Bujar Qesja: Me rrënjë në Voskopojë që në vitin 1900
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 20 hours ago
- 3 min read

Petrika Balliu i " Vila Ime"
-Me rrënjë në Voskopojë që në vitin 1900
... Nga sjellja prej xhentëllmeni i Petrika Balliut, m'u duk se " Vila Ime", u kthye në " Vila Jonë"....
BUJAR QESJA
Voskopoja e këtij viti më sjell risi, mbase mbase të pamenduara. Në përditshmërinë time, në normalitetin e një njeriu modest, por korrekt në gjithçka, ndjej të pandashme edhe përgjegjësinë e lapsit. Përgjegjësi që zor se do të më ndahet, derisa dora të më lëvizë, e mëndja të plugojë koshiencën.
Kam shkruar këto ditë për njerëz të mënçur të Voskopojës, që merren me biznes familjar dhe jo të tillë, por që janë peshë, babaxhanë, e zemërmëdhenj.
Krejt rastësisht, u ndesha edhe me një të tillë, në të bukurën dhe magjepësen hotel - restaurant " Vila Ime".
Teksa po dilja herët, për t'u përshëndetur me natyrën hipnotizuese të Voskopojës, në një mengjes, bashkëshoqërueset e mia, zonjat e nderuara Dituri Shtino, Shpresa Zybeshari dhe Kostandina Ngresi, më propozuan për një kafe tek "Vila Ime".
Aty ndodhi dhe befasia. Po diskutonim për shkuljen e emigracionit voskopojar, nga Greqia në vendlindje për të festuar "Shën Marinë". Me qindra njerëz bllokuan lokale, mjedise familjare natyrore, me ato Belvederet tërheqëse dhe origjinale. Kërcenin, këndonin dhe ushqeheshin me mish të pjekur në hell. Bukur! Shumë bukur!
Në bisedë e sipër, ku bëhet pjesë dhe ushtaraku madhor, i afti dhe i mënçuri Agim Zybeshari, i ofrohet tavolinës tonë, një zotni tërheqës në pamje, veshur pastër dhe me shije. E tërhoqi biseda.
Shumë thjesht, shumë larg staturës të fryerjes dhe mëndjemadhësisë të jo pak biznesmenëve, na tregon se quhet Petrika Balliu dhe është pronari i kësaj të mrekullueshmes " Vila Ime". Ka mbaruar dy fakultete: ekonomikun dhe drejtësinë.
Kavaljer, i komunikueshëm, me të folmen puro korçare, që i shkonte staturës së tij flet për punën, vështirësitë e manaxhimit, por çfaq optimizëm dhe i bindur të mos "dorëzohet".
Është i datëlindjes 2 mars 1962. Me përvojë në biznes. Merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mermerit. Tregëton prodhime të ndryshme. Flasim gjithnjë për mermerin. Prej vitesh fokuson në bizneset e tij edhe materialet e ndërtimit dhe ato hidrosanitare. Dukshëm prezantohet si biznesmen i thekur, me përvojë dhe bilanc konkurues dhe të qendrueshëm.
Tani ka investuar edhe në këtë që quhet "Vila Ime". Ndërtesë tërheqëse dhe me arkitekturë, që i përshtatet relievit malor. Petrika Balliut, i lexohej sinqeriteti dhe dëshira për të bërë mirë, për të ndihmuar njerëzit dhe qytetin.
- Meqenëse je emër i dëgjuar në sporte, më shprehet Petrika Balliu, po të tregoj se kam qenë zëvëndësi i Jani Kaçit si portjer. Sponsorizova ekipin e "Skëndërbeut" deri në mesin e viteve 2020, me fillim diku nga vitet 90-të, ku ekipi tani është në presidencën e zotit Take. Jam i kënaqur, që investoj në akademinë e të rinjve të futbollit korçar.
Populli e ka në urtësi, që pamja s'të gabon, për të të treguar zemrën dhe shpirtin e njeriut. Dhe kjo ndodh edhe në rastin e Petrika Balliut. Mbreslënës dhe kjo para së gjithash, i shërben të mirës së tij.
Nuk i tregova gjë, se do të shkruaja për të. Në fakt as nuk ma kërkoi. Por zanati im, është zanati im. Në një nga mengjeset e fundit m'u në lule të gjumit, as nuk mund të më shkonte ndërmënd, se do të shkruaja për biznesmenin korçar, me origjinë voskopojare nga viti 1900 Petrika Balliu.
Por ja që ndodhi. Duket se ishim me fat që të dy. Nga sjellja prej xhentëllmeni i Petrika Balliut, m'u duk sikur " Vila Ime", u kthye në " Vila Jonë".
Comments