top of page

BUJAR QESJA: Kur arti takohet me mirësinë njerëzore

  • 1 day ago
  • 5 min read

Edmond Hysi njeriu që ktheu penelin në frymëmarrje

-Mirëupafshim, Mond! Udhë të mbarë dhe penel të bekuar!

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Kur arti takohet me mirësinë njerëzore

Ka njerëz që jetojnë për të lënë pasuri materiale. Ka të tjerë që ndërtojnë emër përmes pushtetit, famës apo zhurmës së kohës. Por ka edhe nga ata që ndërtojnë një pasuri tjetër, atë të shpirtit. Këtë pasuri e ndërton çdo ditë, prej dekadash, piktori durrsak Edmond Hysi.

Në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës, u çel ekspozita e tij personale, ngjarje artistike që mblodhi gazetarë, piktorë, artdashës, kolegë dhe qytetarë të shumtë. Përballë shikuesve u shfaqën rreth 70-të vepra, të krijuara me pasion e përkushtim, grafika, akuarele, punime në abstraksionizëm, kompozime të guximshme dhe kërkime të vazhdueshme artistike.

Është më shumë se një ekspozitë. Një rrëfim i heshtur i një artisti, që nuk ka reshtur së punuari, së kërkuari dhe së dashuruari artin. Është homazh për një jetë të tërë, të vënë në shërbim të bukurisë. Është rrëfimi i një njeriu, që nuk reshti asnjëherë së besuari tek arti.

Për shumëkënd, ai është piktori i talentuar, për të tjerë, është shoku i mirë, bashkëbiseduesi i këndshëm, njeriu me humor të hollë, i gatshë të ndajë një kafe miqësore, një kujtim apo një fjalë zemre.

Për bashkëshorten e tij, Ladin, është bashkudhëtari i jetës. Për Borën dhe Tesin, është babai që u mësoi se ndershmëria, puna dhe dashuria për familjen janë vlerat më të çmuara. Për Durrësin, është nga artistët që i kanë dhënë qytetit krenari kulturore.

Fëmija i Skraparit që u bë durrsaku i zemrës

Edmond Hysi u lind më 27 korrik 1957. Në damarët e tij rrjedh gjaku fisnik i Skraparit, por jeta e lidhi ngushtë me Durrësin. Në këtë qytet u rrit. Në këtë qytet mësoi. Në këtë qytet dashuroi. Në këtë qytet ndërtoi familjen dhe krijoi emrin e tij si artist.

Durrësi i viteve të rinisë së Mondit, kishte ritmin e vet. Porti gumëzhinte nga lëvizjet. Rrugët mbusheshin me njerëz. Deti ofronte frymëzim të përhershëm. Ndërsa të rinjtë ëndërronin profesione të ndryshme, ai zgjodhi një rrugë të vështirë, rrugën e artit.

E ndjeu herët, se bota e ngjyrave ishte streha e shpirtit të tij. Nuk qe pasion kalimtar. Ishte thirrje. Ishte fat.

“Jan Kukuzeli” shkolla që formoi artistin

Për të ndjekur ëndrrën, Edmondi kreu studimet në shkollën artistike "Jan Kukuzeli". Atje talenti i lindur, filloi të merrte formë profesionale. Mësoi disiplinën e vizatimit. Mësoi respektin ndaj traditës. Mësoi të kërkojë të renë, pa mohuar të vjetrën. Pedagogët panë tek ai, një nxënës serioz, këmbëngulës dhe të apasionuar.

Nuk u mjaftua me detyrimet shkollore. Punonte më shumë. Kërkonte më shumë. Eksperimentonte më shumë. Që atëherë nisi të kuptohej, se Edmond Hysi nuk do të ishte një piktor i zakonshëm.

Puna feja e tij e përditshme

 

Ka artistë që presin frymëzimin. Mondi e kërkon atë në punë. Ai është nga ata njerëz që e kanë kthyer punën në filozofi jetese. Asnjëherë nuk është kursyer. Ka punuar në biznesin familjar. Ka ndërtuar studio grafike dhe stampimi. Ka përballuar vështirësi. Ka sakrifikuar.

Por nuk e la penelin të thahej. Edhe pas ditëve të lodhshme, gjente kohë përballë telajos. Sepse arti nuk është luks. Është nevojë. Është frymëmarrje.

Peneli që nuk njeh kufij

Të shikosh veprat e Edmond Hysit, do të thotë të udhëtosh nëpër botën e tij të brendshme. Në njërën tablo gjen qetësinë. Në tjetrën shqetësimin. Diku tjetër ironinë e hollë. Më pas shpërthimin e fantazisë.

Nuk i nënshtrohet skemave. Nuk pikturon për të kënaqur shijet e çastit. Pikturon sepse ka diçka për të thënë. Grafika e tij mbart forcë. Akuareli sjell ndjeshmëri. Abstraksionizmi të fton në reflektim. Monotipi të befason. Kolazhi të provokon.

Në çdo teknikë, ruan identitetin e vet. Kjo është vula e artistit të vërtetë.

