top of page

Bujar Qesja: Dy vëllezër dy Atdhe

3 hours ago
14 min read

Dy vëllezër dy Atdhe dhe një det që nuk i ndau dot

-Xhorxhi dhe Roberto Rubelino, historia e jashtëzakonshme e një familjeje durrsake, e një dashurie shqiptaro italiane dhe e një jete që e ktheu dhimbjen në mision

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh


Dy kultura, një det dhe një histori e përbashkët

Për një durrsak, Italia nuk është vetëm pikë në hartën e Evropës. Është fqinjësi e afërt, e dukshme në horizontin historik të qytetit, në kujtesën e njerëzve, në gjuhën që shumë breza e kanë dëgjuar dhe mësuar, në këngë, filma dhe zakone që kanë kaluar nga njëra anë e Adriatikut në tjetrën. Deti që ndan Shqipërinë nga Italia, ka qenë njëkohësisht rrugë komunikimi. Ka mbartur njerëz, mallra, ide dhe shpresa. Në kohë të ndryshme, shqiptarët e kanë parë bregun tjetër si hapësirë zhvillimi, si vend ku mund të njiheshin mundësi të reja dhe si botë, megjithëse e afërt gjeografikisht, jo gjithmonë ishte e arritshme.

Durrësi e ka pasur këtë marrëdhënie të veçantë me Italinë. Porti e ka bërë qytetin të ndjeshëm, ndaj lëvizjeve përtej detit. Breza të tërë durrsakësh kanë dëgjuar gjuhën italiane, kanë njohur këngëtarë e aktorë italianë dhe kanë ndjekur në kushtet e kohës, programet e radiove e të televizioneve italiane. Në periudhën kur udhëtimi dhe komunikimi me perëndimin ishin të kufizuar, për shumë njerëz këto përvoja, ishin dritare drejt një bote tjetër. Nuk ishte vetëm kurioziteti për kulturën. Ishte edhe dëshira për të parë, për të njohur, për të kuptuar se si jetohej përtej detit.

Parë kështu, historia e Rubelino-ve përfaqëson përvojë të veçantë të marrëdhënies shqiptaro italiane. Nis me një italian, që gjen strehë në familjen shqiptare. Lufta e kishte lënë në Shqipëri dhe familja shqiptare i dha strehë. Askush nuk mund ta dinte se ky akt njerëzor, do të shndërrohej në fillimin e një historie të jashtëzakonshme familjare. Familja Naçi, i hapi derën italianit Nikola Xhuzepe Rubelino.

Xhorxhi dhe Roberto u rritën në Shqipëri, u shkolluan, punuan dhe u kthyen në Itali. Në Asti nuk e lanë pas identitetin shqiptar, por u përpoqën ta ruanin e ta përcillnin tek të tjerët. Kjo nuk është histori, ku një komb del më i mirë se tjetri. Është histori, që shfaqet në të dy anët e detit. Shqipëria u bë Atdheu i fëmijërisë së Xhorxhit dhe i rritjes së të dy vëllezërve. Italia ishte vendi i origjinës së babait, i familjes atërore dhe i jetës që ndërtuan më vonë.

Të dy vendet janë pjesë e historisë së tyre. Asnjëri nuk mund të hiqet pa e dëmtuar tërësinë e rrëfimit. Prandaj, kur flasim për Xhorxhin dhe Roberto-n, nuk kemi përpara dy njerëz që u larguan nga Shqipëria. Kemi dy burra që e morën Shqipërinë me vete, në kujtesë, në familje, në veprimtaritë e tyre.

Kur dera durrsake u bë strehë për një italian

Filipi dhe bashkëshortja e tij, Theodhora, kishin fëmijët e tyre, mes të cilëve Eftiminë. Në një Shqipëri, që po përpiqej të gjente ritmin e jetës pas shkatërrimeve të luftës, familja ruante atë traditë të vjetër shqiptare, sipas së cilës njeriu në nevojë nuk pyetet së pari se nga vjen, por se çfarë mund të bëhet për të. Nikola Xhuzepe Rubelino para se të ishte italian, ishte njeri. Përpara se të ishte pjesë e historisë së një shteti tjetër, ishte njeri që kishte nevojë për siguri, për strehë dhe për mundësi për ta vazhduar jetën.

