Branko Popa: Kur fotografia e Hasan Sadikut, zbardh 80 vite jetë

Shkruar nga Branko Popa, ish-mësues
Fotografia ime e shkrepur para 80 vitesh, mbetet një kujtim i rrallë dhe i çmuar i jetës sime. Ajo është shkrepur në vitet 1946–1947, nga aparati fotografik i fotografit Crni Hasan (Hasan Sadiku), i vjetri, nga fshati Trebisht-Çelebi. Për të ruaj një respekt të veçantë. Puna e tij ka mbetur në kujtesën e shumë njerëzve dhe fotografitë e tij sot janë më shumë se imazhe: janë dëshmi të një kohe që nuk kthehet më. U prehtë në paqe! Në atë fotografi jam ulur mbi një poltron, apo më mirë mbi atë që mund ta quajmë një ndenjëse të punuar me dorë. Atë e kishte gdhendur im atë, Nikolla Popa, për fëmijën e tij të madh. E kishte punuar drurin me sëpatë, pastaj me zdrukth dhe e kishte kthyer në një dhuratë që, për atë kohë, nuk kishte çmim.
Babai im ishte një njeri i jashtëzakonshëm i duarve dhe i punës. Ishte politeknik në kuptimin më të plotë të fjalës. Punonte drurin, por edhe metalin. Bënte soba, shporete, govata e enë prej teneqeje; përgatiste vegla të ndryshme bujqësore, parmenda e lesa, madje edhe makina të vogla pune. Kishte ndërtuar një makinë për mbjelljen e misrit me fole katrore, një tjetër që vihej në lëvizje me këmbë për të tjerrë leshin, si dhe centrifugë prej dërrase për skërmitjen e qumështit.
Por duart e tij nuk njihnin vetëm drurin dhe metalin. Babai im ishte edhe një rrobaqepës i shkëlqyer. Kishte një makinë qepëse Singer, të cilën e kishte përshtatur vetë që të punonte me këmbë. Përveç nevojave të familjes, qepte edhe për fshatarët, deri edhe këmisha për dhëndurë.
Edhe mua më hyri në qejf ajo makinë qepëse. Fillova të qepja që rreth moshës dhjetëvjeçare, sidomos kur babai nuk ishte në shtëpi. Por ndonjëherë ndodhte edhe ndonjë fatkeqësi e vogël: e vija makinën mbrapsht dhe thyeja gjilpërën. Atëherë më kapte ankthi: Çfarë do të bëj kur të vijë babai?

Por kisha një mbrojtje të madhe: nënën time të dashur, Bosilkën. Emër i bukur, si një lule borziloku. Ajo ishte nikoqire, e dashur dhe me një fjalë gjithmonë të ëmbël në gojë. Edhe kur babai më gjente fajtorin, nëna ndërhynte: - Babesti, e ka thyer. Ka gabuar. Mos ma akuzo çunin!
Dhe kështu shpëtoja nga ndonjë qortim më i madh.
Nënë e dashur, prehu në paqe. Je në zemrën time për jetë të jetës. Zëri yt, ngrohtësia jote dhe kujdesi yt për ne nuk janë tretur me kohën. Ato vazhdojnë të jetojnë në kujtesën time. Fëmijët që rrite, edukove dhe mbushe me dashuri, të kujtojnë gjithmonë me dashuri dhe respekt.
Eh, dy prindër të shkëlqyer: Bosilka dhe Nikolla! Ju kujtojmë me shumë dashuri e respekt. Ju nuk keni vdekur. Jetoni në raftet e kujtesës sonë, por mbi të gjitha në zemrat tona. Dua të hap këtu edhe një parantezë për atë makinë qepëse. Me të nuk u qepën vetëm rroba. Me të u rritën fëmijët.
Në atë kohë kishte vështirësi të mëdha për veshmbathje. Rrobat duhej të ruheshin, të përshtateshin, të kalonin nga njëri fëmijë te tjetri. Me atë makinë modifikoja rrobat e fëmijës së madh për më të voglin; qepja, arnoja dhe bëja tegelat e pantallonave të mia dhe të fëmijëve.
Kështu, një makinë qepëse u bë pjesë e jetës së familjes sonë.
Pas shpërnguljes nga fshati, më 8 nëntor 1996, shumë prej atyre veglave i mora me vete në Tiranë. I kam ende si kujtime nga duart e arta të babait tim: makinën qepëse, trapanin që punonte me dorë, zdrukthin, planjën, çekicin, sëpatën, nivelet, plumbçen dhe shumë sende të tjera. Secila prej tyre ka historinë e vet. Por, mbi të gjitha, ruaj një kujtim tjetër: armën e gjahut të babait, sepse ai ishte edhe një gjahtar i apasionuar, një gjahtar i shkëlqyer.
Sot, kur shoh atë fotografi të vjetër të vitit 1946–1947, nuk shoh vetëm një fëmijë që qëndron para aparatit të Crni Hasanit. Shoh një botë të tërë. Shoh babanë tim mbi drurin, metalin dhe makinën qepëse. Shoh nënën time pas fjalës së ëmbël që më mbronte. Shoh shtëpinë, fshatin, veglat, duart e punës dhe një kohë kur një dhuratë e gdhendur me sëpatë mund të kishte më shumë vlerë se çdo pasuri. Dhe kuptoj se fotografia nuk e ka ndalur vetëm një çast. Ajo ka ruajtur tetëdhjetë vite jetë. Një fotografi e vogël, por një jetë e madhe brenda saj. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!








Comments