BOSHNJAKJA


Thani Naqo

BOSHNJAKJA

tregim


-Çfarë halli ke o, i gjorë, - thotë me keqardhje boshnjakja Sabina sa hapi derën e apartamentit.

-Më doli një punë në Tennesse, – e gënjej, – por nuk kam para për benzinë.

-Sa mirë që t’u ringjall dëshira për punë, – shton ajo e më këqyr me dhembshuri. Habitem kur bën shenjë, me të dyja krahët, të hyj në apartamentin e saj; një gjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë. Pa kapërcyer ende pragun e derës dalloj dy kopsa të pa mbërthyera në rrobdeshambër. Shoh pulpat e gjunjët e bardha e kujtohem se sot është e diel dhe të dielat janë erotike.

-Më kish marrë malli për ty, - dëgjoj të thotë Sabina. Ëmbëlsia e zërit më siguron se sot ajo do më japë borxh edhe po t’i kërkoj një mijë dollarë. Kur Sabina bëri shenjën me të dyja krahët e shtoi edhe “bujrum”, pandeha se ajo do më gostiste me havllë, që e gatuante vetë për shpirt të njerëzve të saj të vdekur. Ose, ajo mezi priste të më tregonte për piramidat ilire, zbuluar

në Bosnjë e për varrin me treqind boshnjakë,

masakruar nga serbët. Mirëpo, nga buzëqeshja femërore, si dhe nga kopsat e pa mbërthyera, u binda se edhe për Sabinën kjo e dielë ishte ditë e shënuar dhe erotike.

-Për dhjetë minuta piqet byreku, – tha e u përkul të hapë trinën e stufës. Në hapësirën trekëndëshe, midis kofshëve e pulpave, shoh tepsinë me byrek. Aroma e gjalpit të skuqur më gudulis flegrat e goja më lëngëzohet. Sabina jep e mer me byrekun, rrotullon tepsinë, unë ndjehem i ndrojtur para saj. Ajo e di se, që kur më braktisi Suzi, u zhyta në krizë financiare, më kaploi dembelizmi dhe kotësia e jetës. Asaj do t’i kenë thënë se fle në makinë, tymos bishta cigaresh, mbledh hekurishte, ushqehem me mbeturina restorantesh dhe shuaj epshin me femrat e rrugës. Edhe tani, që ajo rrotullon tepsinë, me siguri mendon këto, që mendoj unë për veten time, dhe shkaku është pabesia e Suzit. Tërë ajo lumturi e krenari tremujore firoi shpejt e as e mora vesh si u zhyta në trishtim e pa shpresë. Sa herë rrëmoja nëpër kazanët e plehrave, për hekurishte e kanoçe, psherëtija dhe përsëritja shprehjen e time mëje:

“Mallkuar qofsh, moj, Zuskë Kapitaliste!”

Mirëpo, kur dëgjoj Sabinën të thotë për së dyti “më kish marë malli për ty,” m’u zgjua muza e aktorit:


-Që kur më braktisi Suzi nuk kam shkuar me femra të tjera, - por Sabina, pa kthyer kokën nga unë, përgjigjet:

-E di, je i sinqertë për gjëra të tjera, por, që nuk ke shkuar me femra, nuk e besoj.

Ashtu, përkulur lopthi, ajo rrotullon edhe njëherë tepsinë në furrën e stufës. Atë çast dëshiroj t’i them se femrat, kur duan të flladiten, nuk i mbërthejnë të gjitha kopsat dhe këmbët i mbajnë hapur.

