Baxhul Merkaj: Aktori dhe artisti Ndoc Cefa është i përjetshëm...
- 46 minutes ago
- 6 min read

Baxhul Merkaj:
In memoriam
Ndoci i mirë, talenti i padiskutueshëm, ishte dhe mbeti miku i mirë. Ai ishte artist dhe aktor i teatrit dhe i filmit shqiptar. Ka luajtur krah artistëve të shquar Sandër Prosi e Mevlan Shanaj (“I teti në bronx”), njeriu që mbolli dashuri dhe mirësi te miqtë dhe shokët. Kështu e kujtojnë Ndocin shokët e tij, Mezin Paja, Esat Musliu, Albert Minga, Hafiz Spaho, Rita Gjeka, Bruno Shllaku etj. Ai kishte një lidhje të fortë me njerëzit e kulturës; madje miku më i ngushtë i tij ishte kompozitori i njohur shkodran Zef Çoba.
Ndarjen nga jeta të Ndocit e mora vesh nga miku im, regjisori i njohur Esat Musliu. Ishte ora tetë e mbrëmjes dhe Esati më pyeti:
— Baxhul, e mban mend Ndoc Çefën? Ka qenë student paralel, kur ishim në Institutin e Arteve?
Iu përgjigja se e mbaja mend Ndocin. E takoja shpesh në shkollë dhe në konvikt. Ishte djalë i çiltër dhe komunikues. I urtë, i lirë, flokëgështenjë.
— Po, ashtu është, – m’u përgjigj Esat Musliu. – Por është shumë i sëmurë në Amerikë. Ka kohë që ka ikur në Amerikë.
Më kaploi një dhimbje në shpirt. Pastaj Esati, siç flet gjithmonë, më tha:
— Baxhul, ti je mjeshtri që ke sjellë në publicistikë profilet e artistëve. Do të lutesha të shkruaje edhe për Ndocin!
I premtova se do të shkruaja.
Në mbrëmje më telefonoi artisti Mezin Paja dhe më tha:
— Ndoc Çefa është nga Shkodra! Të shkruash për Ndocin kujton Shkodrën, djepin e kulturës shqiptare, por shkruan edhe për plejadën e teatrit, kinemasë, dramaturgjisë dhe emrave të njohur si: Pjetër Gjoka, Tinka Kurti, Serafin Fanko, Roza Anagnosti, mjeshtrin e shkrimtarisë dramaturgjike Fadil Kraja, artistët dhe aktorët Zef Deda, djali i tij Juljan Deda, Tano Banushi, Zeliha Miloti, Bruno Shllaku, studiuesin e letërsisë dhe gjuhës Primo Shllaku, muzikologët Çesk Zadeja, Tonin Harapi dhe piktorët mjeshtër si Kol Idromeno, shkruan për Marubët etj.
Dhe, siç ndodh në raste të tilla, u përpoqa ta rikujtoj ashtu siç e kam njohur unë Ndocin e mirë, ndërsa kisha dëshirë që për të të mblidhja lulet më të bukura dhe më aromatike të bregut të detit, maleve të Labërisë dhe Lapardhasë sime, që edhe ai ta ndjente dashurinë time dhe aromën e anëve të mia, për t’ia dhuruar Ndocit të mirë nga Shkodra. Ndoci e meriton mirënjohjen time dhe të brezit të tij studentor, por edhe të aktorëve apo artistëve.
Ndoc Çefa la gjurmët e tij, qoftë si një veprimtar i rëndësishëm në fushën e artit dhe kulturës, si regjisor në Estradën e Kukësit, në Pallatin e Kulturës Shkodër (aktor dhe drejtor i Teatrit “Migjeni”), por edhe si veprimtar publik, duke qenë për disa vite në detyrën e kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër.
Lamtumirë Ndoc Çefa

Ndoci krijoi dhe la një familje. La pas të shoqen, një fisnike si Ikbali, dhe dy djemtë. La pas miq artistë, që e kujtojnë atë për veprën e bukur që krijoi në art.
