasi Melisa fitoi çmimin e parë në Festivalin e Shoqatës "Jehona Shqiptare", Limani shprehu gatishmërinë, që në të ardhmen ta përfshinte në projekte artistike dhe kinematografike. Vlerësim i tillë nuk jepet lehtë. Fitohet vetëm, kur talenti flet vetë.

Shkolla që beson tek nxënësja e saj

Në këtë histori suksesi, nuk mund të harrohen njerëzit që e kanë shoqëruar Melisën në hapat e para. Shkolla 9-të vjeçare e Majtarës, nuk e shikon Melisa Halilin, si nxënëse të zakonshme, por si mundësi për të nxjerrë në dritë një talent të rrallë.

Mësuesja kujdestare, Remzia, punon me përkushtim për ta inkurajuar dhe për ta ndihmuar. Mësuesja Armela Iskurti, me shumë orë pune, shpesh edhe përtej detyrës merret me përgatitjen artistike të vogëlushes. Drejtoresha e shkollës, Adelina Tafçiu, krijon çdo mundësi, që talenti i Melisës të mos mbetet i fshehur brenda mureve të shkollës.

Këta arsimtarë, nuk kanë bërë vetëm detyrën. Ata po investojnë pjesë të shpirtit të tyre. Dhe kur një mësues beson tek nxënësi, nuk ndërton vetëm sukses vetjak, por ndërton të ardhmen.

Në këtë zinxhir njerëzish me zemër të madhe, është edhe biznesmeni Klodian Cami. Nuk u mjaftua me duartrokitje, apo me fjalë të bukura. Cami vendosi ta mbështesë konkretisht Melisën, duke i krijuar mundësi financiare, që të marrë pjesë në festivale dhe veprimtari artistike.

Ky është shembulli, që vlen të ndiqet nga shumë sipërmarrës të tjerë shqiptarë. Talenti nuk ka nevojë për mëshirë. Talenti ka nevojë për besim dhe mbështetje.

Pasuri që nuk i përket vetëm familjes Halili

Gabim do të ishte, nëse Melisën do ta trajtojmë vetëm, si krenarinë e familjes së saj. Tashmë ajo është krenaria e Majtarës. Është krenaria e Maqellarës. Është krenaria e Dibrës. Dhe shumë shpejt, nëse mbështetet siç duhet, do të jetë krenaria e gjithë Shqipërisë.

Një diamant nuk humbet vlerën, vetëm pse gjendet në një minierë të largët. Përkundrazi. Pikërisht, largësia e bën më të çmuar. Edhe Melisa, është një diamant i tillë. Ka lindur larg qendrave të mëdha artistike, larg teatrove kombëtare, larg akademive. Por talenti nuk pyet për adresën. Lind aty ku Zoti e ka shkruar.

Kemi detyrimin moral, që këtë diamant ta pastrojmë, ta mbrojmë dhe ta bëjmë të shkëlqejë. Sepse nëse një ditë Melisa Halili, do të ngjitet në skenat e mëdha të Europës apo të botës, atëherë do të themi me krenari, se Shqipëria nuk i zbulon rastësisht artistët e saj, por din edhe t'i mbështesë.

Thirrje që nuk duhet të mbetet vetëm në letër

Shpesh kemi dëgjuar të thuhet, se Shqipëria është vendi i talenteve. Dhe është e vërtetë. Por po aq e vërtetë është, se shumë prej këtyre talenteve janë venitur rrugës, jo sepse u mungonte dhuntia, por sepse u mungoi mbështetja. Sa artistë, sportistë, shkencëtarë e krijues kanë mbetur në hije vetëm për shkak të pamundësive ekonomike? Sa ëndrra janë shuar, para se të merrnin fluturimin e parë?

Historia e Melisa Halilit, nuk duhet të mbetet histori e tillë. Kjo vajzë nuk kërkon favore. Nuk kërkon mëshirë. Kërkon vetëm atë, që meriton çdo fëmijë me një talent të rrallë, mundësinë për të ecur përpara.

