Begzad Baliu: UKSHIN HOTI DHE...

UKSHIN HOTI DHE LINDJA E QASJES GJEOPOLITIKE NË HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE TË LIDHJES SË PRIZRENIT
Në vitin 2022 kisha filluar sistemimin e një pjese të arkivit të profesor Idriz Ajetit, me synimin për të përgatitur një studim mbi angazhimet e tij në jetën shkencore. Për ta plotësuar këtë material me dokumente nga Arkivi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, bëra kërkesë në Akademi, por mora përgjigje negative. Më pas u njoftova se arkivi i institucionit për periudhën 1975–1996 ruhej në Arkivin Shtetëror të Kosovës. Pas dy muajsh kërkimesh gjeta, ndër të tjera, edhe dosjen e Konferencës Shkencore kushtuar 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të mbajtur më 1978. Brenda saj ndodhej kumtesa e Ukshin Hotit, Lidhja e Prizrenit në kontekstin e interesave të Fuqive të Mëdha, ku, në fusnotën nr. 1, shënohej: “Ky artikull, në të vërtetë, është fragment studimi me titull: Ballkani – faktor i politikës së balancës /titull pune/”. Dorëshkrimi kishte 43 faqe; fillimisht skanova tri faqet e para dhe faqen e fundit, me bibliografinë.
Pasi njoftova drejtuesin e institucionit, kopjet e skanuara ia dërgova të birit të autorit, Andin Hotit, përmes Facebook-ut. Po atë mbrëmje bëra edhe një shënim të shkurtër publik për ekzistencën e këtij teksti, të dërguar nga Harvardi në Akademinë e Shkencave në vitin 1978. Tekstin e plotë të kumtesës e sigurova në maj të vitit 2022 nga Bislim Elshani, mik i motshëm i Ukshin Hotit.
Studimi i tanishëm, i përgatitur rreth mesit të vitit 2024, po e sheh dritën e botimit vetëm tani. Rëndësia e rikthimit të këtij dorëshkrimi nuk lidhet vetëm me historinë e tij dokumentare ose me rrethanat e ruajtjes në arkiv. Ai krijon mundësinë për të rishqyrtuar një fazë të hershme të mendimit të Ukshin Hotit dhe, në mënyrë të veçantë, mënyrën se si autori e vendoste Lidhjen e Prizrenit në marrëdhënie me interesat e Fuqive të Mëdha, politikën e balancës së fuqive, krizën e Perandorisë Osmane dhe veprimin e “faktorit shqiptar”. Për këtë arsye, dokumenti ka njëkohësisht vlerë burimore dhe historiografike: dëshmon një moment të caktuar të formimit intelektual të Hotit dhe ofron pikënisje për një lexim më të gjerë të vendit të tij në mendimin politik shqiptar.

Teksti i Ukshin Hotit Lidhja e Prizrenit në kontekstin e interesave të Fuqive të Mëdha përfaqëson një analizë të hershme të historisë politike shqiptare, në të cilën Lidhja vendoset në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me krizën e Perandorisë Osmane, rivalitetet ndërmjet Fuqive të Mëdha dhe lëvizjet kombëtare në Ballkan. Vetë Hoti formulon që në fillim kërkesën për “ndriçimin e lidhmërisë dialektike” të pjesëve dhe aspekteve të ndryshme të fenomenit dhe e lidh veprimtarinë e Lidhjes me “politikën e drejtpeshimit, ose të balancës së fuqive” (Hoti, 1978, f. 1). Pikërisht kjo mënyrë e shtrimit të çështjes e bën dorëshkrimin të rëndësishëm jo vetëm si tekst historiografik, por edhe si dëshmi të mënyrës se si Hoti kërkonte të lidhte historinë politike shqiptare, analizën e interesave dhe problematikën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën një nga ngjarjet më të studiuara të historisë politike shqiptare dhe një nga nyjet themelore të procesit të Rilindjes Kombëtare. Historiografia ka trajtuar gjerësisht themelimin e saj, programin politik, organizimin institucional, mbrojtjen e tërësisë së territoreve të banuara nga shqiptarët, veprimtarinë diplomatike, rezistencën e armatosur dhe zhvillimin e vetëdijes kombëtare. Në këtë traditë janë ndërthurur dëshmitë e protagonistëve, shkrimi politik i Rilindjes, historiografia akademike, studimet diplomatike dhe interpretimet kulturore e letrare. Po ashtu, politika e Fuqive të Mëdha, Kriza Lindore, Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit kanë qenë pjesë e rëndësishme e kësaj tradite studimore. Për këtë arsye, studimi i Hotit nuk mund të vlerësohet duke krijuar një kundërvënie të thjeshtë ndërmjet një historiografie më të hershme “kombëtare” dhe një qasjeje të re “ndërkombëtare”.
