Besnik Fishta: KONTRIBUTI I VLLAZISË DIZDARI...
- Jun 1
- 5 min read

Besnik Fishta: KONTRIBUTI I VLLAZISË DIZDARI, TË FISIT HOTIT, NË LUFTË PËR LIRI E PAMVARSI KOMBËTARE
(Mbresa nga libri i Sherif Dizdari,: “Genealogjia e vllaznisë Dizdari, të fisit Hoti, në Malësinë e Gjakovës dhe në trevat e Kosovës”
Nga: Besnik FISHTA
Në një kohë kur botimet historike dhe genealogjike kërkojnë jo vetëm pasion, por edhe durim të jashtëzakonshëm kërkimor, tregut të librit shqip iu shtua së fundmi një vepër me vlera të veçanta dokumentare e identitare: “Genealogjia e vllaznisë Dizdari, të fisit Hoti, në Malësinë e Gjakovës dhe në trevat e Kosovës” e autorit Sherif S. Dizdari. Ky botim nuk është thjesht një përmbledhje emrash, lidhjesh farefisnore apo kujtimesh familjare, por një punim i mirëfilltë që shtrihet në kufijtë e historisë lokale, antropologjisë kulturore, kujtesës kolektive dhe dokumentimit të trashëgimisë së një treve me peshë në historinë shqiptare. Qysh në shfletimin e parë, libri lë mbresa të veçanta. Pasuria e informacionit, dendësia e të dhënave, serioziteti i qasjes dhe gjuha e kujdesshme e autorit e bëjnë lexuesin të kuptojë se kemi të bëjmë me një punë shumëvjeçare, të mbështetur në kërkim të vazhdueshëm, në dokumente, kujtesë familjare dhe referenca të shumta. Në parathënien me titull domethënës “Dora e Zotit dhe pushka e Hotit”, autori 85-vjeçar Sherif S. Dizdari e përgatit lexuesin për përmasën shpirtërore dhe historike të kësaj vepre.
Vetë titulli parathenies bart simbolikën e dy shtyllave mbi të cilat janë ngritur trevat veriore shqiptare, besimi tek Zoti dhe qëndresa përmes pushkës, si mjet i mbrojtjes fisit, familjes e atdheut nga pushtuesit e huaj. Autori, me maturinë e moshës dhe përvojën jetësore, shpjegon burimet e shumta të referimit, duke i dhënë librit besueshmëri dhe seriozitet shkencor. Struktura e librit është ndërtuar me logjikë dhe kujdes metodologjik. Fillimisht paraqiten pozitat gjeografike të mjedisit ku shtrihet treva e Berbatit, duke krijuar kuadrin natyror e historik ku është zhvilluar jeta e kësaj vllaznieje. Më tej, autori ndalet në genealogjinë e vllaznisë Dizdari në fshatin Berbat, për ta zgjeruar më pas vështrimin edhe në trevat e Kosovës, ku degë të kësaj vllaznieje kanë vijuar jetën, duke ruajtur lidhjet shpirtërore e identitare me vendorigjinën.

Një rëndësi të veçantë merr trajtimi i arsimit në Malësinë e Gjakovës, një tregues i emancipimit dhe i ndërgjegjes kombëtare në një trevë që shpesh është identifikuar vetëm me luftën dhe trimërinë. Në të vërtetë, historia e Malësisë së Gjakovës dëshmon se krahas pushkës ka bashkëjetuar edhe dija, fjala e shkruar dhe dëshira për arsimim, si pjesë e identitetit kombëtar shqiptar. Vlerë e shtuar e këtij botimi është përfshirja e toponimeve kryesore të bjeshkëve të Berbatit, të cilat nuk kanë vetëm karakter gjeografik, por përfaqësojnë një arkiv të gjallë të memories historike. Çdo emër vendi bart histori, ngjarje, kujtime dhe episode të trashëguara brez pas brezi. Në këtë këndvështrim, libri merr edhe karakterin e një dokumenti etnografik, duke ruajtur elementë që rrezikojnë të humbasin nga harresa ose transformimet e kohës moderne. Po aq të rëndësishme janë edhe dokumentet austro-hungareze të përfshira në vepër, të cilat pasurojnë bazën burimore të saj dhe i japin lexuesit mundësinë të kuptojë më qartë rrethanat historike të zhvillimeve në këto treva. Përdorimi i dokumentacionit arkivor e largon librin nga subjektivizmi i kujtimeve të thjeshta familjare dhe e afron atë me standardet e një pune serioze kërkimore. Në fund të librit, autori paraqet me korrektësi një bibliografi prej 32 referencash, dëshmi e një pune të gjatë dhe të ndërgjegjshme. Kjo bibliografi afirmon qartë se kemi të bëjmë me një studim të mbështetur në burime të shumta dhe jo me një rrëfim spontan kujtimesh. Mjaft domethënëse është edhe galeria fotografike, e cila shërben tashmë si një dokumentar vizual i historisë së kësaj vllaznieje. Fotot e brezave, figurave familjare, mjediseve dhe episodeve të jetës krijojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë me lexuesin, duke e bërë historinë më njerëzore dhe më të prekshme.

