BUJAR QESJA: Kur sofra dibrane bëhet shtëpia e miqësisë
- 5 hours ago
- 5 min read

-Një ditë në Majtarë, aty ku bujaria nuk është zakon, por mënyrë jetese
Nga BUJAR QESJA
Ka vende që të presin me derën hapur dhe të tjerë me zemrën hapur. Dibra i ka të dyja. Kush ka shkelur qoftë edhe një herë në atë krahinë të bekuar, e di se mikpritja nuk është ritual formal, por ligj i pashkruar, i trashëguar brez pas brezi, që nuk njeh kohë e nuk njeh ndryshim.
Kështu ndodhi edhe këtë fundjavë korriku, kur rruga na çoi në Majtarë të Maqellarës, në një takim që do të mbetet gjatë në kujtesë. Ishte një ftesë e poetit të njohur dibran Demir Rusi, njeriu që ka ditur të mbajë gjallë jo vetëm frymën e poezisë, por edhe fisnikërinë e vendlindjes.
Majtara na priti me qetësinë e saj karakteristike. Kodrat e gjelbra, ajri i pastër, shtëpitë e reja që zbukurojnë fshatin, pemët që përshëndesin udhëtarin dhe njerëzit që buzëqeshin pa kursim, krijojnë ndjesinë sikur ke hyrë në një botë, ku koha ecën më ngadalë dhe ku njeriu mbetet ende vlera më e madhe.
Në mesin e shumë vilave të bukura, që kanë ndryshuar pamjen e zonës, spikaste vila e re e Demir Rusit. Ndërtim modern, por me shpirt dibran, ku çdo gur dukej sikur fliste për mallin ndaj vendlindjes. Demiri dhe bashkëshortja e tij, Zana, jetojnë në Tiranë, ku zhvillojnë edhe biznesin e tyre. Megjithatë, fundjavat i kanë rezervuar për Majtarën. Nuk mund të shkëputen nga toka, ku hodhën hapat e parë, nga njerëzit me të cilët ndajnë kujtimet dhe nga ajri, që mbush mushkëritë me aromën e maleve.
Ky është një shembull i bukur, i lidhjes së njeriut me rrënjët. Sepse nuk mjafton të ndërtosh një vilë në tokën tënde, por duhet të ndërtosh ura dashurie me bashkëfshatarët. Dhe këtë Demiri e bën natyrshëm. Tjetër meritë e tij është syri i mprehtë për talentin. Ka zbuluar dhe mbështetur vogëlushen vetëm dhjetëvjeçare Melisa Halili, fëmijë me dhunti të veçanta artistike, duke dëshmuar se poeti nuk sheh vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen.
Por ajo që e bëri të paharrueshme këtë ditë ishte sofra. Sofra dibrane nuk matet me numrin e pjatave, por me ngrohtësinë e zemrave që ulen rreth saj. Ajo është vendi ku buka merr shijen e respektit, ku gota ngrihet për miqësinë dhe ku çdo fjalë ka peshën e besës. Në atë tryezë, nuk kishte të ftuar dhe pritës. Ishim të gjithë pjesë e një familjeje të madhe.
Ishin të pranishëm avokati i njohur Baftjar Rusi, së bashku me bashkëshorten e tij Xufe, gjithmonë të qeshur dhe plot mirësi. Nga Homeshi ishte Rustem Rusi me bashkëshorten Qete, njerëz të thjeshtë e fisnikë, që mishërojnë karakterin e dibranit punëtor. Nga Luznia kishte ardhur Besim Mera, i cili edhe pse mban ende dhimbjen e ndarjes nga jeta të bashkëshortes Kadrijes, nuk e kishte humbur fisnikërinë dhe mirësinë shprehje e traditave. Prania e tij ishte dëshmi, se miqësia është forca që ndihmon njeriun të ecë përpara.
Një energji e veçantë i dha takimit Artur Kala. I thjeshtë në komunikim dhe i afërt me të gjithë, tregonte se postet nuk e ndryshojnë natyrën kur njeriu mbetet i lidhur me vendlindjen. Po aq i respektuar ishte edhe Tahir Damzi, nga Luznia, anëtar i Këshillit të Qarkut Dibër, i angazhuar në bujqësi dhe biznes. Fjalët e tij për tokën, për punën dhe zhvillimin e zonës, dëshmonin dashurinë e sinqertë për Dibrën.
Nga Durrësi kishin ardhur miqtë tanë të dashur Vasil Hila dhe bashkëshortja Elsa Hila, të cilët me përkushtim drejtojnë shkollën e mesme jopublike "Mihal Ekonomi". Bashkë me ta ishte edhe drejtoresha Enkelana Koça, një zonjë me kulturë dhe komunikim të admirueshëm. Natyrisht, në këtë takim isha me bashkëshorten time Kostandinën, të lumtur që ndamë me këta njerëz një ditë që do ta kujtojmë gjatë.