As dimensioni ndërkombëtar i Lidhjes nuk fillon me Ukshin Hotin. Politika e Fuqive të Mëdha, qëndrimet e Perandorisë Osmane, veprimtaria diplomatike shqiptare dhe marrëdhënia e Lidhjes me Krizën Lindore kishin qenë objekt i historiografisë shqiptare para hartimit të dorëshkrimit të tij dhe në të njëjtën periudhë me të. Rëndësia e tekstit të Hotit nuk duhet kërkuar, prandaj, në “zbulimin” e marrëdhënieve ndërkombëtare si fushë të patrajtuar. Veçantia e tij është më e kufizuar, por metodologjikisht më e rëndësishme: faktorët e njohur vendosen në një marrëdhënie të re shpjeguese, ku ajo që në trajtime të tjera mund të shfaqej kryesisht si kontekst diplomatik fiton funksion të drejtpërdrejtë në shpjegimin e kushteve, mundësive dhe kufizimeve të veprimit shqiptar.
Pikënisja burimore e studimit është, pra, dorëshkrimi i hartuar në Universitetin e Harvardit në maj të vitit 1978. Fakti që Hoti e përcakton tekstin si fragment të një studimi më të gjerë me titull pune Ballkani – faktor i politikës së balancës ka rëndësi jo vetëm bibliografike. Ai dëshmon se analiza e Lidhjes ishte konceptuar si pjesë e një problematike më të gjerë: marrëdhënies ndërmjet Ballkanit, politikës së fuqive dhe mekanizmit të balancës. Interesat e Fuqive të Mëdha, kriza e Perandorisë Osmane, pozita strategjike e Ballkanit dhe organizimi shqiptar nuk trajtohen si rrafshe të izoluara. Ato lidhen brenda një analize që kërkon marrëdhëniet ndërmjet faktorëve dhe peshën relative që secili prej tyre merr në konfigurimin historik.
Një nga nyjet themelore të argumentit është dallimi ndërmjet interesit të Perandorisë Osmane dhe interesit shqiptar. Hoti kundërshton interpretimin sipas të cilit Lidhja e Prizrenit ishte frymëzuar ose krijuar nga Porta e Lartë. Ai pranon se, në një fazë të caktuar, mund të kishte përkim ndërmjet interesit osman për ruajtjen e integritetit territorial të Perandorisë dhe interesit shqiptar për mbrojtjen e territoreve të banuara nga shqiptarët. Megjithatë, këtë përkim nuk e barazon me identitetin e qëllimeve. Përkundrazi, thekson se bëhej fjalë për qëllime “esencialisht të kundërta” (Hoti, 1978, f. 2). Porta synonte ruajtjen e Perandorisë, ndërsa veprimi shqiptar artikulonte gradualisht një interes politik të dallueshëm. Ky dallim pengon reduktimin e Lidhjes në instrument të politikës osmane, pa e shkëputur atë artificialisht nga struktura perandorake brenda së cilës lindi dhe veproi.
Boshti teorik i dorëshkrimit mbetet i lidhur ngushtë me analizën marksiste të imperializmit dhe të kapitalizmit monopolist. Imperializmi, interesat ekonomike, zgjerimi territorial dhe kontradiktat ndërmjet fuqive janë pjesë organike e aparatit shpjegues të Hotit. Prandaj, interesi, fuqia dhe balanca, megjithëse krijojnë pika takimi me problematika të realizmit politik, nuk e autorizojnë klasifikimin e Hotit si realist. Argumenti i tij ruan rolin e imperializmit, kontradiktave shoqërore dhe lëvizjeve kombëtare e revolucionare dhe, për më tepër, përmban një qëndrim kritik ndaj disa teorive perëndimore të balancës së fuqive. Realizmi mund të përdoret, për këtë arsye, vetëm si horizont krahasues dhe jo si etiketë teorike e autorit.