Në kohë lufte, njerëzit shpesh ndahen sipas flamujve, uniformave dhe anëve ku i kanë vendosur ngjarjet. Por jeta reale është më e ndërlikuar. Ka takime të papritura, miqësi që lindin pa leje, ndjenja që nuk u binden kufijve dhe familje, që formohen aty ku askush nuk e parashikon. Eftimia u dashurua me italianin, që familja e kishte strehuar. Dashuria e tyre u bë pjesë e jetës së përditshme, e asaj jete që nuk pyet për kombësi, kur dy njerëz vendosin të ndërtojnë së bashku të ardhmen. Në vitin 1947-të në Durrës u lind Xhorxhi. Dy vjet më vonë, familja u kthye në Itali, në kuadrin e riatdhesimit të italianëve që ndodheshin ende në Shqipëri. Mund të dukej si kthim i zakonshëm në vendin e origjinës. Një baba, po merrte me vete bashkëshorten dhe djalin. Por në të vërtetë, familja po futej në udhëkryq, pasojat e të cilit do t'i ndiqnin fëmijët.

Pas këtij rikthimi, qëndronte një e vërtetë e ndërlikuar e jetës së Nikola Xhuzepe Rubelino-s. Kishte pasur më parë një martesë në Itali dhe dy fëmijë nga ajo lidhje, rrethanë që Eftimia nuk e kishte njohur në kohën kur u lidh me të. Pengesat juridike dhe familjare, e bënin të vështirë rregullimin e gjendjes martesore.  Në historinë e Xhorxhit dhe Roberto-s, ka një veçanti, që e bën edhe më të prekshme lidhjen me dy vendet. Xhorxhi lindi në Durrës. Roberto lindi në Itali në vitin 1950, në Santeramo in Colle, në provincën e Barit. Të dy ishin djemtë e së njëjtës nënë shqiptare dhe të të njëjtit baba italian.

Në fillimet e jetës, gjeografia nisi të luante rol të madh në mënyrën, se si do të formohej kujtesa e tyre. Xhorxhi e njohu Shqipërinë që në lindje. Roberto erdhi në jetë në Itali, në mjedis tjetër, mes njerëzve dhe peizazheve të vendit të të atit. Babai ishte nga Cersosimo, fshat i vogël në Bazilikatë, në jug të Italisë, në hapësirë ku gjenden edhe komunitete arbëreshe. Këto dy vende lindjeje, nuk do të mbeteshin vetëm shënime në dokumente. Do të bëheshin dy pika të një harte shpirtërore, të cilën secili prej tyre do të përpiqej ta kuptonte gjatë jetës.

Familja jetoi në Itali pas largimit nga Shqipëria. Xhorxhi në  Salerno, kreu klasat e para të shkollës. Ishte fëmijë i vogël, në mjedis që do të mund të bëhej vendi i natyrshëm i rritjes, sikur jeta të mos merrte kthesë tjetër. Në vitin 1956-të, Eftimia vendosi të kthehej në Durrës, për të takuar familjarët e saj. Babai Filip Naçi nuk jetonte. Nëna dhe familja e mbetur në Shqipëri, ishin pjesë e një malli që nuk mund të shuhej nga largësia.

Eftimia mori rrugën drejt Atdheut me dy djemtë e vegjël, duke udhëtuar me një anije tregtare italiane. Ishte udhëtim që ajo e mendonte si vizitë, si kthim të përkohshëm tek të afërmit. Por kur mbërritën në Shqipëri, gjërat morën drejtim krejt tjetër. Atyre iu bë e ditur nga autoritetet e kohës, se nuk do të lejoheshin të ktheheshin në Itali. Këtu historia familjare, kalon në përmasat e dramës. Një nënë që kishte dashur të takonte familjen e vet mbeti në Shqipëri me dy fëmijët, ndërsa babai ndodhej në Itali. Largësia nuk ishte më vetëm çështje kilometrash. U bë pengesë e vendosur nga rrethanat dhe nga sistemi i kohës.