Miqtë dhe kolegët e tij flasin për të, duke krijuar profilin e një artisti të vërtetë, që nga bankat e shkollës, auditoret, sheshet e xhirimit dhe skena e teatrit. Më kanë folur për të dhe kujtimet me Ndocin aktorë e artistë, regjisorë si Mevlan Shanaj, Esat Musliu, Mezin Paja, Drita e Fatos Haxhiraj, të cilët, përveç talentit dhe imazhit të artistit, shquanin tek ai një njeri të qeshur, një njeri plot humor (humor Shkodre!), fragmente jetësore nga jeta konviktore dhe plot kujtime të tjera, duke e bërë figurën e tij të dashur dhe njerëzore.
Miku i Ndoc Çefës, Mezin Paja, një personalitet i dijes dhe jetës artistike në Tiranë, i cili është i prekur nga ikja e artistit nga kjo jetë, më tregon:
— Ndarja nga jeta e Ndocit më ka tronditur, më ka krijuar një hidhërim dhe sëmbim të thellë, siç ka ndodhur me familjarët dhe miqtë e tij. Ndoci u nda nga jeta larg Shkodrës dhe Shqipërisë, në një spital të Nju-Jorkut. E kam ndjekur me ankth shëndetin e tij të dobët, por nuk ia doli.
Jo shumë ditë më parë fola me të. Ishte kurajoz dhe, duke besuar në mjekësinë amerikane, më dha shpresë se do të shiheshim përsëri. E donte shumë Amerikën, sepse e identifikonte me lirinë. Më premtoi se do të takoheshim përsëri te “Mondiali” në Tiranë, si zakonisht.
Ikbali, bashkëshortja e tij, më njoftoi për ikjen e tij nga kjo jetë me një mesazh të trishtë. Nuk mund të rrinte pa ma treguar, sapo kishte ndodhur. Ne ishim shumë miq me njëri-tjetrin.
U trondita. Desha ca kohë të besoja dhe ta merrja veten. Nuk e mbajta dot vetë gjithë dhimbjen dhe kështu fola me shokë e miq të mi e të tij, si regjisorët e njohur Esat Musliu, Albert Minga, Hafiz Spaho, por edhe me artisten e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Rita Gjekën, aktorin Bruno Shllaku e, veçanërisht, me mikun e ngushtë të Ndocit, kompozitorin elitar Zef Çobën, i cili sapo e kishte postuar në profilin e tij në internet, me plot dhimbje, lajmin e hidhur. Ndoci ynë nuk është më mes nesh. U pikëlluam të gjithë për Ndocin, pasi ai kishte dhënë diçka njerëzore te secili nga vetja. Ndoci dhe unë nuk e harruam kurrë kohën e shkollës, konviktin, auditoret, shoqërinë, çapkënllëqet dhe bukurinë e atyre kohëve.
Tirana ishte e bukur për studentët: teatri, bulevardi, tavernat, pistat e vallëzimit në verë, jeta plot gjallëri në Qytetin Studenti. Kishim kaq gjëra për të kujtuar me Ndocin. Sado pak lekë kishim, por gjenim një mundësi të uleshim diku në mbrëmje. Ndocit i pëlqente çinzano.
Kujtoj se, për herë të parë, Ndocin e kam parë në skenën e Teatrit Popullor. Luhej drama “Të rinjtë” e autorit Vangjush Vinçani nga nxënësit e artit dramatik të klasës së katërt të Liceut Artistik.
Ndoci, në këtë kohë, ishte në klasën e dytë dhe luante rolin e një pionieri. U pëlqye në rol dhe u duartrokit më shumë se të tjerët.
Kur fillova vitin e ri shkollor, Ndoci te të gjithë kishte një opinion prej artisti, d.m.th. adhurohej nga ne dhe shihej me simpati.