Por rëndësia e këtij libri shkon përtej historisë së një vllaznieje. Përmes faqeve te këtij libri lexuesi njeh edhe epopenë historike dhe luftërat shekullore të Fisit Hotit , për mbrojtjen e atdheut, të trojeve shqiptare nga pushtuesit, otoman , serb e malazë, duke për disa shekuj me radhë vatër e qëndresës kombëtare. Fisi i Hotit dhe Malësia e Gjakovës kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në fundin e shekullit XIX, burrat e këtyre anëve morën pjesë në përpjekjet për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, në kuadër të rezistencës shqiptare kundër vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, të vitit 1913 dhe pretendimeve malazeze, duke u bërë pjesë e epopesë së njohur të qëndresës shqiptare. Po kështu, gjatë kryengritjeve të viteve 1910–1912, malësorët e këtyre trevave u përballën me ekspeditat ndëshkimore osmane të udhëhequra nga Turgut Pasha, duke dëshmuar edhe një herë shpirtin e pamposhtur të lirisë. Luftimet e zhvilluara në zonat malore të Tropojës dhe të Malësisë së Gjakovës mbeten pjesë e memories historike të kësaj treve. Edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, këto troje nuk mbetën të heshtura. Në vitin 1943, në Gjakovë e Pejë, pati qëndresë kundër forcave pushtuese italiane, ndërsa vetë treva e Tropojës u përfshi në organizimin e lëvizjes nacionalçlirimtare.
Kontributi i vllaznisë, Dizdari,për mbrojtjen e trojeve shqiptare , për liri e pamvarsi kombëtare ,vazhdojë për shekuj me radhë ,ku bijët më të shquar të kësaj vëllaznie ,dhanë jetën e tyre në lule të rinisë në luftë për mbrotjen e Atdheut.
NGA VLLAZNIA DIZDARI RANË DËSHMORË PËR ATDHEUN: BEK DELI DIZDARI, ZEQ SHABAN DIZDARI, UKË BEL DIZDARI, ZMAJL HYSEN DIZDARI DHE MEHMET RAM DIZDARI.
Libri i Sherif S. Dizdarit nuk harron të evidentojë edhe kontributin për pavarësinë e Kosovës, ku i kushton një kapitull që dëshmon vijimësinë e ndjenjës patriotike e atdhetare, në mbrojtje të trojeve shqiptare, ku në LUFTËN UҪK, NË VITEVE 1998-1999, RA DËSHMORË PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS, EDHE BIRI I VLLAZNISË ,DIZDARI, MEHMET RAM DIZDARI.
