top of page

Begzad Baliu: GJUMI I VDEKJES – ZGJIMI I GJAKUT

  • Mar 6
  • 3 min read

(Prolog drame)

Vendi i ngjarjes: Një nga shtëpitë e Familjes së Jasharajve

Personazhet: Hidajetja, Besimi, Fitimi, Valdetja, Lirija...

Të veshur me pizhame në dhomën e gjumit janë ulur në gjunjë e luajnë.

Lirija: Hyn shpejtë dhe ulet në rreth: Heshtni, heshtni..., erdhi Gjyshi Shaban, Xhaxhi Hamzë...., Daja Musli..., Baca Adem... në odë. Po bisedojnë me Gjyshen Zahide.

Të gjithë: Uaaaaa.... Çka do të ndodhë?!

Besimi: Do të vinë policët serbë?

Valdeti: Nuk vinë! Nuk guxojnë nga gjyshi! Ata e dinë se gjyshi del e i vret me pushkë.

Blerimi: E nëse e vrasin Gjyshin Shaban? (Ndal frymën). Ndoshta është mirë të mos dal ai i pari?

Fitimi: Ai është më i madhi, i takon të jetë heroi i parë. Kur të kemi nevojë për fjalët e tij prej mësuesi, ulemi e i lexojmë veprat e Bacës Adem .

Valdeti: Unë nuk them të dalë as Gjyshi Shaban as Daja Musli. Janë shumë të moshuar dhe pushka e tyre mund të mos qëlloj drejtë në ballin e serbit. Unë them të dalë Xhaxhi Hamzë. Syri i tij pishë nuk lëshon këmbë shkau ta kalojë pragun e shtëpisë.

Besimi: E nëse e vrasin. Sa e heshtur do të duket shtëpia jonë pa zërin e fuqishëm të këngës së tij. Nuk e mbushin dot as vargjet e Naim Frashërit e të Gjergj Fishtës, që i reciton Xhaxhi Shaban, as urimet epike të Gjyshes Zahide, nuk bën...

Valdeti: Kur të na merr malli e thërrasim Xhaxhin Ilir , se vetëm ai dhe e Xhaxhi Hamzë e mbushin me këngë shtëpinë tonë....

Lirija: Po unë them i pari serbët le t’i pres Baci Adem. Ai është më i forti, më i frikshmi. Atij i frikësohen serbët të gjallë e të vdekur. Kur ai është këtu serbët nuk guxojnë të sillen këtej.... As në qytet as në fshat, le më pastaj afër shtëpive tona.... Nuk frikësohen vetëm prej kallashit të tij, nuk frikësohen vetëm prej trimërisë së tij, nuk frikësohen vetëm prej krenarisë së tij, frikësohen edhe prej frymës së tij...

Hidajeti: A e keni parë veshjen e tij legjendare, ecjen e tij si në këngët epike, armët e tij si të Robin Hudit, flokët e tij si të Çegevares, mjekrën e tij si të Skënderbeut... Çfarë pamje markante e shtatores së tij në oborrin tonë, në fshatin tonë, në qytetin tonë, në Kosovën tonë... Jo, në Shqipërinë tonë, sepse ai ka lindur më 28 Nëntor - Ditën e Flamurit dhe vdekja e tij ka kuptim vetëm si vdekje për të gjithë shqiptarët....

Valdeti: Ndërhyn. Heeeej e pse do të vdes Baci Adem. Kush guxon ta vras atë. A nuk thotë Gjyshja Zahide: Baci Adem është Ora e shtëpisë, Roja e saj, shpirti i të cilit rri nën pragun e derës së oborrit, edhe kur ai nuk është këtu.

Hidajeti: Ndërhyn. Atëherë le të dalë Gjyshja Zahide dhe e para le të bëhet theror si te Legjenda e Urës së Fshejt!

Të gjithë: Joooooo. Ajo është pranë neve edhe kur të gjithë të tjerët mungojnë! Vdekja e saj është edhe vdekja.....

Bie heshtje morti. Asnjë zë, asnjë lëvizje. Fundin e fjalisë nuk arrijnë ta shqiptojnë.

Dëgjojnë zërin e një prej nënave te dera e dhomës: Fëmijë. Mos u shtrini me pizhame. Vishuni të gjithë me rrobat e ditës. Jaknet te koka. Pastaj shtrihuni po, kujdes, mos e bëni gjumin e vdekjes.

Shkon.

Fëmijët zgjohen të gjithë që të vishen shpejt.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page