Familja e Eftimisë ishte në vështirësi ekonomike. Nuk mund t'i rriste e vetme të dy djemtë. Për këtë arsye, Xhorxhi dhe Roberto u vendosën në shtëpitë e fëmijës, ku do të rriteshin dhe do të ndiqnin shkollimin. Mund të përfytyrojmë  dy fëmijë, që mësojnë të jetojnë pa praninë e përditshme të babait, me nënë që përpiqet të përballojë vështirësitë e jetës dhe me të ardhme, që nuk e kanë në dorë. Mund të përfytyrojmë pyetjet që lindin në heshtjen e mbrëmjeve, mallin për njerëzit që mungojnë dhe dëshirën për të ditur se nga vjen familja e tyre.

Një baba përtej detit me dy familje të ndara

Kur Xhorxhi ishte në klasën e gjashtë, në shtëpinë e fëmijës në Durrës, mësuesi kujdestar Nevzat Ademi, i bëri të ditur se babai i tyre ndodhej në Itali. Deri atëherë, Xhorxhi dhe Roberto ishin rritur me bindjen, se ai nuk jetonte. Ky informacion i hapi dritare të kaluarës. Pas asaj dritareje, qëndronte familje tjetër. Kishte vëllezër e motra nga ana e babait, të afërm që ata nuk i njihnin, fshat ku rrënjët e Nikola Xhuzepe Rubelinos, ishin ende të gjalla dhe një histori e ndërprerë që priste të rindërtohej.

Por kur nisi kërkimi, doli se koha kishte qenë e pamëshirshme. Babai kishte humbur jetën në një aksident hekurrudhor në vitin 1981, në moshën 72 vjeçare, pa mundur të takohej përsëri me djemtë. Mund të imagjinohet dhimbja e një lajmi të tillë. Për vite me radhë, ata kishin jetuar pa e ditur të vërtetën e plotë. Kur më në fund u krijua mundësia për të gjetur familjen atërore, njeriu që i lidhte drejtpërdrejt me atë histori nuk ishte më gjallë.

Nëpërmjet të afërmve dhe letrave, Xhorxhi e Roberto nisën të komunikonin me familjen e babait. Rreth vitit 1985 u vendosën kontaktet, që u mundësuan të njihnin vëllezërit e motrat nga ajo anë e familjes. Ishte zbulim i madh, por edhe takim me mungesën. Mund të shihnin fytyra të reja, të dëgjonin kujtime dhe të njihnin historinë e babait përmes njerëzve, që e kishin pasur pranë. Por nuk mund ta kthenin kohën pas, për t'i bërë pyetjet që kishin mbetur pa përgjigje.

Nikola Xhuzepe Rubelino dëshironte të vinte në Durrës, por nuk kishte arritur të merrte vizën. Më pas humbja aksidentale, e mbylli mundësinë e një takimi që kishte mbetur pezull për shumë vite. Të afërmit u treguan djemve, se i kishte kujtuar deri në fund. Halla Anxhelina, e cila jetonte në Itali, luajti rol të rëndësishëm në lidhjen e familjes. Dëshironte t'i takonte dhe i ftoi të shkonin në Itali.

Por mes dëshirës për t'u bashkuar dhe mundësisë për ta bërë këtë, qëndronin pengesa të tjera. Në vitin 1987, Roberto iu drejtua ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme Hekuran Isait, duke kërkuar mundësinë për të shkuar në Itali e për të takuar të afërmit. Pas kësaj u dha leja që udhëtimi të bëhej. Pas shumë vitesh pritjeje, nisi realizimi i një dëshire, që për ta kishte marrë përmasat e ëndrrës.

