top of page

BUJAR QESJA: Këto rradhë për ty Jurgen Thërmija

ree

Këto rradhë për ty Jurgen Thermija

22 vite dritë, punë dhe ëndrra që marrin krahë

-Djali që punon, studion dhe ëndërron: historia e Jurgen Thermijës

Ditëlindje në sfondin e sakrificës dhe dinjitetit për t’ia dalë

BUJAR QESJA

Nuk ka rëndësi të jesh i njohur. Nuk ka rëndësi se je i varfër apo i pasur, ke apo nuk ke para. Mund të jesh fare i padukshëm dhe i mbërthyer në hallet e tua. Por kur kërkon të ngresh personalitetin tënd, nëpërmjet punës, përkushtimit dhe përpjekjeve të pazakonta, kthehesh në fakt tërheqës për profesionistin e letrave.

Jurgen Thërmija, në këtë të mërkurë të 3 shtatorit 2025, është në 22 vjetorin e lindjes. Në dukje ditë e zakonshme, e mbushur me shqetësime dhe ngarkesa jetësore. Por për Jurgenin do të thotë shumë. 22 vite jetë dhe e gjen në luftë për afirmimin, për të zenë me mund dhe sakrificë vendin që i takon dhe që meriton. Kjo më bën përshtypje në këndshikimin tim dhe e ktheva në protogonist të këtyre rradhëve, që nuk është vetëm urim .

Në pamje të parë, ai është thjesht një student që ndjek studimet për infermieri. Por në të vërtetë, Jurgeni është shumë më tepër se kaq: është një model i përkushtimit, i sakrificës dhe i vizionit për të ardhmen.

22-vjetori i tij nuk është vetëm një ditëlindje. Është moment për të thënë me zë të lartë se ky vend, ky qytet, kjo shoqëri, ka ende djem që dinë të ëndërrojnë duke punuar, që dinë të ecin përpara pa pritur dhurata nga fati, që e ndërtojnë jetën gur pas guri, ditë pas dite, me djersë e me guxim. Jurgen Thermija është një nga ata.

Jurgen Thermja mban atë pozicionin të brezit të ri, që nuk rri në pritje të mrekullive, por i ngjitet jetës me thonj, me duar, me djersë, duke ditur se nderi dhe dinjiteti nuk dhurohen, por fitohen.

Shkollimi yt në infermieri, dëshira jote për të vazhduar më tej në master, për t’u bërë asistent aktiv në sallat e operacionit, nuk janë vetëm projekt profesional. Janë dëshmi e një misioni jetësor: të lehtësosh dhimbjen, të japësh shpresë, të vendosësh dritë aty ku shpesh hyn hija e ankthit dhe e pasigurisë njerëzore.

Rruga jote nuk është e shtruar me petale trëndafilash. E dimë mirë: çdo ditë udhëton në Tiranë për studime, duke sfiduar lodhjen e udhës, vonesat, shpenzimet. Ditët e tua nuk kanë vetëm librat dhe leksionet; ato kanë edhe punën e thjeshtë, por fisnike: herë në supermarket, herë pas një banaku hoteli. Nuk ka punë të vogël kur ajo kryhet me nder. Përkundrazi, çdo orë që sakrifikon është gur në themelet e të ardhmes.

Këtu qëndron madhështia jote, Jurgen. Nuk e sheh sakrificën si barrë, por si investim; nuk e sheh punën si poshtërim, por si krenari; nuk e sheh lodhjen si pengesë, por si provë burrërie. E kjo është shenjë e qartë, se je biri i dy prindërve të ndershëm, Torit dhe Teutës, që me djersë dhe ndershmëri kanë hapur rrugën që ti sot ecën me kaq vendosmëri.

Tori, mjeshtër i dorës, mjeshtër i hekurit dhe vajit të makinave, është një metaforë e asaj që është edhe jeta: një motor që kërkon përkujdesje, një trup mekanik që do dorë të sigurt për ta mbajtur në lëvizje. Po kështu edhe Teuta, zonjë e thjeshtë, por e madhe në shpirt, që i ka dhënë shtëpisë suaj ngrohtësinë dhe frymën e së bukurës. Nuk është rastësi që ti, i rritur në një vatër të tillë, je kthyer në djalë shembullor: i edukuar, i qeshur, i komunikueshëm, i dashur me njerëzit dhe i respektuar nga lagjja e qyteti yt.

Jurgen, mos harro asnjëherë se 22 vjet nuk janë vetëm numër në kalendar. Janë gur kilometrik që të thotë: shih sa larg ke ardhur, por edhe sa gjatë është udha që të pret. Dhe kjo udhë nuk është e frikshme. Sepse ti ke armët më të forta: dijen, punën, thjeshtësinë, respektin dhe dashurinë e prindërve të tu, të shoqërisë.

Përballë çdo pengese, kujto se je bir i një fisi qytetar, Thermijave, që e kanë pasur gjithmonë nderin flamur. Kujto se çdo libër që hap, është dritare që hapet drejt horizontit tënd. Kujto se çdo pacient, që do të prekësh me dorën tënde si infermier e më pas si asistent i kirurgut, do të mbajë pjesë të shpirtit tënd të bardhë.

Në këtë ditë të bukur të 22-vjetorit tënd, të uroj të ecësh gjithnjë me kokën lart, me zemrën plot dhe me shpirtin të pasur. Të mos ndalosh kurrë së ëndërruari, por të mos harrosh se ëndrrat nuk piqen vetë pa mund, djersë, sakrifica. Të rritesh me autoritet jo nga frika e të tjerëve, por nga respekti që fiton përmes shembullit personal.

Sot feston ti, por në të vërtetë feston edhe familja jote, lagjja jote, qyteti yt. Sepse në çdo ditë tënde të re, ata shohin dëshminë se ky vend ka ende djem që besojnë, që punojnë dhe që sakrifikojnë për të ardhme më të ndritur.

Gëzuar 22-vjetorin e lindjes, Jurgen!

Qofsh gjithnjë djalë me dritë në sy, me forcë në zemër dhe me nder në çdo hap!

Qofsh shembull dhe frymëzim për të tjerët, ashtu siç je sot për prindërit e t’u dhe për ata që të njohin nga afër!

Qofsh krenar, jo nga fjalët e të tjerëve, por nga puna jote e ndershme!

Mbetsh i fortë përballë sfidave, i qetë në rrugëtimin tënd dhe i lumtur në çdo hap të jetës!

Dhe mbi të gjitha, shpresoj të kthehesh frymëzim për shumë të rinj, që të shohin e me siguri do të thonë:

-Po! Ja si ndërtohet e ardhmja.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page