Bilall Maliqi: “MIQTË PËR MIKUN” NJË DHURATË E ÇMUAR!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 3 min read

Para nesh kemi një libër me vlerësime miqsh për krijimtarinë letrare të poetit Jashar Esati, përgatitur në autorësi të shkrimtarit Namik Selmani, me titull “Nëpër rreshta fjalësh”.
Shkrimtari Namik Selmani, e ka përcjellur hap pas hapi krijimtarinë e gjithmbarshme letrare të poetit, në shumicën sosh të librave e kemi rolin e tij të redaktorit apo të recensentit. Ai ka shkruar recensione, parathënie, për ato libra që i ka redaktuar, duke ua dhënë dritën jeshile për botim. Por jo vetëm kaq, për poetin, Esati kanë shkruar edhe pena të tjera, të cilët i kanë vlerësuar librat që i kanë lexuar, apo që i kanë shtjelluar, qoftë si parathënie, pasthënie, mbresa apo edhe vështrime, të cilat janë të botuara si në librat e tij, në portale apo edhe në revista letrare.
Miqtë për mikun !
Për të shkruar vlerësime për librat, ato duhet lexuar me vëmendje, dhe secili nga këta, është munduar të japë maksimumin për t’ja dhënë “hakun” shkrimeve të tyre, kuptohet në kapacitetin e tyre vlerësues dhe qëmtues, të cilat, shkrimtari, Namik Selmani i ka tubuar në këtë libër si dhuratë nga miqtë e tij, për këtë shtatëdhjetë vjetor të lindjes, e që është një befasi e këndshme.
U kuptua se secili ka bërë vështrimet me mundësitë dhe kapacitetin intelektual dhe profesionist për librat e lexuar si: Namik Selmani, Bilall Maliqi, Zekerija Idrizi, Sevdail Hyseni, Mustafa Ismaili, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për shtjellimin e librave sa më mirë që është e mundur, duke paraqitur të dhëna të thukëta për vlerat ideo- artistike dhe ideo- estetike, të librave të tyre, qoftë në poezi për të rritur, poema që i ka brenda librave të tyre si /Te Zabeli i Mulës/ dhe prozat e tij të drejtpërdrejta dhe të kapshme për të gjitha shtresat e lexuesve, të cilat japin sinjalin e vlerave të kënaqshme letrare, gjithnjë duke u thirrë në mendimet, vlerësimet dhe qëmtimet e vlerësuesve të lartpërmendur.
Përveç kësaj, brenda këtij libri i gjejmë edhe mbresat e Rrahman Hysenit e të Shaip Bllacës, të cilat janë shkrime të çastit, të shkruara me modestinë e tyre dhe dëshirën që të japin mendim për librat që i kanë lexuar, si një dhuratë për mikun e tyre.
Këto dy mbresa të shkruara japin mendime të ndryshme, për libra të ndryshëm dhe për profilin krijues të protagonistit të librit, poetit Jashar Esati.
Se Jashar Esati është i lidhur si mishi me asht për vendlindjen e tij, kjo shihet në poezitë e tij të cilat japin një pasqyrim të tillë, japin mallëngjim, dhembje, mërzi të shtresuara të autorit për itakën e tij, të cilat, po të lexohen vëmendshëm gjejmë porosinë e lagur me lot dhe shpirtin e tij të ngarkuar me të gjitha këto ndjesi të fuqishme të mungesës së vendlindjes së tij. Ato i mban krahosh ngado që është, kudo që shkon dhe kudo që gjindet, sepse malli për Zabelin e Mulës, për Miratocin e tij të dashur e ndjek kudo dhe ngado si një hije që ndjek trupin e tij vertikal.
Rëndësia
Ky libër ka rëndësinë e vet, së pari për autorin, së dyti për protagonistin e librit, së treti për autorët e përfshirë në libër dhe së katërti për lexuesit dhe studiuesit që duan të shkruajnë për këtë autor dhe për botimet e tij, sepse autori, Namik Selmani, i ka tubuar këto shkrime të shpërndara dhe i ka futur në këtë libër simpatik, si një tërësi e shkrimeve brenda kopertinave të këtij botimi të veçantë.









Comments