Ka udhëtime që fillojnë në një port, por përfundojnë në thellësi të shpirtit. Për Roberto-n, udhëtimi drejt Italisë nuk ishte vetëm vizitë jashtë shtetit. Ishte kthimi në vendin ku kishte lindur, në hapësirën e origjinës së babait, për të njohur njerëzit që për shumë vite i kishte pasur vetëm si emra në letra dhe si pjesë të një historie të paplotë. Në Brindizi e priti Roberto, nga vëllezërit e tij nga ana e babait. Më pas, Xhorxhi u bashkua me të dhe të dy u takuan me familjarët në zonën e Potencës.

Përfytyrojeni këtë çast. Dy burra të rritur, me jetë të tërë pas krahëve, që takojnë vëllezërit dhe motrat e tyre. Nuk ishin më fëmijët, që kërkonin të dinin ku ndodhej babai. Ishin njerëz që kishin përfunduar shkollat, kishin punuar, kishin krijuar familje dhe kishin përballuar vështirësitë e jetës. Tashmë përpara, hapej një familje e re e cila në të vërtetë, kishte qenë gjithmonë pjesë e gjakut të tyre.

Takimi nuk mund të zhbënte vitet e humbura. Nuk mund t'u kthente fëmijërinë dhe as praninë e babait. Por mund t'u jepte diçka të rëndësishme. Mund t’u jepte të drejtën, për ta njohur të vërtetën e prejardhjes dhe për ta rindërtuar lidhjen me njerëzit e gjakut. Xhorxhi dhe Roberto, qëndruan për një periudhë të shkurtër tek afërmit dhe u kthyen përsëri në Durrës. Italia nuk ishte më emër i largët. Ishte bërë vend konkret, me fytyra, me shtëpi, me kujtime dhe me mundësi të reja.

Në vitin 1990, Roberto u riatdhesua në Itali, ndërsa Xhorxhi u bashkua më vonë me familjen e tij. Vitet 1990 dhe 1991 është periudha e vendosjes përfundimtare në Itali. Kështu, pas shumë dekadash, dy vëllezërit dhe familjet e tyre nisën kapitull të ri në vendin e babait. Por kthimi, nuk do të thoshte se gjithçka ishte zgjidhur. Ata duhej të nisnin nga e para, të gjenin punë, të përshtateshin me një shoqëri tjetër dhe të ndërtonin jetën në mjedis, që pavarësisht lidhjeve të gjakut, nuk ishte më ai i fëmijërisë.

Në Cersosimo dhe në zonat përreth, jetonin të afërmit e babait. Ishte mundësi për të njohur rrënjët, por jo domosdoshmërisht për të gjetur perspektivën që kërkonin. Për këtë arsye, e ardhmja mori drejtimin e veriut të Italisë, drejt Astit, qytetit që do të bëhej shtëpia e tyre e re.

Xhorxhi dhe Roberto, dy jetë pune dhe krenari e përbashkët

Për të kuptuar karakterin e dy vëllezërve, nuk mjafton të njohësh historinë e ndarjes. Duhet të njohësh edhe atë që bënë, pasi jeta u dha mundësinë të ndërtonin një të ardhme. Të dy e morën seriozisht shkollimin. Të dy punuan. Të dy krijuan familje dhe u përpoqën të ndërtonin jetë të qëndrueshme, pavarësisht se rruga nuk ishte e lehtë. Roberto përfundoi shkollën teknologjike në Tiranë. Më pas punoi në industrinë e frigoriferëve dhe në ndërmarrjen e gomës në Durrës, duke fituar përvojë profesionale si teknolog dhe inxhinier kimist. Njohu nga afër jetën e punës industriale shqiptare, me ritmin, vështirësitë dhe kërkesat e saj.

Xhorxhi ndoqi tjetër rrugë. Përfundoi Teknikumin e Ndërtimit. Punoi disa vite në ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Dëshira për të vazhduar studimet e larta nuk iu shua. Pas përpjekjeve dhe vështirësive, arriti të studiojë arkitekturë. Xhorxhi u emërua në institucione dhe sektorë, ku puna nuk përputhej plotësisht me formimin profesional. U angazhua me planifikimin dhe kontrollin e investimeve në industrinë e rëndë dhe në sektorin minerar, ndërsa ëndrra për të punuar në zyrën e projektimit të qytetit ku kishte lindur, mbeti e parealizuar.

