Bashkim Saliasi: HELMIMI

JETËGJATI NUK BËHET JETËSHKURTËR
Një ngjarje e padëshirueshme më ndodhi në Nishovë, më 01.06.1983, ditën e premte. Kishim ditë që në familjen tonë po diskutonim për të shkuar në familjen e kolegut Asqeri Koxhaj për vizitë. Të shoqes së Asqeriut i kishte vdekur tezja dhe na duhej të shkonim për ngushëllim.
Ditën e premte zhvillova mësim me shkollën e mbrëmjes deri në ora 7 e 30, profili bujqësor, kurse ime shoqe kryente detyrën e drejtoreshës së shkollës 8-vjeçare të bashkuar me shkollën e mesme të mbrëmjes dhe pasdite kryente punët e shtëpisë.
Në mbarim të mësimit kthehem në shtëpi dhe Linën e gjeta në banjë duke larë rrobat, kurse Meli flinte gjumë në krevat në dhomën e gjumit tonë. Juli vinte vërdallë nëpër shtëpi duke luajtur me lodra. Pasi u përshëndeta me Linën, ajo më thotë:
- Sa të mbaroj unë këto pak rroba që më kanë mbetur për të larë, merri ato dokumentet që kam lënë në tavolinë dhe çoja mësues Feritit që t’i çojë nesër në seksionin e arsimit, në Çorovodë. Nuk e zgjata, mora dokumentet dhe drejt e te shtëpia e Feritit, në lagjen “Bajraktari”.
Atë ditë Feriti nuk ishte në shkollë, pasi kishte marrë leje për fejesën e nipit të tij. Sa u takuam dhe u përshëndetëm, më ftoi të hyja brenda në shtëpi. “Nuk kam kohë, - i thashë- se do të shkoj tek Asqeriu për ngushëllim. Më kapi për krahu dhe më tregoi se unë sot kam gëzim, kam fejuar nipin tim, Yllin”.
Desha s’desha pranova dhe hyra brenda. E shoqja, Sosja, nuk ndodhej në shtëpi në atë moment. Ajo kishte shkuar te Agush Bajraktari se ishte shumë i sëmurë. Në bufenë përballë divanëve e shoqja e Feritit kishte vendosur një shishe me etiketën “Raki rrushi Skrapari’, por ajo në fakt nuk ishte raki, por lëng pesticidi, siç do e mësoja më vonë.
Feriti duke nxituar për kafenë mbushi një gotë “raki” nga shishja që qëndronte në bufe dhe ma solli mua. Vetë po merrej me kafenë. Nga ajo që po nxitoja, pasi bëra urimin, e ktheva gotën e rakisë me eks. Kur e kapërceva, m’u errën sytë.
Lashë gotën në tavolinë dhe pyes Feritin se çfarë lloj rakie është kjo. Pasi e provoi dhe e pa që nuk ishte raki, shau të shoqen që kishte vendosur shishen me etiketë raki rrushi në bufe. Më solli kafenë dhe një gotë uji me sheqer. E piva kafenë shpejt e shpejt dhe u largova për në shtëpi. Nuk më shoqëroi.
Në shtëpi i tregova Angjelinës për pijen që kisha pirë dhe i thashë që ta lëmë vizitën për nesër. Jo më thotë, po e lamë për nesër kemi punë të tjera dhe po qe se e kryejmë sot mirë, në të kundërt një herë tjetër. Atëherë vishu i them dhe mora vajzën në krah dhe po luaja jashtë te shkallët.
Nuk u vonuam dhe morëm rrugën për te shtëpia e Asqeriut. Afër ferrës së Latos m’u morën këmbët dhe i thashë Linës që të mbante Julin se nuk po ndihesha mirë. Pas pak arritëm te shtëpia e Asqeriut dhe në moment u fikën dritat.
Asqeriu së bashku me nënë Sosen dhe të shoqen doli dhe na priti te shkallët.
Duke ngjitur shkallët e katit të dytë i them të jëmës së Asqeriut, nënë Soses, motër e Neim Hysit nga Vërzhezha, se sot mos ma vini re po thashë ndonjë gjë që nuk shkon, se kështu më ka ndodhur te Feriti. Pa dashje më dha një ilaç grash, siç më tha ai. Falë ditarit të kolegut tim të mirë Asqeri Koxhaj vite më vonë do të merrja vesh ditën që më kishte ndodhur incidenti me Feritin. Më poshtë po vendos shënimin ditar të Asqeri Koxhait.
