top of page

Bashkim Saliasi: SHPËRNGULJA NË TIRANË

1 hour ago
8 min read

 

Më 1 korrik të vitit 1996 bëra lëvizjen e familjes nga qyteti i Poliçanit për në Tiranë. E shita shtëpinë në lagjen Kalluç të Poliçanit, në muajin janar të vitit ’96 dola me qira në Mbrakull, në muajin shkurt deri më 1 korrik 1996. Lekët e shtëpisë i çova te firma “Gjallica”. Në Tiranë u vendosa te shtëpia që kishte ndërtuar nipi im, Kastriot Hebibasi, në rrugën “Myslim Keta”, lagjja “Ngjyrosja”, pranë Kinostudios. Me punën e tij si emigrant në Greqi, Kastrioti kishte arritur të ndërtonte shtëpinë dhe të vendoste dyert dhe dritaret, por shtëpia nuk ishte suvatuar.

Dy muajt e pushimeve kaluan shpejt. Shtëpia ishte e pashtruar dhe e pasuvatuar, por kushtet na diktonin që të jetonim derisa të krijonim stabilitet në punë dhe të ndërtonin banesën tonë. Tërhoqa dokumentet doras nga seksioni i arsimit në Skrapar dhe i dorëzova në Ministrinë e Arsimit. Në korridoret e Ministrisë rastësisht takuam profesor Neritan Babamustën, punonjës në MASH. Me të ishim njohur në vitet ’86-’87, kohë kur ime shoqe, Angjelina, kryente detyrën e drejtoreshës në shkollën e bashkuar Nishovë, Bargullas.

Neritan Babamusta ishte përfaqësues i një grupi inspektorësh të MASH-it. Përveç inspektimit që kishte kryer në disa shkolla në rreth kishte shkuar dhe te shkolla në Nishovë. Shkollën e kishte gjetur shumë të rregullt, si në mjediset e brendshme dhe ato të jashtme dhe ftesës së sime shoqeje i ishte përgjigjur pozitivisht për të kaluar drekën, pasi mensa e koperativës ishte mbyllur në atë kohë. Atë vit unë punoja në shkollën e Pronovikut dhe kur u ktheva pranë familjes e gjeta në shtëpinë time ekipin e ardhur nga Tirana, ku ime shoqe së bashku me kolegët u kishin përgatitur drekën.

Kishim vite që nuk ishim takuar me profesor Neritanin, por atë ditë që çuam dokumentet në Ministri e hasëm në korridoret e saj. Na ftoi për një kafe dhe aty i treguam hallin tonë. Ai na këshilloi që dokumentet t’i dorëzonim në zyrën arsimore të fshatit, por ne kundërshtuam duke i thënë se ne po vijmë nga shkolla e mesme e përgjithshme, gjimnazi i Poliçanit dhe jo nga fshatrat e Skraparit.

-Bëni si t’ju duket më mirë, - këshilloi profesor Neritani. Pasi morëm konfirmimin nga Ministria, dorëzuam dokumentet në seksionin e arsimit të qytetit Tiranë dhe prisnim përgjigje çdo të premte, në fund të çdo jave. Fluksi i ardhjes së mësuesve nga rrethet atë vit ishte shumë i madh, saqë shkollat në rrethe u detyruan të punësojnë mësues jashtë profilit apo dhe pa arsim përkatës. Atë vit në drejtorinë arsimore të qytetit u emërua një patrioti ynë, Kujtim Kapllani, që mua jo vetëm nuk më mbaroi punë, por as për të dëgjuar nuk pranoi të ulej, edhe pse unë isha i shoqëruar me nipin e tij, kolegu im, mësuesin e  biologji-kimisë në gjimnazin e Poliçanit.