Në luftën për çlirimin e Kosovës, gjatë viteve 1998-1999, kanë dhanë kontributë të çmuar, edhe burrat e vllaznisë Dezdari(Dizdari), me banim në trevat e Kosovës në fshatërat: Kosuriq, Krushec, Zllopek, të Pejës e Smolicë të Gjakovës dhe në shumë treva të tjera, së bashku me nipat dhe pasardhësit e fisit Hotit, u rreshtuan nën armë në radhët e UҪK, për mbrojtjen e Kosovës, ku vlen të theksohet, kontributi i familjes atdhetare e patriotike, të Ali Dezdari me djmtë e tij : Ylber Ali Dezdari, Lufton Ali Dezdari dhe Labinat Ali Dezdari,
Nga Vllazëria Dizdari (Dezdari) nga fshati Kosuriq, Zllopek dhe qyteti i Pejës kanë marrë pjesë në luftës për Çlirimin e Kosovës në radhët e UÇK-së, në luftën e viteve 1998-1999. 1.Hali Sali Dezdari (veteran i UÇK-së) nga Peja 2.Ram Sali Dezdari (veteran i UÇK-së) nga Kosuriqi 3.Vesel Ibish Dezdari (veteran i UÇK-së), nga Zllopeku 4.Isret Ibish Dezdari (veteran i UÇK-së), nga Zllopeku 5.Daut Ibish Dezdari (veteran i UÇK-së), nga Zllopeku 6.Ylber Ali Dezdari (veteran i UÇK-së), nga Kusuriqi 7.Lufton Ali Dezdari (veteran i UÇK-së), nga Kosuriqi 8.Labinot Ali Dezdari (veteran i UÇK-së), nga Kosuriqi 9.Enis Vesel Dezdari (veteran i UÇK-së), nga Zllopeku 10.Liridona Halil Dezdari (veterane e UÇK-së), nga Peja
Në thelb, kjo vepër përfaqëson më shumë se historinë e një vllaznieje. Ajo është histori rrënjësh, kujtese dhe identiteti të vllaznisë,Dizdari të Fisit Hotit. Në një epokë globalizimi, ku shpesh rrezikohet humbja e lidhjes me origjinën, libra të tillë na kujtojnë se kombi nuk ndërtohet vetëm mbi ngjarjet e mëdha politike, por edhe mbi historitë e familjeve, të vllaznive dhe të bashkësive që, brez pas brezi, kanë ruajtur gjuhën, zakonet, nderin dhe atdhedashurinë. Prandaj, “Genealogjia e vllaznisë Dizdari, të fisit Hoti, në Malësinë e Gjakovës dhe në trevat e Kosovës” meriton të vlerësohet jo vetëm si një botim i rrallë në llojin e vet, por edhe si një kontribut me rëndësi për kujtesën historike shqiptare. Ajo dëshmon se rrënjët e forta të një vllaznieje nga Fisi i Hotit, mund të bëhen pasqyrë e virtyteve, sakrificave dhe vlerave më të mira të kombit shqiptar.
Tiranë, maj, 2026








Mirënjohje dhe respekt të veçantë për Besnik Fishta për këtë editorial me vlerë të lartë historike e kombëtare, ku me shumë përkushtim dhe dinjitet është pasqyruar kontributi i vllaznisë Dizdari dhe i fisit Hoti në rrugën e gjatë të lirisë dhe pavarësisë kombëtare.
Faleminderim edhe për portalin fjala.info që vazhdon të ruajë dhe promovojë kujtesën historike, figurat atdhetare dhe trashëgiminë tonë kombëtare përmes shkrimeve me peshë e vlerë të veçantë.
Ky editorial nuk është vetëm një shkrim historik, por një nderim për sakrificën, besën dhe qëndresën shqiptare ndër breza.
Respekt për autorin dhe për çdo penë që mban gjallë të vërtetën dhe krenarinë kombëtare.
Me shumë Respekt!
Labinot Dezdari-Hoti, nga Kosova e Dardanisë.
I Nderuar, Besnik Fishta
Në emer të vëllaznisë Dizdari të fisit të Hotit ,ju falenderojë për shkrimi tuaj të bukur, dhe të mbeshtetur në dekumenta e referenca të plota shkencere, por veçanarisht për vlera të Larta Patriotike e Atdhetare , që sjellë shkrimit juaj!
JU FALENDEROJNË :
Sherif S.Dizdari –Autori i librit
Shefqet S.Dizdari
Hysen S.Dizdari
Kongres Sh.Dizdari
Albert Sh.Dizdari
Osman A.Dizdari
Lirim R.Dizdari
Kujtim M.Dizdari
Gani B.Dizdari
Tiranë me, 01.maj 2026