top of page

Besnik Fishta: Mbi bukurinë e papërsosmërisë


 Gabimet në filateli

Pullat postare kanë qenë dhe mbeten një ndër objektet më magjepsëse për koleksionistët, jo vetëm për historitë që ato përcjellin, por edhe për bukurinë e tyre estetike. Mes qindra serive dhe emisioneve të prodhuara ndër vite, një vend të veçantë në botën e filatelisë e zënë pullat me gabime shtypi, ato ekzemplarë të rrallë, që për shkak të një detaji të vogël, por të gabuar, fitojnë një vlerë shumë më të madhe se pullat “e zakonshme”. Në sytë e koleksionistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, këto pulla konsiderohen si “perlat e fshehura” të filatelisë. Rrallësia e tyre, historia që mbartin dhe sharmi i papërsosmërisë i bëjnë jashtëzakonisht të lakmuara. Administrata postare shqiptare, ashtu si në shumë vende të tjera, është e detyruar ligjërisht të shmangë gabimet. Procesi i prodhimit të pullave kalon në disa filtra të rreptë kontrolli përpara se të dalë në qarkullim. Megjithatë, pavarësisht kujdesit dhe skrupulozitetit, gjatë 112 viteve të ekzistencës së pullës shqiptare, janë shfaqur herë pas here gabime në imazhe, shkrime apo elemente grafike. Disa nga këto gabime janë zbuluar menjëherë, por ka pasur edhe raste kur janë konstatuar shumë kohë pas prodhimit. Frekuenca e tyre është ulur dukshëm gjatë dekadave të fundit, falë përmirësimit të teknologjisë, rritjes së profesionalizmit dhe forcimit të administratës shtetërore postare. Megjithatë, në filatelinë shqiptare ekzistojnë edhe raste kur gabimet nuk kanë qenë thjesht aksidentale, por të qëllimshme. Dëshmitë e mbledhura nga koleksionistë të vjetër tregojnë se, sidomos në vitet e para, individë të përfshirë në procesin e prodhimit kanë manipuluar me vetëdije disa seri pullash, duke shkelur rregullat dhe duke vepruar në mënyrë abuzive. Një nga rastet më të njohura është ai i një tekniku italian, pasionant i filatelisë, i cili gjatë prodhimit të emisionit të famshëm “14 shtator 1943”, që përkon me ditën e pushtimit gjerman të Shqipërisë, dyshohet se ka ndikuar qëllimisht në krijimin e disa prej gabimeve.                                                                                                                                                                        Kush mendon se filatelia është një botë monotone, gabon. Përveç kënaqësisë së të pasurit dhe të admiruarit të një koleksioni, filatelia është edhe aventurë. Çdo zbulim i ri, çdo gabim i pazakontë, ngre nivelin e adrenalinës tek koleksionisti. Për koleksionistin shqiptar, gjetja e një pulle me gabim shtypi është një përzierje emocionesh: gëzim për një zbulim unik, kuriozitet për historinë e tij dhe krenari për pasurimin e koleksionit.                                                                                           Gabimet në shtypjen e pullave postare mund të shfaqen në forma të ndryshme:

Ngjyra të pasakta ose tonalitete që devijojnë nga projekti origjinal.

Imazhe të përmbysura ose figura të vendosura gabimisht.

Mungesa elementesh, si vlerat monetare, simbolet, pershkrimet ne pulle etj.

Printime të dyfishta, kur imazhi përsëritet aksidentalisht mbi të njëjtën pullë.

Defekte në dhëmbëzime, që i japin pullës një pamje të çrregullt dhe por qe e bejne unike.

Në Shqipëri, raste të tilla janë të dokumentuara që nga emisionet e para të vitit 1913 e deri në ditët tona. Shumë prej tyre sot janë jashtëzakonisht të rralla dhe të kërkuara si nga koleksionistët vendas, ashtu edhe nga ata të huaj. Në filateli, vlera e një pulle me gabim nuk lidhet vetëm me moshën e saj, por përcaktohet nga disa faktorë të kombinuar:

Rrallësia, sa më pak ekzemplarë të ekzistojnë, aq më shumë rritet vlera.

Gjendja fizike, pullat e pavulosura, të paprekura dhe të ruajtura mirë arrijnë çmime shumë më të larta.

Dokumentacioni, certifikatat nga ekspertë filatelike janë të domosdoshme për të vërtetuar origjinalitetin.

Kërkesa e tregut, disa gabime fitojnë famë dhe prestigj ndër koleksionistë, duke e rritur ndjeshëm çmimin e tyre në ankande.

Në Shqipëri, koleksionistët më me përvojë kujtojnë disa raste të famshme ku pullat me gabime janë shitur për shuma të konsiderueshme, sidomos gjatë dekadës së fundit, kur interesi për pullat historike shqiptare është rritur ndjeshëm edhe në tregun ndërkombëtar. Disa prej tyre tashmë kanë fituar statusin e “trofeve filatelike”. Në katalogët ndërkombëtarë, veçanërisht për pullat e viteve 1913–1930, gabimet më të rralla vlerësohen me çmime të jashtëzakonshme, duke e bërë këtë segment kohor ne filateli, një ndër më të kërkuarit nga koleksionistët.                                                              Në një treg gjithnjë e më të hapur dhe global, koleksionistët perpiqen te jene të kujdesshëm. Sot, një pjesë e madhe e “gabimeve” që qarkullojnë janë të sajuara me qëllime abusive, falsifikime të projektuara posaçërisht për të mashtruar koleksionistët dhe për të rritur artificialisht vlerën e pullave. Ky fenomen ka ekzistuar që në vitet e para të filatelisë shqiptare, fillimisht i ushtruar nga disa tregtarë të huaj dhe, më vonë, edhe nga individë vendas. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë:

Krahasimin e disa ekzemplarëve të të njëjtit emision për të zbuluar mospërputhje.

Përdorimin e lupave dhe mjeteve profesionale për analizë.

Konsultimin me katalogë të specializuar, si “Michel”, “Yvert”, katalogu shqiptar “Gimjani” e te tjere, si dhe me literaturë filatelike të besueshme.

Marrjen e opinionit nga ekspertë përpara çdo blerjeje të rëndësishme.

Bota e gabimeve në pullat postare është një ftesë për kërkim, eksplorim dhe pasion. Ato janë dëshmi të rastësisë, të histories se zhvillimit dhe perfeksionimit teknologjik, persosmerise se punes administrates, por herë pas here, edhe të intrigës njerëzore. Për koleksionistin e apasionuar, çdo gabim nuk është thjesht një defekt teknik, por një fragment unik i historisë postare që i jep koleksionit vlerë, emocion dhe jetë.Më poshtë, një mini-galeri me disa prej gabimeve më interesante nga filatelia boterore dhe ajo shqiptare.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page