top of page

Bujar Qesja: Bëmë një foto si kujtim

  • 2 hours ago
  • 3 min read

Rrethim vjenezo amerikan i konakut

 

Nga Bujar Qesja

 

Malli për qytetin mbetet si një det i brendshëm që i thërret vazhdimisht drejt vendlindjes. Kështu ndodhi edhe në konakun tim të mikpritjes durrsake, ku u takuan tre durrsakë që jetojnë larg Shqipërisë, por që zemrën e kanë lënë këtu. Edmond Miha nga Viena aristokrate dhe çifti fisnik Qamile e Ragip Suka nga Atlantik Siti i Amerikës, erdhën të përqafojnë kujtimet, miqtë dhe Durrësin e tyre të dashur. Nuk ishte thjeshtë një vizitë miqësore. Ishte një takim malli, emocionesh dhe respekti njerëzor. Një rikthim shpirtëror pranë qytetit që vazhdon të jetojë brenda tyre, pavarësisht largësive dhe viteve.

Bëmë një foto si kujtim, në konakun tim të mikpritjes durrsake. Tre durrsakë që jetojnë në botë. Është Edmond Miha dhe çifti Qamile dhe Ragip Suka. Edmondi prej vitesh jeton në kryeqytetin austriak Vienë, ndërsa çifti Qamile dhe Ragip Suka jetojnë në qytetin Atlantik Siti, në shtetin amerikan të Nju Xhersit. Gruaja e Ragipit është Xhemilia me mbiemrin e vajzërisë Nazifi. Kanë tre djem, ndërsa Mondi djalë e vajzë që punojnë e jetojnë në Hollandë. U takuan në konakun tim. Puthën mallin, por Miha bën edhe një veprim prekës dhe shpirtëror:

-Më trego ballin Bujar, këtu meriton të të puth, për atë që po bën për Durrësin dhe durrsakët, por edhe për atë profil që shkruajte i cili mbetet testament i jetës time.

Edmond Miha mbetet trajneri më modern i futbollit durrsak, me koncepte dhe praktika të avancuara të futbollit të kohës. Ka meritën e jashtëzakonshme që në fillim të viteve ’90-të i ktheu “Teutës” fytyrën e një ekipi cilësor, me pretendime të mëdha, duke krijuar bazat e skuadrës, që fitoi për herë të parë në histori titullin kampion në prillin e vitit 1994.

Për të qenë korrekt, trajner i “Teutës” kampione ishte Haxhi Ballgjini, i cili zëvendësoi për pak muaj Edmond Mihan, pasi ky iu bashkëngjit futbollit maqedonas, duke lënë edhe atje gjurmë të shkëlqyera. Me “Shkëndijën” e Tetovës arriti sukses të madh, duke e nxjerrë ekipin nga kategoria e dytë në elitën e futbollit maqedonas. Më pas punoi me ekipet e moshave në disa kategori të futbollit austriak.

Në pamje, nga e djathta: Ragip Suka, Xhemaile Nazifi, Edmond Miha dhe Bujar Qesja.
Në pamje, nga e djathta: Ragip Suka, Xhemaile Nazifi, Edmond Miha dhe Bujar Qesja.

Mond Miha do të mbahet mend, jo vetëm si një nga themeluesit e Klubit të Futbollit “Teuta”, së bashku me Bashkim Kokën, Stavri Nicën dhe gazetarin Bujar Qesja në shtator 5të vitit 1992, por edhe si frymëzuesi dhe krijuesi i një fryme moderne të një brezi të artë futbollistësh që bënë histori.

Arsyeja pse erdhi në Durrës ishte prekëse. Solli eshtrat e babait, oficerit model dhe sportdashësit të madh Vasil Miha, për t’u prehur përgjithmonë pranë bashkëshortes së tij Roksana. Vasili u nda nga jeta para katër vitesh në Athinë dhe tani prehet në Durrësin e tij.

Duke shfrytëzuar këtë rast, Edmondi erdhi dhe takoi mikun e hershëm, gazetarin që e ndoqi “Teutën” brenda dhe jashtë atdheut dhe që së bashku, i dhanë një shtytje cilësore futbollit durrsak të atyre viteve.

Ragip Suka, volejbollist i “Lokomotivës” së viteve ’70-të, mbetet shumë i djegur nga malli për Durrësin, i etur për të mësuar gjithçka për durrsakët dhe simpatizant i shkrimeve të mia për qytetin e lindjes. Çifti Suka më sollën disa relike dhe suvenire nga Nju Xhersi. Kaluam mbi një orë në miqësi dhe në kujtimet që na lidhin me këtë qytet.

Erdhi në vendlindje prej disa ditësh dhe përgatitet të rikthehet drejt Amerikës së largët, por shumë të shtrenjtë për jetën dhe katandinë e tij.

Kur u ndamë, mbeti ajo heshtja e bukur që lënë pas takimet e vërteta njerëzore. Dukej sikur në konak kishin mbetur ende zërat, kujtimet dhe emocionet e tyre. Viena dhe Amerika u larguan përsëri fizikisht, por Durrësi i mbajti pranë, ashtu siç di të mbajë gjithmonë bijtë e vet.

Mendova gjatë se sa e çuditshme është jeta. Njeriu mund të ndërtojë shtëpi në botë, mund të krijojë familje, emër dhe mirëqenie larg vendlindjes, por zemra gjithmonë kërkon rrugën për t’u kthyer aty ku ka nisur gjithçka. Edmond Miha, Qamile dhe Ragip Suka, nuk sollën vetëm mallin e tyre. Ata sollën edhe dëshminë më të bukur, se Durrësi jeton brenda njerëzve të vet, kudo ku ndodhen. Dhe kjo është pasuria më e madhe e një qyteti, dashuria që bijtë e tij nuk reshtin kurrë së mbarturi.

Prandaj, ai “rrethim vjenezo-amerikan” i konakut tim nuk ishte vetëm një vizitë. Ishte edhe një përqafim i madh i Durrësit me bijtë e vet.

Bujar Qesja

Durrës: 29 maj 2026


 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page