Këtu gjendet nga dimensionet më njerëzore të kësaj historie. Pas gjithë atyre viteve ndarjeje, pas kërkimit të babait dhe të familjes së humbur, të dy vëllezërit arritën të krijonin shtëpitë e tyre. Nuk mbetën pengje të së kaluarës. E mbajtën kujtesën, por nuk lejuan që ajo t'ua merrte të ardhmen. Familja për ta, nuk ishte vetëm ajo që kishin humbur, por edhe ajo që ndërtua. Asti u bë vendi, ku dy vëllezërit Rubelino vendosën të qendronin. Qytet në veri të Italisë, pranë Torinos, larg detit të Durrësit, por jo aq larg kujtimeve, që ata kishin sjellë me vete.

Në Asti jeta nisi me punë dhe përpjekje. Xhorxhi dhe Roberto punuan në industri, në fabrika të njohura deri në pension. Luçiana, e shoqja e Xhorxhit punoi në sektorin teknik të një fabrike, ndërsa Elsa bashkshortja e Robertit me profesion dentiste, në administratën e shërbimeve të provincës. Jeta në Itali, nuk u kufizua vetëm tek puna dhe familja. Ata u angazhuan në organizimin e komunitetit dhe në mbrojtjen e të drejtave të njerëzve, që kishin përjetuar rrethana të ngjashme me të tyret.

Për Xhorxhin ky angazhim, u bë pjesë e rëndësishme e jetës publike. U përfshi në veprimtarinë e organizatës së qytetarëve italianë të riatdhesuar nga Shqipëria, të njohur me shkurtesën ANCIFRA. Nëpërmjet kësaj veprimtarie, punon për të ndihmuar familjet që kërkonin, njohjen e viteve të punës së kryer në Shqipëri dhe të drejtave të pensionit në Itali. Xhorxhi e njeh këtë botë jo vetëm nga dokumentet, por edhe nga përvoja personale. E dinte çfarë do të thoshte të përballeshe me administratën, të kërkoje të drejtën dhe të mos merrje gjithmonë përgjigjen që prisje.

Me Lucianën Xhorxhi ka dy fëmijë, Arbërën dhe Audoleonin. Arbëra ndoqi rrugën e saj profesionale, por muzika mbeti pjesë e rëndësishme e jetës. E nisi violinën në moshën gjashtëvjeçare në Tiranë, përfundoi formimin muzikor në Itali dhe u mor me violinë e violë, duke bashkëpunuar me orkestra të ndryshme. Arbëra u përfshi edhe në mësimdhënien e violinës për fëmijët shqiptarë të shkollës “Margarita Xhepa”, të lidhur me shoqatën “Asso Albania” në Asti. Shkolla “Margarita Xhepa” bëhet kështu më shumë se një vend, ku fëmijët mësojnë shqipen. Ajo është hapësirë ku ruhet pjesë e identitetit shqiptar dhe brezat e rinj mund të njihen me gjuhën, kulturën dhe traditat e familjeve të tyre. Audoleoni përfundoi studimet në elektroteknikë dhe më pas një cikël trevjeçar në arkitekturë. Ndërtoi jetën profesionale dhe familjare në Itali.

Djali i Roberto-s, Roeli, punon si elektriçist dhe ka krijuar familjen me Ala Shulminën, me origjinë nga Moska. Kanë tre fëmijë, mes tyre dy vajza binjake. Vajza e Roberto-s, Livia, punon siçiliane. Kanë dy djem. Këto të dhëna tregojnë, se jeta vazhdoi përtej dramës së brezit të parë. Fëmijët u rritën, u shkolluan, krijuan familje dhe sollën në jetë nipër e mbesa.