Pas tre apo katër vitesh, bashkë me Ndocin ishim në një kurs, si studentë të artit dramatik. Përveç auditorit, jetës konviktore dhe natyrës çapkëne, unë, Ndoci dhe Ibrahim Muça (i ndjerë tashmë) krijuam një shoqëri të qëndrueshme. Madje kishte një nofkë për ne, “Tre musketierët”. Në ndonjë rast përmendej edhe romani i famshëm i Remarkut, “Tre shokët”, që dukej se i shkonte shoqërisë sonë. E, në fakt, ishim shokë të lidhur fort, sa ndanim edhe bukën me njëri-tjetrin. Për të pasur ndonjë lek në xhep, të tre konsumonim dy bursa, ndërsa njërën e bënim ndonjë lek për nevoja të tjera, ndonjë darkë, ndonjë kinema apo teatër.
Ndryshe nga ne të tjerët
Ndoci ishte elegant, korrekt, i dashur me njerëzit dhe fort i lidhur me nënën. Ruante lidhje me gjithë shokët e fëmijërisë dhe ata të punës në Gjirokastër e Elbasan, para se të vinte në Institutin e Arteve. Paketa e tij e duhanit mbarohej shpejt; nuk kursente gjë për shokët dhe me asnjë njeri nuk u grind kurrë.
Ndryshe nga ne të tjerët, Ndoci kishte blerë një kostum. Ndoshta më pak se kushdo tjetër, kostumin e Ndocit vetëm ai e veshi më pak, sa shpeshherë na duhej të thërrisnim në korridor:
— Ej, çuna, kush e ka kostumin e Ndocit, ta sjellë te kremastari, se na duhet për vete.
Ne, shokët e afërt, e konsideronim “kostumin tonë”.
Pas diplomimit u ndamë. Brezi ynë bëri karrierë: Ndoci u shqua si regjisor filmash; Ibrahim Muça, Esat Musliu, Qerim Mata në filma artistikë e dokumentarë të Kinostudios; Elpiniqi Bode (Coja) si regjisore montazhi; Albert Minga regjisor i disa filmave artistikë e dokumentarësh televizivë; Xhemil Tagani aktor i njohur në Teatrin Popullor; Tefta Hamzaraj aktore në Teatrin e Elbasanit etj. Edhe pse u ndamë fizikisht, e ndoqëm njëri-tjetrin dhe u gëzuam për arritjet e secilit.
Në rrjedhën jetësore, Ndocit iu desh të provonte kalvarin e mërgimit. Kisha dëgjuar se jetonte në Francë ose në Amerikë. Një rast, një person që bënte vrap rrotull liqenit artificial, tek më pa, ndali vrapin krah meje dhe më pyeti:
— Mos je shok i Ndoc Çefës ti?
Nuk priti të dëgjonte përgjigjen time dhe, edhe pse i thashë një “pooo” të gjatë, ai iku me nxitim. Nxitova ta pyes:
— Ku është Ndoci?
Vetëm dëgjova kaq:
— Pa merak. Është shumë mirë, do të vijë në Tiranë së shpejti…
U gëzova që ishte mirë Ndoci.
Pas shumë vitesh mërgimi, Ndoci erdhi në Tiranë. Mezi prisnim orën e takimit. Xhemil Tagani, që e kishte lënë orarin dhe vendin e takimit me Ndocin, nuk kishte lënë njeri pa lajmëruar. U mblodhëm rreth tij si dikur, kur ishim të rinj. Kishim mall dhe dashuri për njëri-tjetrin.
Vitet e fundit, së bashku me bashkëshorten e tij, Ikbalin, Ndoci i kaloi në Tiranë. Takoheshim dhe kujtonim shokët e shoqet, bisedonim për fëmijët e familjen.
Tashmë Ndoci nuk është më. Dhemb ikja e tij. Ai ka lënë një boshllëk mes nesh, sepse ishte i tillë. Mungesën e tij do ta ndjejë Ikbali, bashkëshortja, që i ka qëndruar pranë deri në frymën e tij të fundit; do ta ndjejnë dy djemtë, do ta ndjejnë të afërmit, miqtë dhe shokët e shumtë.
Ndoci u largua nga kjo jetë, por ne do ta kujtojmë.
Të shkruash për Ndoc Çefën gjithmonë është pak, pasi ai la gjëra të çmuara si artist dhe njeri.
Tiranë, korrik 2026








Comments