Botohet në Greqi romani “Vajzat e mjegullës” i shkrimtarit Namik Dokle
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 22
- 1 min read

Botuesja Mary Thermioti e shtëpisë botuese BY THE BOOK në Athinë, njofton botimin e romanit “ Vajzat e mjegullës” të autorit Namik Dokle. “Jemi të kënaqur, shkruan ajo, për bashkëpunimin me shkrimtarin e talentuar shqiptar Namik Dokle për botimin e librit të tij. “Vajzat e mjegullës” është një roman që tashmë ka fituar një audiencë të gjërë pas tre botimeve në Tiranë dhe përkthimeve në Angli, Spanjë, Turqi, Bullgari dhe Bosnje.” Duke u ndalur në përmbajtjen e librit, botuesja Mary Thermioti shkruan: “ Në fund të botës ose në mes të askundit, është një fshat i vogël, Bukojna, një vendbanim në Gorën shqiptare, ku burrat thinjen që në fëmijëri dhe shikojnë më mirë natën se ditën, ku dielli lind dy herë në ditë dhe hëna shfaqet dy herë natën.

Në këtë botë të vogël, ku kanë nisur të zbatohen dhe të lëshojnë rrënjë rregullat e reja, të imponuara nga shteti komunist i viteve pesëdhjetë, ngjarjet zhvillohen nën vështrimin kureshtar dhe naiv të një djali 12 vjeçar, i cili, me pafajsinë e vet, zbulon fajet e kësaj bote dhe të kohës së vet. Përpjekjet e dhunshme për të çrrënjosur identitetin kulturor dhe shpirtëror të njerëzve bëhen çdo ditë e më barbare, por njëherësh ndeshen edhe me rezistencën e banorëve të kësaj treve. Në këtë përplasje zhvillohet drama e këtij libri, të cilin nuk duhet ta humbisni.”

Libri gjendet në rrjetin e librarive “Nakas Book House” në Athinë, Patra, Janinë etj. dhe në librari të tjera të Greqisë.









Comments