top of page

Bilall MALIQI: UDHËTIMI NË MES ËNDRRËS, PASIONIT DHE KUJTESËS

  • 18 minutes ago
  • 6 min read

 

Bilall MALIQI

 

 

Poezia e poetit Nexhat Rexha shquhet për profilin e saj të ngjeshur reflektues, ku ndjenja e atdheut, koha dhe fati njerëzor shkrihen në një dimension të vetëm artistik. Poezia e tij nuk është thjesht një regjistrim i ngjarjeve apo një shpërthim i çastit, por një përsiatje e thellë ekzistenciale, një dyluftim i pandalë mes kujtesës dhe harresës. Ky vështrim synon të zbërthejë strukturën, figuracionin dhe simbolet kryesore që e bëjnë universin poetik të Nexhat Rexhës në librin e tij më të ri me poezi për të rritur, me titull “Mes gurësh përkunden ëndrrat” libër ky si një dëshmi e gjallë të përjetësisë së fjalës dhe të rrënjëve shpirtërore.

Poeti, librin e ka ndarë në këto cikle poetike: Frymëmarrje atdheu, Etja e fjalës, Shakullinë ëndrrash, Mote të dremitura, Vlime dhembjesh dhe Agimet lindin me emrin tënd.

 

1.

 

Poezia e motivit patriotik nëpër vargjet e këtij libri, ka lind nga nevoja e shprehjes së ndjenjave të thella për atdheun, lirinë, gjuhën, traditat dhe sakrificat e popullit përballë sfidave historike. Ai ato i ka forcuar me vargje dhe shprehje të zgjedhura, duke gjurmuar gjetje të fuqishme, sepse poeti, Rexha, jo vetëm në motivin patriotik, por edhe në motivet tjera e ka stilin e tij dhe individualitetin e forcuar poetik, prandaj, kjo shihet qartë në rregullimin dhe mbarështrimin e vargjeve të poezive të motivit përkatës:

 

“Koha dyluftim i pandalë

Për të ruajtur ngjyrën e rrënjëve

Njëzëshëm”

 

(Poezia “Për të ruajtur ngjyrën e rrënjëve”, fq.12)

 

Këto vargje përbëjnë një sintezë të fuqishme të poezisë patriotike dhe ekzistenciale. Ato përqendrojnë në pak fjalë dramën e përjetshme të ruajtjes së identitetit përballë rrjedhës brutale të kohës. Këtu koha nuk shihet si një lumë i qetë që rrjedh, por si një armik ose kundërshtar në një fushëbetejë. Jeta dhe historia janë një përleshje e vazhdueshme, ku njeriu dhe kombi përpiqen të mos humbasin, të mos fshihen nga kujtesa dhe të mbijetojnë përballë erozionit të shekujve. 

Në vargjet e mësipërme vërehen këto figura stilistike:Metafora, Metonimia, Personifikimi, Epiteti dhe Antiteza, të cilat i japin forcë dhe ngjyrim artistik poezisë. Përveç poezive të tjera të motivit patriotik të shkruara me ndjesi dhe kujdes të veçantë, poeti shkruan edhe poezi përkushtimore poetit martir, Havzi Nela dhe poetit dhe heroit Agim Ramadani, vargje mbresëlënëse, me fuqi shprehëse dhe me porosi të fuqishme. Ai ata i përjetëson përmes vargjeve poetike:

 

“Kur liria në bronz shkëlqen

Ti ke ruajtur portretin n’kuvendim

Me Pegazin besëdhënë

Bashkë me shiun e kësaj stine”

 

Këto vargje mbartin një ngarkesë të lartë emocionale, epike dhe estetike. Ato ndërthurin dimensionin historik, sakrificën dhe frymën e përjetshme të krijimit e të qëndresës. Kjo tregon që individi, poeti apo luftëtari, ka qëndruar besnik ndaj parimeve të veta, ndaj zotimit solemn Portreti i tij ka mbetur i paprekur nga korrupsioni i kohës ose nga harresa; ai e ka mbajtur fjalën e dhënë përballë historisë. Në këto vargje kemi figurat:Metafora, Mitologjizmi, Personifikimi dhe Epiteti.