Po aq i rëndësishëm është funksioni që merr hapësira në shpjegim. Ballkani nuk paraqitet vetëm si vendi fizik ku zhvillohen ngjarjet, por si hapësirë ku kryqëzohen interesa strategjike, ekonomike dhe politike. Veçanërisht domethënëse është analiza e politikës ruse, ku Hoti flet për “shkaqe të karakterit ekonomik dhe gjeopolitik” (Hoti, 1978, f. 4). Pozita gjeografike, drejtimet e zgjerimit, Ngushticat dhe dalja drejt deteve të ngrohta hyjnë në shpjegimin e interesave të Rusisë dhe të reagimit të fuqive të tjera. Në një shënim Hoti përmend edhe teorinë e Heartland-it, duke iu referuar Mackinderit dhe Haushoferit. Kjo dëshmon praninë e një horizonti teorik në të cilin hapësira dhe fuqia mendohen në marrëdhënie, por nuk provon varësi doktrinare dhe as ndërtimin, nga ana e Hotit, të një teorie të formalizuar gjeopolitike.
Përcaktimi “gjeopolitik” është, pra, autentik i Hotit; qasja gjeopolitike është kategori e analizës sonë. Me të emërtojmë mënyrën se si hapësira, pozita strategjike, interesi dhe fuqia lidhen brenda strukturës shpjeguese të dorëshkrimit. Ky rindërtim nuk duhet shndërruar në determinizëm gjeografik. Hapësira nuk e prodhon vetvetiu politikën; ajo krijon kushte, mundësi dhe kufizime që marrin kuptim vetëm në marrëdhënie me ekonominë, kapacitetin shtetëror, interesin, ideologjinë dhe veprimin politik.
Brenda së njëjtës strukturë merr rëndësi të veçantë nocioni i “faktorit shqiptar”. Hoti shkruan për rëndësinë që Lidhja pati “për të futur faktorin shqiptar në vallen e tyre” (Hoti, 1978, f. 2). Ky është nocion burimor dhe duhet ruajtur si i tillë. Ai nuk emërton vetëm praninë demografike ose etnike të shqiptarëve, por momentin kur organizimi dhe veprimi i tyre mund të hyjnë, edhe në kushte të theksuara pabarazie, në kalkulimet e aktorëve të tjerë. Lidhja nuk zotëronte fuqinë dhe instrumentet diplomatike të shteteve, por organizimi politik krijonte një aftësi vepruese që mund të ndikonte në zbatimin e projekteve territoriale dhe në mënyrën se si çështja shqiptare merrej parasysh në politikën e fuqive.
Në këtë pikë duhet ruajtur një nga dallimet terminologjike themelore të studimit. “Faktori shqiptar”, “individualiteti politik kombëtar” dhe “faktori subjektiv” janë formulime të Hotit. Subjektiviteti politik, sistemi ndërkombëtar, ndërkombëtarizimi dhe qasja gjeopolitike janë kategori të analizës sonë. Ato përdoren për të sistemuar marrëdhënie dhe rrjedhoja teorike që dalin nga dorëshkrimi, por nuk duhet t’i atribuohen autorit si terminologji e tij. Në veçanti, subjektiviteti politik emërton aftësinë e organizuar të një bashkësie për të formuluar interesin, për t’u organizuar rreth tij dhe për të ndërmarrë veprim politik; ai nuk nënkupton subjektivitet juridik ndërkombëtar.
I njëjti kujdes është i nevojshëm për formulimin “individualiteti politik kombëtar”. Hoti vëren se ajo që deri diku mungonte ishte vetëdija mbi këtë individualitet dhe se Lidhja fillonte ta zhvillonte dhe t’i jepte vulën e saj (Hoti, 1978, f. 16). Formulimi dallon ndërmjet ekzistencës së vetëdijes kombëtare dhe zhvillimit të saj në formë politike. Ai nuk autorizon përdorimin retroaktiv të nocionit “komb politik”, të cilin Hoti nuk e përdor, por dëshmon lidhjen që autori vendos ndërmjet organizimit të Lidhjes dhe zhvillimit të vetëdijes për një interes politik kombëtar të dallueshëm.