Nuk po zgjatem shumë se nuk ia vlen të harxhoj kohën me ecejaket në drejtorinë e qytetit të Tiranës dhe, në fund, vetëm Angjelina pas tre vjet e gjysmë arriti ta përballojë duke punuar si mësuese zëvendësuese në shkolla me emër të Tiranës, si në gjimnazin “Sami Frashëri”, “Eqrem Çabej”, elektrike, “Arben Broci” etj. Po ky drejtor, në sajë të karakteristikës së shkëlqyer që kishin dërguar në drejtorinë arsimore e emëroi zv.-drejtoreshë në shkollën “Musine Kokalari” në Kombinat.

I papunë mbeta duke u sorollatur rrugëve të Tiranës. Kur kishte punë vëllai im, Izeti, shkoja dhe punoja në ndërtim në përgatitjen e betonit, llaçit apo transportimin e materialeve që përdoreshin për ndërtimin e banesave. Hallet nga dita në ditë po shtoheshin. Fëmijët i stabilizova në shkolla, por ata kishin nevojë për të mbuluar shpenzimet për libra e fletore. Qiraja ishte për të larë, faturat duheshin paguar…, firmat piramidale u shkatërruan. Kursimet e mia i kisha depozituar në firmat piramidale “Gjallica”, “Populli” dhe letrat me vlerë në firmën përkatëse që në këto momente nuk po më bie ndërmend.

Ato ditë që punoja në ndërtim lodhesha pamasë dhe në mbrëmje nuk kisha mundësi të ndihmoja fëmijët për mësimet. Me ta merrej Angjelina, kur gjente punë ndihej e çlodhur, kur mbetej pa punë mërzitej dhe ngahera më jepte kurajo se do t’i kalonim këto ditë të vështira…

Muajt e nxehtë, korriku dhe gushti, kaluan dhe i harruam mushkonjat që na sulmonin nga të gjitha anët, sepse muret ishin të pasuvatuara. Një ditë të ftohtë nëntori të vitit ’96, ishim grumbulluar rreth zjarrit me fëmijët dhe time shoqe duke qarë hallet. Në derë hyri motër Jemineja, e shoqëruar nga djali i saj, Kastrioti.

- Përse je mërzitur, vëlla? -foli ime motër që te dera.

- Si mos mërzitem, motër, këta duan të hanë, dritat dhe uji do paguar, shpenzimet e shkollës duhen mbuluar etj. ...

- Qetësohu, vëlla dhe mbaj mendjen, shpresa vdes e fundit. Këto që po kalon tani ti, unë i kalova disa vite më parë në kushte më të vështira se ti, prandaj kurajo. Nipi u ul në krah të sime motre dhe m’u drejtua mua:

- Nesër, dajë, do të fillojmë një punë së bashku, ti, unë dhe Niku. Unë dhe ti do të punojmë në turnin e parë dhe të dytë, kurse Nikoja do të punojë gjithmonë në turnin e tretë. Nëse je dakord, ngrehu të shkojmë të shikojmë punën dhe të firmosim kontratën.

E lashë time motër në shtëpi dhe së bashku me Kastriotin shkuam në Tiranë të re. Në një zyrë avokatie nënshkruam kontratën e punës dhe prej andej shkuam te vendi i punës në Yzberish, afër Kombinatit të Mishit. Kur u afruam te porta, nipi im Kaçi hapi derën dhe më ftoi të hyj brenda. Ecëm në heshtje drejt një godine dykatëshe me një çati alpine. Në katin e parë ndodheshin dy dhoma dhe një banjë e kompletuar shumë mirë. Në katin e dytë ishte një dhomë e pajisur me një dyshek dopio dhe e mirëmbajtur mirë.

- Ja dajë, - foli nipi që deri atëherë kishte qëndruar pa folur, - kjo është puna që do bëjmë. Do të qëndrojmë në këtë dhomë në katin e parë dhe do të ruajmë ato tullat e tjegullat që pe aty jashtë.

- Janë ditë të errëta, - foli nipi im, - siç e shikon firmat piramidale falimentuan, revolta e popullit është rritur, armët janë shpërndarë dhe gjendemi në një situate kaotike. Rrija dhe e dëgjoja nipin dhe mendja më shkoi te revolta e popullit të Tiranës në ditët e para të prishjes së sistemit piramidal, ku njerëzit për gjithë ato vite kishin depozituar kursimet e tyre, apo kishin shitur prona e shtëpi për të fituar më shumë, por si përfundim i humbën të gjitha.