Dy vëllezërit që dikur kishin kërkuar të dinin ku ishte babai, tani mund të shihnin familjet e tyre të zgjeruara. Në vend të mungesës së dikurshme, jeta u kishte dhënë rrjet të ri lidhjesh njerëzore. Kjo mbetet nga arritjet më të mëdha të historisë së tyre. Jo fshirje e së kaluarës, por ndërtimi i një të ardhmeje, që nuk përsërit të njëjtën vetmi.

Xhorxhi titullin “Cavaliere” dhe qytetar nderi i Astit

Profesioni të jep mundësinë të ndërtosh jetën, të sigurosh familjen dhe të zhvillosh aftësitë. Qytetaria të kërkon të shohësh përtej vetes, të kuptosh vështirësitë e të tjerëve dhe të mos qëndrosh indiferent, kur një problem mund të zgjidhet me angazhimin tënd. Në historinë e Xhorxhi Rubelino-s, ky dallim shfaqet qartë në veprimtarinë për të drejtat e qytetarëve të riatdhesuar dhe të emigrantëve shqiptarë. Kur arriti në Itali, mund të ishte përqendruar vetëm tek puna dhe familja e vet. Por zgjodhi të angazhohej edhe për të tjerët.

 Përpjekjet në organizatat e qytetarëve italianë të riatdhesuar nga Shqipëria dhe në çështjet e sigurimeve shoqërore, tregojnë mënyrë konkrete të të kuptuarit të qytetarisë. Nuk bëhet fjalë për fjalime të mëdha, por për dokumente, kërkesa, takime dhe këmbëngulje për të arritur ndryshime që do t'u shërbenin njerëzve.

Xhorxhi është aktiv në Asti dhe në përditshmërinë italiane. Është nderuar nga presidenti i Italisë  Napolitano me titullin “Cavaliere” dhe është  bërë “Qytetar Nderi” i Astit. Titujt kanë vlerën e tyre. Por përtej titujve, qëndron puna e kryer dhe dobia që u sjell të tjerëve. Edhe Roberto, me jetën profesionale, me familjen dhe me lidhjen e vazhdueshme me Shqipërinë, përfaqëson këto përpjekje. Janë forma qytetarie që meritojnë të tregohen.

Eftimia, gruaja që mbajti gjallë lidhjen me Durrësin

Në çdo histori familjare, ka një figurë që i mban fijet e rrëfimit edhe kur ngjarjet i shpërndajnë njerëzit në drejtime të ndryshme. Në historinë e Rubelino-ve, kjo figurë është Eftimi Naçi. Vajza e Filipit dhe e Theodhorës, grua durrsake që krijoi familje me një italian, në një kohë kur rrethanat historike nuk premtonin jetë të lehtë për lidhje të tilla. Lindi fëmijët, jetoi me ta në Itali dhe më pas u kthye në Shqipëri për të takuar familjarët.

Nuk mund ta dimë të gjithë botën e brendshme të Eftimisë. Nuk i kemi të gjitha fjalët që ka thënë, të gjitha shqetësimet që ka përjetuar, apo të gjitha arsyet që e çuan drejt vendimit për t'u kthyer. Por pasojat e atij vendimi, janë të dokumentuara në jetën e djemve të saj. Mbeti në Shqipëri dhe u përball me vështirësi ekonomike. Dy fëmijët u rritën në shtëpitë e fëmijës, ndërsa lidhja me bashkshortin u ndërpre përfundimisht.

Megjithatë, jeta e saj nuk mund të përmblidhet vetëm në këtë dramë. Eftimia jetoi deri në moshën 95-së vjeçare. Jetoi pas rikthimit në Itali me djalin e madh Xhorxhin. Pavarësisht largësive dhe kthesave të jetës, lidhja nënë e bir vazhdoi të kishte vend të pazëvendësueshëm. Në kujtimet e djemve, Eftimia është ura që i lidh me familjen Naçi, me Durrësin dhe me Shqipërinë. Nëpërmjet saj, ata kanë histori që nuk fillon në Itali dhe nuk mbaron në Asti. Është histori që nis në një familje durrsake, kalon përmes detit dhe kthehet përsëri tek rrënjët. Ajo është gjithashtu kujtesë, se pas historive të mëdha familjare dhe shoqërore, qëndrojnë gra që përballojnë pasojat e vendimeve historike, pa pasur mundësinë të ndikojnë mbi to.