 

Apo te poezia për Agim Ramadanin me titull “Në altarin e Agimit”:

 

“Agimet rilindin me emrin tënd

Në altar, strall e feniks

Bëjnë roje përjetësisht”

 

Këto vargje përfaqësojnë majën e lartësimit të mitit, përjetësisë dhe sakrificës në poezinë patriotike e lirike. Ato flasin për një emër apo një ideal që nuk vdes kurrë, por shndërrohet në një forcë kozmike dhe hyjnore. Edhe në këto vargje të poezisë vërehen figurat e lartpërmendura stilistike të cilat i japin frymë dhe jetë poezisë dhe poezive të librit.

 

2.

 

Edhe poezitë e tjera që mvishen me petkun e patriotizmit janë të rregulluar bukur mirë nga poeti, duke e ruajtur bukur mirë vijën e qëndrueshmërisë poetike, e cila është shumë me rëndësi te poetët. Kjo shihet qartë në lexim të poezive, jo vetëm të ciklit të parë, por edhe të cikleve të tjera me të cilat përthekohet ky libër.

Në lexim të poezive vërejmë elemente të dukshme të gjysmëhermetizmit  e diku edhe të hermetizmit letrar, një rrymë ku kuptimi nuk jepet hapur, por fshihet pas simbolesh të dendura, metaforave të mbyllura dhe strukturave koncize që kërkojnë një lexim të vëmendshëm të poezive.

 

“Rreshtimet e kohëve e hanë fjalën

Para se ajo ta hajë veten”

 

(Poezia “Fjala përtej kohës”, fq.33)

 

Kohët, epokat dhe ndryshimet e mëdha historike ("rreshtimet e kohëve") shpesh janë aq të dhunshme, të shpejta apo shtypëse, sa fshijnë dhe gëlltisin çdo mundësi komunikimi. Historia e pakthyeshme konsumon dhe zhbën kuptimin e fjalës, duke e lënë atë të pafuqishme përballë ngjarjeve madhore. Pra këtu kemi një realitet të përditshmërive tona, e që mbështillet me porosi të fuqishme përballë ndaljes së fjalës dhe presionit të jashtëm.

 

“Fjala erdhi  me vonesë

Për të marrë erën pa shije”

 

(Poezia “Fjala e vonuar”, fq. 37)

 

Në këto dy vargje të shkëputura, vonesa e fjalës pasqyron distancën e përjetshme midis dëshirës së njeriut për të kapur të vërtetën dhe pamundësisë që kjo e vërtetë të mbërrijë në kohë.

Poeti, Nexhat Rexha, vazhdon të na sjell poezi të një stili të veçantë, me prurje po ashtu interesante, tani, ai me simbolikë të disa poezive e merr ëndrrën, në të cilën ndërton poezi me një art të veçantë. 

Sipas Sigmund Frojdit, ëndrrat janë "rruga mbretërore drejt së pavetëdijes" – një hapësirë ku shprehen dëshirat e shtypura, frikërat ose konfliktet e brendshme që nuk i pranojmë dot gjatë ditës.

 

“Nata kafshon ëndrrën

Kur rrëmben pagjumësia

E mëngjesi vonon”

 

(Poezia “Në sy të ëndrrës” fq.48)

 

Nata nuk është thjesht kohë pushimi, por një hapësirë ku luhet, një dramë e heshtur mes qetësisë dhe ankthit të kohës. Këto vargje mbyllin rrethin e një nate të gjatë dhe sfiduese, ku ëndrra dhe gjumi bëhen një luks i pamundur, ndërsa koha pezullohet në pritje të dritës. Është portreti poetik i vetmisë dhe i betejës së heshtur që njeriu bën me mendimet e veta në errësirë. Kur jemi te ëndrra, i gjithë cikli me titull /Shakullimë ëndrrash/ përthekohet me poezi të tilla, ku ëndrra është një ndër simbolet dhe motivet më të fuqishme në këto poezi dhe në art në përgjithësi. Ajo nuk është thjesht një temë, por vetë thelbi i procesit krijues.

 

3.

 

Poeti, përveç motivit patriotik zgjeron frymëzimin e tij edhe në motive të tjera, të cilat i shkrin nëpër vargje poetike, me vlerë dhe me art të posaqëm. Ai i shkruan edhe dashurisë vargje mbresëlënëse, shoqëruar me shpehje të zgjedhura, me një sematikë të fuqishme:

 

“Erërat ngarendin pas teje

Me aromën e stinës

Kur dehja na mori mua dhe ty

Faqet prush u arratisën me lumin”

 

(Poezia “Dritëjeta” fq.68)

 

Këto vargje janë një tablo e gjallë e pasionit, kohës dhe natyrës që ndërthuren në një të vetme. Dehja e dyfishtë e ndjenjës dhe e peizazhit shkrihet në rrjedhën e lumit, duke lënë pas një ndjesi malli dhe amshimi, ku çasti i bukur ikën fizikisht, por mbetet i përjetësuar në kujtesë.