Ditën e tretë shkova bashkë me djalin e vogël, Idin. Kisha ulur kokën dhe po punoja me librin “Ne ishim pesë shokë”, kur djali që po luante jashtë më tërhoqi vëmendjen.

- Babi te porta është një grua që po thërret. Dola shpejt te porta dhe, pasi u përshëndetëm, më tregoi se cila ishte.

-Jam administratorja e sheshit që ju po ruani, - u prezantua ajo. Pas përshëndetjes dha këtë porosi:

- Bëni kujdes mos u vjedhin tullat dhe tjegullat që ndodhen brenda sheshit. Më pas, zonja u largua. Nuk vonoi shumë dhe erdhi Kaçi që e kishte takuar në rrugë dhe kishte marrë udhëzimet e nevojshme. Para se të linim punën, pas trazirave që ndodhën në Tiranë, u takuam me zonjën dhe të shoqin e saj.

Zonja ishte doktoreshë dhe punonte te spitali i kancerit te nëntëkatëshet, kurse i shoqi në Ministrinë e Arsimit. Pronari grek, kur pa që revoltat po shtoheshin, u largua dhe e braktisi sheshin që kishte marr me qira. Si të papunë që mbetëm të dy, unë dhe Kastrioti kaluam në ndërtim me Izetin.

Izeti punonte afër ambasadës kineze, ku ndërtonte shtëpitë e një fshatarit tonë. Ishim të organizuar në grup Izeti, Hyseni, Fatmiri, Elidoni, Genti, unë dhe Kaçi. Kryeusta ishte im vëlla, Izeti. Nipërit e mi, Fatmiri dhe Elidoni kryenin detyrën e ustait nën drejtimin e Izetit. Ne të tjerët kryenim detyrën e punëtorisë. Duke pirë kafe, një ditë hekurkthyesi më thotë se më duhet një ndihmës, por nuk po di se kë të marr.

- Mos e zgjat, - i them, - por merr Kastriotin, se e ke djalë të mirë dhe punëtor.

- A pranon ky të vijë e të punojë me mua? -më pyeti hekurkthyesi.

- Pranoj me pagën që ramë dakord në tavolinë, - u përgjigj nipi.

Pas një viti, Kastrioti u shkëput nga ai dhe së bashku ndërtuam pallatin te njësia numër 4 me pronar Biu Sollaku. Punonim së bashku dhe pagesën e ndanin përgjysmë. Kjo lloj pune më dha krah që të përmbushja disi hallet familjare. Me ndihmën e Izetit dhe me kurajon tonë arritëm t’ia dalim dhe si përfundim pallatin e filluam dhe e mbaruam deri në fund. Në vitin ’98 Kastrioti u shkëput nga ndërtimi dhe kaloi në zanatin e shoferit të një firme në Brrari. Mbeta vetëm me djemtë. Vëllai zuri një punë në fushën “Ali Demi”. Ishte pallat pesëkatësh, me soletë monolite e me hekur tetësh pa ndërprerje. Një pasdite, vëllai më thirri në shtëpi dhe më tregoi për punën që kishte gjetur duke më treguar projektin.

- Si mendon, a e përballon dot lidhjen e hekurit në pallatin që do të ndërtojmë në lagjen “Ali Demi”?

- Me ndihmën tënde dhe të djemve të mi mendoj se do t’ia dal, - i dhashë përgjigje vëllait atë pasdite. Si ndihmës mora djalin e madh, Melin, që atë vit vazhdonte shkollën e mesme elektrike. Meli punonte me mua deri në orën 11 e 30 dhe më pas shkonte në shkollën elektrike. Në shtator, në vitin e tretë u shkëput nga shkolla elektrike dhe vazhdoi shkollën e mesme “Partizani”. I regjistrova të dy në gjimnazin “Partizani”, por Idi gjatë semestrit të dytë, një ditë të diel, më thotë se “unë nuk kam qejf të vazhdoj gjimnazin, por dua të vazhdoj shkollën e kuzhinës”.

