top of page

BISTAK TË VYSHKUR ËNDRRASH




Koleksion poetik nga Kozma Gjergji



DRURËT


Ndërsa furtuna e dëborës

Pishat i shndërroi

Në vela të bardha

Në pyllë erdhën

Të gjithëfuqishmit, sharrëtarët.


Drurët që trimërisht qëndruan

Nuk më ngjajnë me ca njerëz

Duarngritur drejt qiellit

Tek rrëzohen me gjëmim

Në prehërin e tokës

Që i rriti.


Kjo kurrësesi nuk është rënie,

Drurët përsëri do të çohen

Në direkët e anijeve

Që ndërtuan detarët në Durrës,

Me tufanet

Do luftojnë dhe ecin

Duke ngritur lart në qiej

Krenarinë e tyre prej pishe.


(Nga cikli i botuar në revistën "Nëntori"1982)



NË VENDIN TIM


Në veri më vjen dëshira

Të lindem,

Në qendër më kap dëshira

Të rritem,

Në jug më zë dëshira

Të plakem,

Në…



NDOSHTA


Ndoshta pa terrin

Dritën

S'do e çmonim

Kaqë shumë.

Ndoshta pa të ftohtit

Zjarrin

S'do e donim

Kaqë fortë.

Ndoshta pa…



BISTAK TË VYSHKUR


Në dritaren

E zbukuruar

Me thupra hekuri

Si kafaz

Flladi tund

Bistak të vyshkur

Ëndrrash.



DIELLI


Iu vuri flakën

Xhamave

Të më dalësh

Një çast

Në dritare.



E DASHURA


Lodhjen

E rrugës së largët

E dashura

Ma hoqi shpejt

Si të fshinte

Pluhurin nga xhamat.



NJË SHELG


Një shelg me thinja ngrice

Përkulur mbi lumë loton

Teksa shikon

Në pasqyrën e ujit

Portretin e vet të plakur.



NËNË!


Në përleshje me flakët

Për të mposhtur fontanën

Vetëtimthi kujtova

Fëmijtë,

Gruan,

Miqtë,

Shokët

Dhe s'di pse të fundit

Përmenda nënën!


Kur rastësisht

U godita në këmbë

Të parën nga fjalët

Thashë: Nënë!


(Nga cikli i botuar në g."Zëri i rinisë"1980)



KAU PLAK


Mendueshëm

Përtypet ngadalë

Dhe vështrimin e vërdallisë

Tej fushës, ku për vite

Hapat e tij shkruan

Poemën e madhe të punës.


Tashmë i lodhur, i mundur

Mbase sjell ndër mend

Atë demin e pabindur

Të rinisë së vetë,

Sesi me të rrahur

Dhe përkëdhelur

E mbrehën në parmënd,

Duke ia varrosur

Lirinë përjetë.


Mendueshëm

Përtypet ngadalë

Në një heshtje që flet,

Ndërsa pronari

Bën pazar me kasapin…



FSHATI


E morën gjithë

Prodhimin e fushës

Kamionët e babëzitur

Të shtetit socialist

Dhe lanë pas

Re të mëdha pluhuri.


Shtëpitë e fshatit

Si varrezë e shkretë

Heshtin tronditshëm,

Netëve dritat e tyre

Ndriçojnë mekur

Si sy të verbër.


63 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page