Në vazhdim poeti i shkruan shpresës mëkatare, pritjes së vonuar pas perdes si në teatrin e mallit. Pra nëpër këto poezi që bien në fushën e motivit të dashurisë, kemi një përshkrim të bukur idilik të dashurisë që mbartin një ngarkesë të thellë emocionale. 

Në poezinë “Në dritaren e jetës”, poeti nëpër vargje poetike të dashurisë portretizon poeteshën shqiptare,  Drita Çomon  e cila vdiq herët nga një sëmundje e pashërueshme due lënë  ditarin e saj “Dritë që vjen nga hunera”:

 

“Drita Çomo në ditarin e saj

Mundi dashurinë e pandehur”

 

(Poezia “Në dritaren e jetës” fq. 91)

 

Këto vargje përmbledhin thelbin e tragjedisë dhe madhështisë njerëzore të Drita Çomos. Përmes ditarit të saj, ajo nuk mposhtet nga fati i saj i egër, por ngrihet mbi të, duke e sfiduar dhimbjen dhe dashurinë e pamundur me forcën e stoicizmit dhe të fjalës së shkruar.

Edhe në vazhdim të leximit të poezive të dashurisë vërejmë se poezia e dashurisë e Nexhat Rexhes është një pikturë e gjallë ku ndjenja njerëzore dhe natyra shkrihen në një të vetme. Dehja e pasionit dhe rrjedha e pandalshme e lumit dëshmojnë se dashuria e vërtetë, edhe kur kaplohet nga koha dhe lëvizja, arrin të përjetësohet në çastet e saj më të bukura. 

 

“Krejt lehtas në maje të gishtave

Hyre në shtratin kur ëndrrat ngarendin për Ty”

 

(Poezia”Ti vjen si puhiza mbi valët e detit” fq.106)

 

Në këto vargje gjejmë një përshkrim të hollësishëm dhe tejet delikat të intimitetit, ku dashuria vjen si një fllad i lehtë që nuk prish qetësinë, por përmbush botën e ëndrrave. Prania e tjetrit bëhet qendra e gjithë universit të natës, duke e kthyer shtratin në një strehë të shenjtë ku çdo ëndërr merr trajtën dhe emrin e tij.

 

4.

 

Marrë në përgjithësi, libri me poezi “Mes gurësh përkunden ëndrrat” i poetit Nexhat Rexha, botuar me rastin e 70-të vjetorit të lindjes së autorit dhe 40 –të vjetorit të krijimtarisë letrare, është një libër me vlerë të lartë artistike duke u thirrë në gjetjet motivuese, në përzgjedhjen e temave të poezive, ndërtimin e poezive, forcimin e vargjeve me shprehje të zgjedhura të pajisura me figura stilistike, me një gjysmëhemetizëm të theksuar. Pra, ky është libri më i arrirë me poezi nga kjo penë në krahasim me librat e tjerë poetikë. Këtë libër duhet ta kenë të gjitha bibliotekat kombëtare dhe rajonale, sepse me vlerat që ka i bën nderë zhanrit të poezisë për të rritur në letërsinë shqiptare.


1 Comment


F. Terziu
10 minutes ago

Përgëzime të sinqerta për të dy krijuesit! Bilall Maliqi ka sjellë një lexim të thellë, të argumentuar dhe me ndjeshmëri kritike, duke dëshmuar se kritika letrare bëhet më e vlefshme kur hyn në dialog të vërtetë me tekstin poetik. Nga ana tjetër, Nexhat Rexha konfirmon edhe një herë se është një zë i veçantë i poezisë bashkëkohore shqiptare, ku ëndrra, kujtesa, atdheu dhe njeriu ndërthuren në një univers të pasur figurativ e meditativ. Kur një poet i mirë takohet me një lexues-kritik të përkushtuar, fitues mbetet letërsia. Urime Bilallit për penën analitike dhe Nexhatit për poezinë që vazhdon të frymëzojë interpretime të tilla me vlerë. Me miqësi dhe respekt për të dy!

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page