Prandaj ky shkrim, nuk është vetëm portret artistik. Është apel publik. Një thirrje drejtuar institucioneve të kulturës dhe arsimit, Bashkisë së Dibrës, biznesit shqiptar, fondacioneve, artistëve të afirmuar dhe çdo shqiptari që beson, se investimi më i madh bëhet tek fëmijët e talentuar.

Një bursë studimi. Një mbështetje financiare. Një mundësi për të ndjekur një lice artistik. Një trajnim me pedagogë profesionistë. Një pjesëmarrje në festivale ndërkombëtare. Për shumëkënd këto, mund të duken gjëra të vogla. Për Melisën, ato mund të jenë ura që e çojnë drejt së ardhmes.

Nesër mund të jetë vonë. Talenti nuk pret pafundësisht. Duhet ushqyer, kultivuar dhe mbrojtur në kohën e duhur. Pikërisht tani është koha.

Kur një fëmijë bëhet krenaria e një kombi

Melisa Halili, është vetëm dhjetë vjeçe. Fiziku i saj i brishtë, të krijon përshtypjen e një fëmije edhe më të vogël. Por sapo ngjitet në skenë, ndodh diçka që nuk shpjegohet me logjikë. Ajo ndryshon. Nuk është më vogëlushja, që luan me bashkë moshataret. Shndërrohet në një interpretuese, që komandon skenën me qetësi dhe siguri të habitshme.

Ky është ai mister, që e ka vetëm arti i vërtetë. Nuk është rastësi, që publiku ngrihet në këmbë për ta duartrokitur. Nuk është rastësi, që personalitete si Alfred Moisiu, Xhevat Limani e shumë artistë të tjerë, kanë mbetur të befasuar prej saj. Nuk është rastësi, që Demir Rusi vazhdon ta mbrojë me aq pasion, sikur të jetë amanet që ia ka lënë vetë arti.

Sepse Melisa, nuk është vetëm fëmijë i talentuar. Është një premtim. Një premtim, që nuk duhet ta zhgënjejmë.

Një yll që ka nisur të lindë mbi malet e Dibrës

Kur u larguam nga Majtara, rruga zbriste mes kodrave dhe maleve të Dibrës. Dielli po perëndonte ngadalë, duke lyer me ngjyrë ari pyjet, gurët dhe çatitë e shtëpive. Në makinë flisnim për shumë gjëra, por biseda kthehej vazhdimisht tek një emër. Melisa.

Na kishte mbetur në sy, buzëqeshja e saj fëminore. Na kishte mbetur në vesh, zëri i saj. Na kishte mbetur në zemër, emocioni që na dhuroi. Atë mbrëmje kuptova edhe një herë, se Zoti nuk i shpërndan dhuratat sipas pasurisë, sipas qyteteve të mëdha apo sipas famës së njerëzve. I shpërndan aty ku dëshiron. Ndonjëherë në një metropol. Ndonjëherë në një fshat të vogël, mes maleve të Dibrës.

Majtara nuk po i jep Shqipërisë, vetëm një nxënëse të mirë. Po i jep një shpresë. Një dritë. Një zë që nesër, mund të jehojë në teatrot më të mëdha të vendit dhe të botës. Por kjo do të ndodhë, vetëm nëse ne dimë ta mbajmë këtë dritë ndezur.

Le të mos presim, që bota të na tregojë vlerën e saj. Le ta zbulojmë, ta mbrojmë dhe ta ngremë vetë. Është detyrim qytetar, moral dhe kombëtar. Sot ajo quhet Melisa Halili. Nesër, jam i bindur, emri i saj do të jetë nga krenaritë e artit shqiptar.

Dhe atëherë do të kujtojmë me mall, se gjithçka filloi në një fshat të vogël të Maqellarës. Filloi aty ku një vajzë dhjetëvjeçare, u ngjit në skenë dhe bëri atë që vetëm talentet e lindura dinë të bëjnë, heshti sallën dhe bëri të flasin zemrat.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page