Dhe mes të rriturve, si një lule pranvere, mbetet Melisa e vogël, që me buzëqeshjen dhe talentin e saj sillte freskinë e brezit të ri. Dibra është krahinë, që nuk të pushton vetëm me peizazhin. Të pushton me staturën e përkryer të njerëzve. Malet krenare, pyjet e pafund, burimet me ujë të kristaltë, fushat pjellore dhe lumenjtë që zbresin me vrull nga lartësitë, krijojnë mozaik natyror të rrallë. Këtu çdo stinë ka bukurinë e vet. Vera sjell freski, vjeshta ngjyros pyjet me ar, dimri i mbulon majat me dëborë dhe pranvera zgjon çdo cep të natyrës.
Por mbi të gjitha qëndron njeriu dibran. Flet pak dhe bën shumë. Jep fjalën dhe e mban. Të fton në shtëpi dhe të trajton si pjesëtar të familjes. Nuk pyet nëse je i pasur apo i varfër, por nëse je mik. Prandaj sofrat dibrane, kanë fituar famë në të gjithë Shqipërinë. Në to bashkëjetojnë tradita, historia, respekti dhe dashuria për tjetrin. Nuk mungon asnjëherë dollia për shëndetin, kujtimi për ata që nuk jetojnë më dhe urimi, që miqësia të zgjasë sa vetë malet.
Bisedat atë pasdite rridhnin natyrshëm. Kujtimet ndërthureshin me projektet e së ardhmes, humori me nostalgjinë, ndërsa gotat përplaseshin lehtë, jo për të bërë zhurmë, por për të vulosur një afërsi njerëzore që nuk blihet me para. Askush nuk e ndjeu kalimin e orëve.
Kur dielli nisi të fshihej pas maleve, duke lyer qiellin me ngjyrat e mbrëmjes, e kuptuam se kishim fituar diçka, më shumë sesa një drekë të bukur. Kishim fituar një kujtim. Në kthim, ndaluam në Klos për një kafe të qetë. Ishte ai çasti, kur secili rikthente në mendje episodet më të bukura të ditës. Nuk kishte lodhje në fytyrat tona. Kishte vetëm kënaqësi.
Në kohët kur ritmi i jetës na largon nga njëritjetri, takime si ky të rikthejnë besimin, se miqësia është ende pasuria më e madhe e shqiptarëve. Dhe kur kjo miqësi takohet me bujarinë dibrane, lind kujtim që nuk zbehet.
Majtara nuk ishte thjeshtë një destinacion udhëtimi, por ndalesë zemre. Ndërsa Demir dhe Zana Rusi, nuk na dhuruan vetëm pritje të shkëlqyer. Ata na kujtuan, se shtëpia është më e bukur kur mbushet me miq, se buka është më e ëmbël kur ndahet dhe se sofrat më të pasura, nuk janë ato me më shumë gatime, por ato ku njerëzit largohen me zemrën plot.
Dhe ne u larguam pikërisht kështu, me zemrën plot, me respekt më të madh për Dibrën dhe me bindjen, se do të rikthehemi përsëri në atë krahinë fisnike, ku mikpritja është art dhe miqësia është mënyrë jetese.
Kjo ishte mbyllja më e bukur e një fundjave të jashtëzakonshme.
Durrës: 29 korrik 2026








Eh, sikur vetëm Baftjar Rusin ta kisha mik, eh. Një shkrim që lexohet me kënaqësi nga fillimi deri në fund. Bujar Qesja nuk përshkruan thjesht një vizitë në Majtarë, por ndërton një mozaik të bukur të mikpritjes, miqësisë dhe fisnikërisë dibrane. Ai i jep jetë njerëzve, vendit dhe sofrës, duke na kujtuar se vlerat më të mëdha nuk maten me pasuri materiale, por me zemrën që hapet për mikun.
Më pëlqeu veçanërisht mënyra se si autori e shndërron sofrën dibrane në një simbol të unitetit, besës dhe dashurisë njerëzore. Përmes një gjuhe të ngrohtë, të rrjedhshme dhe plot ndjenjë, ai dëshmon se traditat tona jetojnë jo vetëm në kujtime, por edhe në njerëzit që dinë t'i ruajnë e t'i përcjellin.