Rëndësi të posaçme ka edhe deklarata drejtuar Fuqive të Mëdha, sipas së cilës “të gjithë jemi shqiptarë dhe se feja nuk ka të bëjë me ne” (Hoti, 1978, f. 17). Ajo nuk duhet lexuar si formulim abstrakt i një teorie të kombit ose si dëshmi e një sekularizimi të plotë të shoqërisë shqiptare. Rëndësia e saj është konkrete dhe politike: përballë një mjedisi diplomatik që popullsitë e Perandorisë shpesh i identifikonte përmes kategorive fetare, deklarata artikulon përkatësinë shqiptare si bazë të një interesi të përbashkët politik.
Edhe “faktori subjektiv” duhet ruajtur brenda fjalorit marksist të Hotit dhe të mos barazohet me subjektivitetin politik të analizës sonë. I pari lidhet me rolin e veprimit njerëzor dhe të forcave shoqërore në procesin historik; i dyti është kategori interpretative për aftësinë e organizuar të formulimit dhe të mbrojtjes së interesit. Ky dallim është i domosdoshëm për të shmangur mbivendosjen e terminologjisë bashkëkohore mbi tekstin e vitit 1978.
Leximi i dokumentacionit diplomatik përbën një tjetër tipar të rëndësishëm të metodës së Hotit. Traktatet, memorandumet, korrespondenca dhe vendimet e Kongresit nuk përdoren vetëm për të rindërtuar kronologjinë e ngjarjeve. Ato lexohen edhe si dëshmi të interesave dhe raporteve të fuqisë që qëndrojnë pas formulimeve diplomatike. Dokumenti ka, kështu, funksion të dyfishtë: dëshmon çfarë është vendosur, por ndihmon edhe për të shpjeguar mekanizmin politik që ka prodhuar vendimin. Kjo nuk do të thotë se çdo deklarim diplomatik reduktohet në maskim të interesit; do të thotë se teksti normativ dhe konteksti i fuqisë lexohen në marrëdhënie.
Objekti i këtij studimi, për rrjedhojë, nuk është rindërtimi i historisë së Lidhjes së Prizrenit në tërësinë e saj, as një histori e plotë e politikës së Fuqive të Mëdha ndaj shqiptarëve dhe as një paraqitje e përgjithshme e mendimit politik të Ukshin Hotit. Synimi është më i përcaktuar: të analizohet mënyra se si dorëshkrimi i vitit 1978 i lidh proceset shqiptare me krizën e Perandorisë Osmane, rivalitetet e Fuqive të Mëdha, politikën e balancës së fuqive, pozitën strategjike të Ballkanit dhe veprimin e organizuar shqiptar. Brenda këtij kufiri shqyrtohet edhe vendi që teksti mund të zërë në traditën shqiptare të interpretimit të Lidhjes.
Problemi qendror nuk është, pra, prania ose mungesa e faktorëve të veçantë, por funksioni dhe hierarkia e tyre brenda shpjegimit. Hoti nuk e nxjerr Lidhjen vetëm nga zhvillimi i brendshëm i vetëdijes kombëtare dhe as vetëm nga presioni i jashtëm diplomatik. Kriza osmane, rivalitetet ndërmjet fuqive, politika e balancës, pozita e Ballkanit dhe veprimi shqiptar formojnë një rrjet marrëdhëniesh në të cilin secili faktor merr peshë në raport me të tjerët. Në këtë kuptim, rëndësia metodologjike e dorëshkrimit qëndron në përpjekjen për të kaluar nga inventarizimi paralel i faktorëve te shpjegimi i ndërvarësisë së tyre.