Megjithëse lufta sërbo-boshnjake ka mbaruar njëzet vjet më parë, Sabina ende mban zi për prindërit e dy motrat e masakruara. Gjithnjë e kisha parë të veshur me fustane të gjata, ngjyrë gri, ose me pantallona, edhe ato grizo, por në gri të çelur. Edhe rrobdëshambri i sotëm është grizo. Që kur Suzi më tha “je çaplin i lindur dhe ky është mjerimi ynë”, fillova të përgjoj e vëzhgoj veten time. Tani jam ndërgjegjësuar plotësisht se mënyra si ec, si i lëviz duart, kokën, gjunjët, si hetoj Sabinën e orenditë e sallonit, është natyrshmëri çapliane, e trashëguar nga im gjysh, nga mamaja. Çaplian u ndjeva edhe në ëndërr, kur krasitja shkurret në oborrin e kishës protestante, por edhe kur rrotulloja pistoletën, si kauboj. Pikërisht, kur Sabina rrotullon tepsinë, u kujtova se pastori dhe Suzi më qenë dhimbsur e u pata thirrur në ëndërr:

“Hej, zbritni nga çatia, se do thyeni qafën!”

Hija e Çaplinit nuk më qe ndarë edhe kur u putha me Ketin dhe gjersa trokita në derën e apartamentit të Sabinës. Sabina mbyll kapakun e furrës, unë bindem se jam telepatik i lindur. Sa herë kujtoj telepatizmin më fanitet ime më. Kësaj here veshur me të zeza dhe më kërcënon me gisht që nga përtej oqeanit:

“Akoma nuk të është mbushur mendja, o bir, se Zuskës Kapitaliste nuk i besohet?!”

Mbi xhamin e dritares të kuzhinës së Sabinës, shoh një flutur ngjyrë gri. Krahët i ka të pikëluara me të zezë e nuk lëviz. Kjo flutur e ngordhur gri nuk ka të bëjë me njerëzit mi, - mendoj, por sërish më shqetëson pandehma se, gjersa unë mbërrita në apartamentin e Sabinës, mund të ketë vdekur gjyshi o gjyshja.

Heq syrin nga flutura e lajkatoj Sabinën:

-Ti je mikja ime, e shtrenjtë e zemërmadhe.

Atëherë ajo drejton trupin dhe kthehet nga unë. Për një sekondë i përskuqen pulpat, gusha e fytyra. Atëherë ndërmendem se Sabina më ish shfaqur në gjumë, para një a dy muajve, bëra seks me të, por nuk munda ta puth në buzë.

“Bëj çfarë të duash me mua, por mos u mundo të më puthësh, - kish thënë ajo dhe e pati mbuluar fytyrën me palat e fustanit. - Dhëmbët kanë filluar të më prishen e goja më mban erë si fasule të thartuara.”

Gjer pa më braktisur Suzi, Sabinën e takoja

zakonisht të premteve, tek sporteli i Bankës Amerika, ku ajo punonte kashiere dhe unë thyeja çekët e klientëve të mi. Edhe herën e fundit, në ato pak minuta, e përzjemë anglishten me fjalë të përbashkëta boshnjake, sërbe, shqiptare, e turke.

“Aman, në djall të venë dyzet mijë dollarët, shyqyr që shpëtove nga ajo, kurvica e tërrbuar,” - kish thënë Sabina nga përtej sportelit, pesë vjet më parë. Mirëpo, të njëjtën shprehje e përsërit edhe tani, pa përmendur dollarët e emrin e Suzit:

-Aman, shyqyr shpëtove nga ajo kurvica e tërrbuar.

Nuk përgjigjem dhe sytë e saj të mëdha e të kafejta më këqyrin më me dhembshuri se sa kur hapi derën. Edhe ngjyrën e flokëve e kemi njëlloj; të zeza korb, pavarësisht se të miat janë rralluar në çaçkë e në tëmtha kanë filluar të thinjen. Megjithëse nuk pëlqej të krahasoj diçka timen me të tjerëve, e kurrë ndonjëherë me seksin e kundërt, por ja sot, mbase nga që është ditë e shënuar për mua, dalloj se kam tipare të ngjashme me Sabinën. Për shembull hundën, buzët dhe nofullat e gjëra. Sabina pastron duart me pecetë të lagur, mua më lind dyshimi se ajo e ka kuptuar që fati im është në mëshirën e femrave. Më vjen t’i tregoj Sabinës të vërtetën e

t’ia bëj tragjike mesazhin e Suzit. Dua t’i them se nuk po shkoj në Tenessee për punë, por të takoj Suzin e ta bind që ajo të mos vrasë veten. Ajo është penduar që më braktisi e, në mos pranoftë të bashkëjetojë sërish mua, mjafton ta shikoj edhe njëherë, edhe sikur të mos m’i kthejë të gjitha, por një pjesë të kursimeve që më grabiti. Unë mendoj këto, Sabina më peshon me sy e më ndërmend zëri i saj:

-Lëkura të është zverdhur si e kinezëve. Nga pesha ke rënë njëzet kile. Tiparet të janë mprehur dhe mollëzat të kanë kërcyer si të armenëve e mongolëve. E mar me mend: fle ku të ze nata e ushqehesh keq. Më dhimbsesh sikur të kam byrazer. – Pasi u mëshon fjalëve “duhet të shkosh urgjentisht tek doktori,” kujtohet përse unë ndodhem në apartamentin e saj. Hap çantën e dorës e më pyet:

-Mjaftojnë njëqind?

-Që mos të mbetem në rrugë, bëji dyqind, - përgjigjem e pendohem në çast përse nuk i thashë “bëji treqind.” Sabina më lëshon në dorë dhjetë kartëmonedha njëzet dollarëshe dhe më vjen mirë kur gishtat e saj të buta e të bardha prekin pëllëmbën time. Pastaj, ajo mbledh grillën e dritares e tregon me dorë apartamentin përballë, ku unë e Suzi bashkëjetuam tre muaj. Ndërsa ajo mërmërit, në gjuhën boshnjake, unë kapa fjalët e përbotshme: “kurva, sida, ebola.” Pa m’i ndarë sytë ulet në kolltukun përballë. Lidh nën gushë cepat e shamisë të kokës, me të njëjtat lëvizje e përkujdesje si gratë e Ballkanit. Fytyra e rrumbullt, si luledielli, u kthye në vezake. Atëherë kujtohem se Sabina është dyzet vjeçe, njëlloj sa unë, ose pesë vjet më e madhe se Suzi. Rrathët e errëta qark syve tregojnë se është në periudhën e menstruacioneve. Sytë më shkojnë sërish mbi pulpat e gjunjët e saj, por ajo e ve re shikimin tim të paturpshëm, buzëqesh, si e zënë në faj, dhe i mbulon me cepat e rrobdëshambrit.

“Kapaku e gjeti tenxheren,” - më kishte thumbuar Sabina nga ballkoni i saj, mëngjesin e fundit kur Suzi më përcolli tek makina dhe ne u puthëm për herë të fundit.

“Unë jam kapaku, Suzi tenxherja,” – pyeta Sabinën më pas.

“Po,” – ish përgjigjur Sabina e më pati kthyer shpinën.

Por, edhe pa u pleksur me Suzin, Sabina ndonjëherë edhe nuk më përshëndeste, ose bënte sikur nuk më kish parë. Njëherë, kur ajo futi në llogarinë time çekun e Vusë, me pesë mijë dollarë, tregoi me dorë nga dritarja e bankës, ku dukej rimorkjoja e makina ime e mbushur me veglat e

mirëmbajtësit të oborreve dhe tha:

“Ti, preferon të të përvëlojë dielli e të ngjitesh në majë të pemëve e të luash me vdekjen, se sa të të urdhërojnë të tjerët. Sidoqoftë, byrazer, mua më vjen keq për ty. Djersën tënde e përpijnë kurvicat.”

Para se të njihesha me Suzin, Sabina më kishte parë kur hyja në apartamentin e mulates Kelly. Të gjitha këto më shkojnë ndër mend ndërsa mbulon pulpët e gjunjët me cepat e rrobdëshambrit. Megjithëse Sabina bën, të paktën, dymijë dollarë në muaj, vë re se televizori, kompjuteri e telefoni celular janë të markave të vjetra. Dalë boje janë edhe mobiljet e sallonit, tavolina e bukës e karrigia e vetme. Nuk kam nevojë të kthej kokën, mbasi, edhe në ballkon e di se është një karrige lëkundëse, prej thuprash. Atje ajo ende pi kafen, tradicionale turke dhe tymoste cigare Gamel.