Desha, s’desha, pranova dhe kur i treguam Linës ajo nuk ishte dakord, por djali e kishte vendosur. Ndodhi ajo që nuk e kisha parashikuar. Idi e la gjimnazin dhe vazhdoi punën me mua. Montimin e mësoi shumë mirë, por më pas ia mori dorën edhe punimit të hekurit. Veç pallatit, me dy djemtë bëmë dhe punë të tjera, kur ishim të lirë, te pallati që po ndërtonim në lagjen “Ali Demi”. Me shumë sakrifica arrita të laj lekët e tokës dhe borxhin e ndërtimit të shtëpisë njëkatëshe, që më vonë e prisha për arsye se ishte e pabanueshme.

Hodhëm themelet e shtëpisë së re dykatëshe që banoj tani. Nisi një kalvar vuajtjesh për familjen tonë. Nuk kishim ndërtuar ndonjëherë shtëpi dhe e kishim me frikë. Vëllai im, Izeti, pasi lava lekët e tokës, më inkurajonte shpesh në biseda, se shtëpia është keq sa ta nisësh, por pastaj ajo ecën se ka uratë. Me mundim e sakrifica në vitet ‘2000 piketuam plintat me vëllanë dhe  Meli i hapi ato dhe betonuam kolonat. Pas një viti i rrethova trarët me hekur, hoqa dheun brenda trarëve dhe i mbusha me zhavor hapësirat midis plintave.

Nga viti në vit punët tona në ndërtim erdhën duke u shtuar dhe, së bashku me djemtë, ngrita kolonat e më pas hodha soletën e katit të parë. Idi, pasi mbaroi shkollën e hoteleri-turizmit konkuroi dhe fitoi të drejtën për studime në Kamzë, në degën inxhinieri mjedisi.

Më 4 korrik të vitit 2007 ndërpreu studimet dhe emigroi në SHBA. Edhe Meli konkuroi në vitin 2008 në fakultetin inxhieri-miniera, por pas një viti e braktisi dhe ky shkollën. Në vitin 2009 Idi sëmuret dhe kthehet nga Amerika.

Unë që nga viti 2004 e kisha lënë zanatin e hekurkthyesit dhe punoja mësues në shkollën e Valiasit, në Kamzë. Para se Idi të ikte në Amerikë morëm një kredi dhe ndërtuam katin e dytë. Pas dy vjet e shtatë muajsh të lodhshëm, Idi lau borxhin e rrugës që iku në Amerikë. Borxhi ishte 16 mijë euro ose 25 mijë dollarë dhe në fund u kthye përsëri me borxh në Shqipëri, gjashtë mijë dollarë, që ia kishim marrë hua Qemalit. Mora një kredi prej 6 milionë lekësh dhe lava borxhin e djalit. Morëm përsëri kredi në bankën “Raiffeisen”, në emër të sime shoqeje dhe, derisa doli në pension, ajo nuk mori asnjëherë pagë të plotë.

Idi filloi punë në Forcat Komando me shpresë se mos shkonte në ndonjë mision, por një gjë e tillë nuk u realizua. Morëm një kredi tjetër dhe bëmë suvatimin e katit të dytë, kurse dyert e dritaret i paguam me kursimet tona. Meli mori një overdraft dhe, pasi lyem shtëpinë, u ngjitëm lart në katin e dytë. Pas disa vjetësh e prisha shtëpinë e vjetër dhe kati i parë edhe sot e kësaj dite është akoma i pabanueshëm, sepse nuk është përfunduar.

Në vitet e mëvonshme Idi punoi në Tiranë dhe më pas shkoi në Greqi e prej andej në vitin 2019 emigroi në Angli. Tani vazhdon të punojë dhe jetojë në Londër. Meli vazhdon punë në policinë private, kurse unë dhe Angjelina kemi dalë në pension …

Redaktoi dhe korektoi: Muhamet Cenko

Tiranë/ 03/11/2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page