Metodologjikisht, studimi ynë mbështetet në tri nivele leximi. Niveli i parë është leximi i drejtpërdrejtë i dorëshkrimit, ku formulimet e Hotit ruhen me statusin e tyre burimor. Niveli i dytë është rindërtimi analitik i marrëdhënieve ndërmjet nocioneve, argumenteve dhe strukturës shpjeguese të tekstit. Niveli i tretë është krahasimi me traditën shqiptare të interpretimit të Lidhjes, veçanërisht me autorët dhe kumtesat që i përkasin horizontit shkencor të 100-vjetorit të saj. Ky krahasim nuk synon të ndërtojë hierarki artificiale ndërmjet autorëve, por të përcaktojë çfarë Hoti ndan me traditën dhe në cilat pika mënyra e tij e organizimit të problemit merr tipare më të dallueshme.
Brenda këtij kuadri duhet kuptuar edhe nocioni kapërcim. Ai nuk emërton shkëputje ose mohim të historiografisë paraprijëse. Hoti mbështetet në probleme që tashmë ishin pjesë e saj: karakterin kombëtar të Lidhjes, organizimin politik, diplomacinë, politikën e Fuqive të Mëdha, Krizën Lindore dhe Kongresin e Berlinit. Ndryshimi më i mbrojtshëm qëndron në funksionin që këta faktorë marrin brenda shpjegimit. Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mbeten vetëm rrethanë e jashtme e ngjarjes, por bëhen një nga mekanizmat për të kuptuar kushtet dhe kufizimet e veprimit shqiptar. Në këtë kuptim, kapërcimi i paradigmës historiografike nënkupton zgjerim, rihierarkizim dhe riorganizim të strukturës së shpjegimit, jo mohim të traditës paraprijëse.
Po brenda këtyre kufizimeve duhet lexuar edhe titulli Ukshin Hoti dhe lindja e qasjes gjeopolitike në historiografinë shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. Fjala “lindja” nuk nënkupton se para Hotit mungonte çdo trajtim i hapësirës, diplomacisë, interesave strategjike ose dimensionit ndërkombëtar të Lidhjes dhe as se me dorëshkrimin e tij fillon në mënyrë absolute një disiplinë e re. Brenda korpusit të shqyrtuar, “lindja” emërton formësimin e një mënyre të hershme dhe të artikuluar interpretimi, në të cilën hapësira, interesi strategjik, fuqia, politika e balancës dhe veprimi i “faktorit shqiptar” integrohen në të njëjtën strukturë shpjeguese.
Arkitektura e studimit ndjek këtë logjikë. Kapitujt e parë shqyrtojnë pozitën e Lidhjes në marrëdhëniet ndërkombëtare, “faktorin shqiptar”, politikën e balancës së fuqive dhe pozitën e Perandorisë Osmane; më pas analizohen Ballkani, Kongresi i Berlinit, reagimi politik shqiptar, elita politike dhe zhvillimi i vetëdijes kombëtare. Pjesa vijuese e vendos Hotin në raport me traditën shqiptare të interpretimit të Lidhjes dhe shqyrton karakterin kritik të mendimit të tij, vendin e tij në historinë e mendimit politik shqiptar dhe rikonceptualizimin gjeopolitik të objektit. Kapitulli përmbyllës përcakton kontributin shkencor, teorik dhe metodologjik të dorëshkrimit. Analiza lëviz, kështu, nga burimi dhe konteksti drejt vlerësimit të arkitekturës së tij shpjeguese.
Qëllimi përfundimtar nuk është t’i atribuohet Hotit një sistem teorik që dorëshkrimi nuk e formulon dhe as të shkëputet teksti i vitit 1978 nga horizonti ideologjik dhe intelektual i kohës së tij. Synimi është të përcaktohet sa më qartë çfarë thotë burimi, çfarë mund të nxirret prej tij përmes interpretimit të kontrolluar dhe çfarë vendi mund t’i njihet në historinë shqiptare të mendimit mbi Lidhjen e Prizrenit. Vetëm mbi këtë dallim mund të vlerësohet në mënyrë të argumentuar rëndësia e dorëshkrimit si një prej formulimeve të hershme dhe të artikuluara që e lidhin historinë shqiptare me interesin, fuqinë, hapësirën, politikën e balancës dhe veprimin e organizuar të “faktorit shqiptar”. (Fragment studimi)








Comments