“Femrat e shëmtuara i vret vetmia,” – thoshte Suzi dhe tregonte me dorë Sabinën që rinte në ballkon gjer pas mesnate, sidomos në netët me hënë të plotë. Ndërsa unë kujtoj këto, Sabina sqaron se virusi i ebolës shpërrthen për njëzet ditë. Pjesëtoj me mend një mijë e tetëqind ditët i braktisur nga Suzi, me njëzet ditët e shpërthimit të virusit të ebolës e them përmes të qeshurës:

-Që kur ja mbathi Suzi, do kisha vdekur nëntëdhjetë herë.

Sabina ngjesh pëllëmbën para gojës, që të mos ia shoh dhëmbët, gulshoi nga e qeshura, por humbi ekuilibrin. U mbështet me të dyja duar mbi tavolinë e tha me zë të lartë e kumbues:

-O Zot, erdhi dita të qesh edhe unë si femrat e tjera.

Pas dhjetë vjetëve njohje me të, kjo është hera e parë që e shoh të qeshë. Kjo e qeshur më duket femërore dhe nën robdeshambër i fërgëllon kurmi i ndezur nga erotizmi. Sabina ka gojë të madhe. Kur qeshi iu përveshën buzët e xixëlloi kapsja e nikeluar e protezës. Edhe dhëmbët, të poshtmet, janë të mëdha e në ngjyrën e lajthive kur formojnë kokrrën.

-E di pse po qesh, - pyeti.

-Sepse nuk vdiqa nga ebola, - u përgjigja.

-Jo, nuk ka të bëjë me virusin e ebolës. Mbrëmë të pashë në ëndërr, – tha e ndërpreu të qeshurën.

-Si ishte?

-Nuk ta tregoj.

-Tregoma.

-Kam turp.

-Nga ëndrrat nuk duhet patur turp.

-Është qesharake.

-Tregoje të qeshim të dy, - e nxita.

-Ti më ke parë ndonjëherë në ëndërr, – u bë kurreshtare ajo.

-Para një a dy muajve, por nuk ta tregoj.

-Pse?

-Zemërohesh e s’kam si vij të kërkoj para për së dyti.

-E mar me mend, - tha Sabina e u përkul vrulltas të shohë byrekun në stufë. Një kopsë e zezë, nga e rrobdëshambrit a, sytjenave, u rrokullis mbi pllakat e dyshemesë. Megjithëse jam i uritur, nuk e kuptoj pse nuk pres të piqet byreku, por them “nxitoj se jam për rrugë të largme” dhe i premtoj:

-Kur të kthehem nga Tennesse do darkojmë së bashku.

-Oh, sa mirë, - thirri Sabina e unë u habita me zërin e saj kristal. U kujtova sërish se sot është e diel dhe të dielat janë erotike. - Ka disa muaj që më ka shkrepur të jetoj amerikaneshe. Stili i jetës boshnjake m’u zvordh.

-Oh, sa mirë, - thirra. – Më së fundi erdhi çasti të porositësh krevat dopio, - shtova e u çova duke qeshur. Mirëpo, sa përmenda fjalën “krevat” ajo u purpurua sërish, si trendafil. Pa mbërritur ende tek dera dëgjoj të thotë me pëshpëritje, por me krenari të turpshme:

-Të siguroj se jam e virgjër.

-E mos jesh, nuk prish punë, - u përgjigja. Mora guxim e ndera dorën. E gudulisa Sabinën në gushë. Ajo u turpërua dhe uli kokën. Cepat e shamisë iu kryqëzuan para fytyrës. Atëherë e

shkuli shaminë nga koka dhe fshiu lotët me të. Flokët e zeza ia mbuluan supet. Pastaj mbylli sytë e buzëqeshi sikur atë çast po shikonte ëndrrën e shumëpritur.


17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif