top of page

Bashkim Saliasi: ME XHA DEMIRIN NË AKSION...


ME XHA DEMIRIN NË AKSION NË HEKURUDHËN FIER-BALLSH

(1 SHKURT-10 MARS 1975)

 

       

Ishte muaji shkurt i vitit 1975. Atë muaj fillova punën prodhuese. Për të gjitha kategoritë e shkollave Ministria e Arsimit vendosi si kriter që të gjithë nxënësit që mbaronin vitin e katërt të kalonin një vit stazh në prodhim dhe më pas ata që plotësonin kriteret do të vazhdonin arsimin e lartë. Ky kriter u vendos edhe për studentët që mbaronin arsimin e lartë. Në një bisedë të lirë me sekretarin e rinisë të rrethit, shokun Kujtim Lame, mësova se gjatë muajit shkurt do të nisej një brigadë vullnetare për në hekurudhën Fier- Ballsh.

Pyes Kujtimin nëse quhej aksioni punë prodhuese. Përgjigjja ishte pozitive. Ditën e dytë regjistrova emrin në listë.  Aty mësova se në këtë brigadë ishin dhe dy shokët e mi të shkollës pedagogjike Fier, Pëllumb Bajraktari dhe Qani Ymerali. Në datën 1 shkurt të vitit 1975 u rreshtuam në sheshin para Komitetit të Partisë së rrethit Skrapar të asaj kohe dhe pas përshëndetjes nga sekretari i parë i rinisë së rrethit, Kujtim Lame, u lexua lista e personave pjesëmarrës. Lista e emrave kryesohej nga komandanti që kryente stazhin e Partisë në prodhim dhe komisarit që do të drejtonin brigadën e aksionistëve në hekurudhë. I treti në listë u lexua emri i këngëtarit Demir Zyko. Emri i xha Demirit nuk ishte i panjohur për ne aksionistët që po niseshim për të kryer detyrën e ngarkuar nga partia e rrethit Skrapar, por prania e xha Demirit la mbresa në memorjen tonë. Pasi mbaroi ceremonia e rastit dhe morëm porosi që në fund të aksionit të ktheheshim me flamur (propagandë që zinte vendin e parë në ato vite), për të nderuar rrethin dhe familjet tona, ne aksionistët zumë vend në autobus.

Viti 1975

Në mesditën e datës 01.02.1995 brigada e aksionistëve të Skraparit mori rrugën për në Fier në sektorin e Drenovës. Në vendin e parë u ul xha Demiri. Nuk më kujtohet emri i komandantit të brigadës, por mbaj mend që ishte nga fshati Osojë apo Vëseshtë, nuk jam i sigurt dhe kryente stazhin e partisë në prodhim. Ky me sa mësuam gjatë kohës që qëndruam në sektorin e Drenovës i mbante këngën xha Demirit. Për xha Demirin kisha dëgjuar shumë në ato vite. Kënga e tij “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, ishte vlerësuar jo vetëm nga komisioni i festivalit folklorik që ishte realizuar në Kalanë e Gjirokastrës, por ishte vlerësuar dhe nga vetë Enver Hoxha. Xha Demiri me zërin e tij brilant në vitin 1975, nga Presidiumi i asaj kohe ishte vlerësuar me titullin “Naim Frashëri i Artë”.

Xha Demiri, një burrë fisnik e me mustaqe, ishte i rregullt, i pastër si  drita dhe tepër modest. Në tiparet e tij burrërore dallonte jo vetëm nga mosha, por edhe nga paraqitja estetike. Në mëngjes çohej i pari dhe pasi kryente shërbimet personale afrohej pranë tribunës dhe ishte ndër të parët që futej në rresht, kur dëgjonte borijen e rreshtimit për në mensë dhe më pas nisja drejt frontit të punës. Fronti i punës së brigadës së Skraparit ishte afër qytetit të Ballshit dhe xha Demiri çapitej në fund të rreshtit si një mal hijerëndë me shkopin e tij karakteristik që s’e lëshonte asnjëherë nga dora. Në mbrëmje dhe shpesh në mëngjes xha Demiri hipte në tribunë dhe ia merrte këngës. Të gjithë aksionistët e ndiqnin me shumë vëmendje dhe me një qetësi absolute, kur kënga me zërin e tij në mikrofon mbushte gjithë hapësirën e fshatit Drenovë.

Në mbrëmje priste me ankth se cila brigadë kishte dalë më mirë në realizimin e normës dhe nderohej me flamur. Gëzonte për flamurin dhe nuk përtonte që t’ia merrte këngës. Ne qëndruam një muaj e gjysmë në sektorin e Drenovës për arsye se nuk u arrit të mbaronte faza përfundimtare e punimeve në fund të muajit shkurt për të arritur treni në qytetin e Ballshit. Kështu, pas inagurimit, që u bë më 10 mars të vitit 1975, brigada jonë u nderua me flamur për realizimin dhe tejkalimin e objektivave të ndërmarra nga sektori Drenovë, në  Ballsh të Fierit.

Gjatë rrugës së kthimit xha Demiri nuk reshti së kënduari dhe gëzuari bashkë me ne…

Bashkim Saliasi  

Tiranë, 14.04.2024  

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page