top of page

Begzad Baliu: VAJAZANI: QYTETI LETRAR I REXHEP QOSJES

  • 13 minutes ago
  • 4 min read

Begzad Baliu

VAJAZANI: QYTETI LETRAR I REXHEP QOSJES

(Studim onomastik, gjeografik, semiotik dhe kulturor), Prishtinë, 2026.

Vajazani është qyteti më i madh i letërsisë shqipe, sipas vëllimit, sipas përmbajtjes tematike dhe sipas përbërësve onomastikë. Duke u mbështetur në katër romanet që përbëjnë korpusin e kësaj monografie: Vdekja më vjen prej syve të tillë (1998), Një dashuri dhe shtatë faje (2003), Nata është dita jonë (2007) dhe Bijtë e askujt II (2010), mund të thuhet se Vajazani përfaqëson një nga konstruktet më të plota të qytetit letrar në prozën shqipe bashkëkohore. Ai nuk paraqitet si një hapësirë e gatshme dhe e pandryshueshme, por ndërtohet gradualisht nga një roman në tjetrin, duke fituar relievin, hidrografinë, institucionet, vendet e kujtesës dhe sistemin e vet onomastik. Në Vdekja më vjen prej syve të tillë shfaqen shtresat e para të peizazhit natyror dhe mitik, përmes njësive si Lumi i Mullenjave dhe Varret e Thesarit; në Një dashuri dhe shtatë faje zgjerohet gjeografia ekologjike dhe shoqërore e qytetit; në Nata është dita jonë konsolidohet topografia institucionale dhe urbane; ndërsa në Bijtë e askujt II plotësohet dimensioni dokumentar dhe historik përmes institucioneve të kujtesës, si Arkivi i Kosovës dhe Spitali i Përgjithshëm.