Ekspozita tek “Nikolet Vasia” ftesë e shpirtit

Galeria e Arteve Pamore "Nikolet Vasia" u mbush me miq dhe artdashës. Gazetarë. Piktorë. Kolegë. Qytetarë. Njerëz që e njohin prej vitesh. Njerëz që e zbuluan për herë të parë. Të gjithë ndaluan përballë veprave të tij.

Rreth 70-të  punime, sollën panoramë të plotë të krijimtarisë së Mondit. Çdo tablo kishte historinë e saj. Çdo vizitor kishte interpretimin e vet. Në sallë ndihej respekt. Ndihej admirim. Ndihej krenari.

Sepse Durrësi po nderonte, nga artistët e tij më përfaqësues.

Miqtë pasuria që nuk blihet

Nga arsyet pse Edmond Hysi është kaq i dashur, lidhet me karakterin. Nuk di të mbajë mëri. Nuk di të bëjë llogari të vogla. Është i drejtpërdrejtë. I sinqertë. Mikpritës. I qeshur. I gatshëm për të ndihmuar.

Miqtë e tij janë të shumtë. Dhe nuk janë miq të rastësishëm. Janë miqësi të ndërtuara mbi besim. Mbi respekt. Mbi dashuri njerëzore. Në një kohë kur marrëdhëniet shpesh bëhen të ftohta, Mondi mbetet njeri që e do njeriun.

Ladi bashkëudhëtarja e jetës

Asnjë histori suksesi, nuk shkruhet vetëm. Pranë Mondit ka qenë gjithmonë Ladi. Grua e urtë. Punëtore. E përkushtuar. Mbështetëse. Ka ndarë me të jo vetëm gëzimet, por edhe vështirësitë. Ka qenë pranë tij në ditët e lodhjes.

Në ditët e pasigurive. Në ditët e suksesit. Kanë ndërtuar së bashku, jo vetëm një familje, por edhe një aleancë dashurie dhe respekti. Dhe kjo është nga arritjet më të mëdha të jetës.

Bora dhe Tesi drita e syve të babait

Bora dhe Tesi jetojnë e punojnë në Luksemburg. Por zemrat e tyre, mbeten të lidhura me prindërit. Ato janë krenare për babanë. Krenare, për njeriun që i mësoi të mos heqin dorë nga ëndrrat. Krenare për artistin, që nuk bëri kompromis me ndërgjegjen.

Mondi flet për to me mall dhe dashuri. Në sytë e tij lexohet krenaria e babait. Sepse pavarësisht pikturave të shumta, kryevepra më e bukur mbetet familja.

Luksemburgu ëndërr e re

Së shpejti Mondi, do të nisë etapë të re të jetës. Do të vendoset pranë vajzave në Luksemburg. Do të largohet fizikisht nga Durrësi. Por jo shpirtërisht. Shkon me përvojën e fituar. Me emrin e ndërtuar. Me dëshirën, për të prezantuar artin shqiptar përtej kufijve.

Është një sfidë. Por edhe një mundësi. Një mundësi që ngjyrat e tij, të komunikojnë me publikun europian. Një mundësi, që kultura jonë të fitojë tjetër ambasadorë.

Njeriu që fitoi zemrat përpara duartrokitjeve

Ekspozitat mbarojnë. Dritat e galerive fiken. Por njerëzit e mirë nuk harrohen. Edmond Hysi, është artist me vlera të spikatura, por mbi të gjitha është  njeri i mirë. Dhe ndoshta, kjo është vepra më e madhe.

I urojmë shëndet, jetë të gjatë dhe energji krijuese. I urojmë që në Luksemburg, të gjejë vlerësimin që meriton. Të hapë ekspozita të reja. Të fitojë admirues të rinj. Të bëhet urë, që lidh artin shqiptar me botën.

Artistët maten me veprat që lënë pas, por njerëzit me dashurinë që mbjellin tek të tjerët. Edmond Hysi ka pasur fatin dhe meritën t'i fitojë të dyja, respektin si piktor dhe dashurinë si njeri. Ndaj, kudo që ta çojë jeta, në Durrës do të mbetet gjithmonë Mondi ynë, njeriu i penelit, që nuk u lodh së pikturuari bukurinë dhe së bërë mirësi.

Edmond Hysi është artist me vlera të spikatura, por mbi të gjitha njeri i mirë. Dhe kjo është vepra më e madhe. Le të vazhdojë të pikturojë, të ëndërrojë dhe të na bëjë krenarë.

Sepse njerëz si Mond Hysi, nuk i përkasin vetëm familjes së tyre. I përkasin qytetit. I përkasin kohës. I përkasin kujtesës sonë. Edmond Hysi ka lënë gjurmë. Ka lënë vepra. Ka lënë miqësi. Ka lënë respekt. Dhe për këtë arsye, Durrësi do ta trajtojë gjithmonë, nga bijtë e tij më të mirë.

Mirëupafshim, Mond! Udhë të mbarë dhe penel të bekuar!

Bujar Qesja

Durrës: 21 qershor 2026 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page