Eftimia nuk mund t'i ndryshonte kufijtë, ligjet dhe vendimet e shtetit. Por ajo mbeti në qendër të historisë së dy djemve, që në fund, arritën të njihnin të dy anët e prejardhjes së tyre. Nuk është vetëm personazhi, që e nis rrëfimin. Është nga arsyet, pse ky rrëfim vazhdon të ketë jetë.

Deti nuk i ktheu vitet, por koha nuk ua fshiu rrënjët

Xhorxhi dhe Roberto Rubelino, kanë ndërtuar jetët e tyre në Asti. Kanë familjet, fëmijët, nipërit e mbesat, kujtimet e punës dhe veprimtaritë e tyre. Kanë kaluar moshën, kur njeriu mendon se gjithçka nis nga e para. Tani mund të shohin prapa dhe të kuptojnë, se çfarë rruge kanë përshkuar. Përfundimet e jetës, nuk janë gjithmonë përfundime të historisë. Mbi të gjitha, historia vazhdon në Durrës. Qyteti ku lindi Xhorxhi. Qyteti ku u kthye Eftimia. Qyteti ku dy djemtë u rritën, u shkolluan dhe mësuan të përballonin jetën. Qyteti që mbeti pjesë e kujtesës edhe pasi u vendosën në Itali.

Durrësi ka shumë histori të tilla për të treguar. Histori njerëzish që kanë kaluar përmes detit, që janë larguar dhe janë kthyer, që kanë humbur lidhje dhe i kanë rindërtuar, që kanë jetuar në dy kultura dhe kanë gjetur mënyrën për t'i bërë pjesë të një jete të vetme. Historia e Xhorxhit dhe Roberto-s na mëson, se një qytet nuk është vetëm territori ku jetojnë banorët e tij. Është edhe kujtesa që ata mbartin, dashuria që ruajnë dhe lidhjet, që nuk i shkëputin as kur largësia bëhet e madhe.

Nuk mund t'i kthejmë vitet e humbura. Nuk mund t'i japim Xhorxhit dhe Roberto-s fëmijërinë, që nuk e jetuan pranë babait. Nuk mund t'i zhbëjmë pengesat, që u dolën përpara. Por mund të bëjmë diçka tjetër. Ta ruajmë historinë e tyre, ta tregojmë me krenari dhe t'ua përcjellim brezave që vijnë. Kujtesa nuk e ndryshon të kaluarën, por mund t'i japë kuptim.  

Xhorxhi dhe Roberto Rubelino, nuk janë vetëm dy vëllezër me histori të pazakontë familjare. Janë dëshmi, se jeta mund të të ndajë nga vendi ku ke lindur, nga njerëzit që do dhe nga një pjesë e së vërtetës tënde, por nuk mund të të ndalojë përgjithmonë të kërkosh, të ndërtosh dhe të japësh. Njeriu nuk përcaktohet vetëm nga vendi ku jeton. Përcaktohet edhe nga ajo që nuk harron.

Dhe dy vëllezërit, nuk e harruan Durrësin. Nuk e harruan nënën shqiptare, familjen Naçi dhe vitet që kaluan në Shqipëri. Nuk e mohuan Italinë, vendin e babait dhe të familjes, që arritën ta njihnin pas pritjeje të gjatë. I mbajtën të dyja në jetën e tyre, duke dëshmuar se dashuria për një atdhe, nuk ka nevojë të shndërrohet në mohim të tjetrit.

Dhe kur një histori e tillë nis në Durrës, kalon përmes Italisë dhe kthehet në dobi të njerëzve, nuk është më vetëm histori e një familjeje. Bëhet pjesë e kujtesës së përbashkët.


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page