Analiza jonë në këtë vëllim dhe në vëllimin pasues Sistemi onomastik i romaneve të Rexhep Qosjes dëshmon se Vajazani nuk është thjesht një toponim letrar, por qendra organizuese e një sistemi të gjerë onomastik, ku ndërthuren hidronime, oronime, speleonime, urbanonime, nekronime dhe emërtime institucionesh. Korpusi romanesk dëshmon se Lumi i Mullenjave përbën boshtin hidrografik të qytetit ("Në atë kohë, të lashtë, përmes Vajazanit kalonte një lumë i vogël, gati prroskë, të cilit vajazanasit i thoshin Lumi i Mullenjave..." – Vdekja, 1998: 5), ndërsa Bjeshka e Pashës dhe Shpella e Harapit organizojnë sistemin orografik dhe speleologjik të hapësirës (Vdekja, 1998: 5). Dimensioni memorial përfaqësohet nga Varret e Thesarit ("Ato varre edhe sot e gjithë ditën i quajnë Varret e Thesarit" – Vdekja, 1998: 6), si edhe nga Varret e Mëdha, të përfshira në panoramën urbane të qytetit ("...Sahatkulla, Ndërtesa e Qeverisë, Kuvendi, Ngrohtorja, Xhamia e Madhe, Morgu, Banka e Vjetër, Hoteli Mbretëresha Teuta, Kazinoja Konica, Drandofillishtja dhe Varret e Mëdha..." – Nata, 2007: 15). Në të njëjtën panoramë paraqiten edhe Sahatkulla, Ndërtesa e Qeverisë, Kuvendi, Xhamia e Madhe, Morgu, Banka e Vjetër, Hoteli "Mbretëresha Teuta" dhe Kazinoja "Konica", të cilat përbëjnë bërthamën institucionale dhe simbolike të Vajazanit (Nata, 2007: 15). Korpusi zgjerohet më tej në romanin Bijtë e askujt II, ku Arkivi i Kosovës dhe Spitali i Përgjithshëm i Vajazanit vendosen në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë topografike ("Godina e Arkivit të Kosovës gjendet afër Spitalit të Përgjithshëm të Vajazanit, në një luginë të butë midis dy kodrave jo shumë të shquara..." – Bijtë II, 2010: 13), duke krijuar boshtin institucional të kujtesës historike dhe të jetës biologjike. Ndërkaq, romani Një dashuri dhe shtatë faje e zgjeron këtë sistem me dëshmi të shumta për organizimin urban, klimatik dhe ekologjik të qytetit: Vajazani përshkruhet si "qyteti i puseve" ("Puset në lagjet përreth qendrës dhe në anën lindore të qytetit, ku afër nuk kishte mal — Vajazani mund të quhet qyteti i puseve — shterruan ngadalë..." – Një dashuri, 2003: 64), si qytet me vreshta karakteristike ("...vreshtat, me të cilat shquhej rrethina e Vajazanit..." – Një dashuri, 2003: 63), me Sahatin e Madh ("Sahati i Madh i ngritur mu në qendër të Vajazanit..." – Një dashuri, 2003: 317), me Hotelin Vajazani i Ri ("Hoteli Vajazani i Ri në Vajazan..." – Një dashuri, 2003: 341–343), si dhe me një sistem të zhvilluar rrugësh, shesheve, lagjesh, varrezash, institucionesh dhe hapësirash publike që e përforcojnë fizionominë e tij urbane. Kështu, onomastika e Vajazanit nuk kufizohet në funksionin e orientimit hapësinor, por ndërton një rrjet të dendur marrëdhëniesh ndërmjet natyrës, historisë, institucioneve dhe kujtesës kolektive. Hidronimet, oronimet, speleonimet, urbanonimet, nekronimet dhe emërtimet institucionale bashkëveprojnë si një sistem i integruar semantik e simbolik, përmes të cilit organizohet universi romanesk i Rexhep Qosjes. Në këtë kuptim, Vajazani nuk është vetëm vendi ku zhvillohen ngjarjet, por vetë struktura organizuese e rrëfimit, një kronotop kompleks ku gjeografia fizike, historia, kultura dhe kujtesa kolektive ndërthuren në një model të vetëm onomastik.Nga pikëpamja narratologjike dhe semiotike, Vajazani funksionon si kronotop i kujtesës shqiptare. Në të ndërthuren koha mitike e legjendave, koha historike e dokumenteve, koha biografike e personazheve dhe koha aktuale e rrëfimit. Kjo bashkëjetesë e shtresave kohore e shndërron qytetin në një arkiv të gjallë kulturor, ku historia nuk ruhet vetëm në dokumente, por edhe në peizazh, në institucione dhe në emërtime. Lumi, shpella, varret, arkivi, sahatkulla, spitali dhe morgu nuk janë vetëm objekte të topografisë urbane, por shenja kulturore që materializojnë kujtesën kolektive dhe e bëjnë historinë pjesë të përvojës së përditshme. Për këtë arsye, Vajazani duhet lexuar si një sistem semiotik i organizuar rreth marrëdhënieve ndërmjet kohës, hapësirës dhe identitetit.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të këtij studimi është dëshmia se Vajazani ka statusin e një personazhi kolektiv. Ndryshe nga figurat njerëzore, të cilat ndryshojnë nga një roman në tjetrin, qyteti mbetet elementi më i qëndrueshëm i ciklit romanesk. Ai ka biografinë, kujtesën, institucionet, historinë dhe mitologjinë e vet. Ai ruan gjurmët e brezave, i lidh romanet ndërmjet tyre dhe krijon ndjenjën e një bote të vetme artistike. Në këtë kuptim, Vajazani nuk është sfond pasiv i ngjarjeve, por subjekt i heshtur i rrëfimit, bartës i kujtesës së përbashkët dhe nyja që bashkon individin me bashkësinë, historinë me kulturën dhe letërsinë me identitetin.

Shpresoj që vepra jonë dëshmon se Vajazani përfaqëson një nga realizimet më të plota të qytetit letrar në letërsinë shqipe bashkëkohore dhe një nga krijimet më të qëndrueshme të imagjinatës artistike të Rexhep Qosjes. Ai është njëkohësisht hapësirë narrative, sistem onomastik, kronotop kulturor, hartë imagjinare dhe metaforë e përvojës historike shqiptare. Në të bashkohen natyra dhe qytetërimi, miti dhe dokumenti, kujtesa dhe historia, individi dhe bashkësia. Përmes Vajazanit, Rexhep Qosja ka krijuar jo vetëm një qytet të romaneve të tij, por një model interpretues të historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar, duke e ngritur këtë hapësirë imagjinare në përmasën dhe nivelin e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe të kohës sonë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page