Shkurtimisht po u tregoj sesi më ndodhi në shtëpinë e kolegut tim të nderuar Asqeri Koxhaj, sipas tregimit të sime shoqeje, Angjelinës.
“Sa u ule në divan, pa u përshëndetur me njerëzit e shtëpisë, kape jelekun e thurur me fije najloni (shumë i fortë ky, thes grek i punuar nga fijet e tij nga Lina), e shqeve dhe gjuha të kaloi poshtë. Asqeriu që kishte eksperiencë në raste të tilla shpejt të hapi gojën dhe me bishtin e lugës të ktheu gjuhën.
U bë alarm në lagje dhe gjithë koxhallarët që gjendeshin rreth e rrotull erdhën për të dhënë ndihmën e parë. Falë përvojës së kolegut dhe mikut tonë Asqeri Koxhaj që të bëri lavazh me ujë të vakët me shkumë sapuni, ti arrite që të nxjerrësh helmin e pirë, vrerin e zi.
Lina u prek shumë nga kjo ndodhi. Në muajin qershor ajo ishte në muajin e gjashtë me djalin që prisnim të na lindte. Meli ishte në shtëpi në gjumë dhe Juli tre vjeçe pa me sytë e saj se çfarë i ndodhi babit të saj. Kur arrita të mbledh veten dhe më nxorën poshtë në rrugë tek arra për të hipur në taksinë e Nures për në spitalin e Poliçanit, Lina nguli këmbë që të vinte me mua. Mblodha veten dhe i thashë:
-Merre vajzën dhe shko te djali në shtëpi se tani nuk kam gjë, jam mirë.
Te çezma në Shkozë ndalova makinën dhe piva ujë. Pashë që më shoqëronin Shuaip Aluahi dhe Faik Koxhaj. Në spital më shtruan dhe më futën në serum. Më mbeti në mendje se kur zbrita nga taksia, shoferi u tha dy shoqëruesve, se kush do t’i paguante lekët e taksisë ... Për një moment mblodha veten dhe i thashë shoferit:
- Nëse vdes unë, lekët do t’i japë ime shoqe, në të kundërt lekët do të t’i jap unë kur të dal nga spitali. U largua pa thënë asnjë fjalë. Kur dola nga spitali, i çova pagesën dhe një bakshish të cilën s’donte ta merrte.
Shuaipi dhe Faiku e gdhinë natën jashtë, kurse unë kalova natën nën kujdesin e mjekëve. Në orën 6 e 30 ishte mbaruar serumi dhe po shikoja ëndrra sikur më hanin gjarpërinjtë. Për një moment hap sytë dhe shikoj infermieren që flinte gjumë. I fola dhe ajo u zgjua e trembur.
-Ngrehu më hiq agen, - i them, - se nuk vdiqa nga helmi dhe po vdes nga ajri që po kalon në vena.
- Më fal, më fal, - u justifikua infermierja …
Në fillim të javës, ditën e hënë, shkova në Çorovodë për kontroll. Të parin takova shokun tim doktor Kastriot Lagësira që kishim bërë zborin bashkë në Labinot-Fushë. Pasi më dëgjoi se çfarë më kishte ndodhur, u mendua një çast dhe më thotë:
- Ti shoku im, ke shpëtuar nga ai helm shumë i fortë për tri arsye. E para, ti konsumon alkol dhe duhan, këtë e di nga koha që ishim bashkë në Labinot-Fushë. Trupi yt ka krijuar imunitet kundër helmeve. E di si vepronin mbretërit në mesjetë? Merrnin doza të pakta cianuri për të krijuar imunitet kundër helmeve se kishin shumë kundërshtarë.
E dyta, trupi yt i shëndoshë ka mundur të përballojë helmimin e gjakut nga që je mirë e me shëndet të mirë.
E treta, ka të bëjë me ushqyerjen, sepse ke konsumuar ushqime bio, prandaj mos u merakos se shumë shpejt ke për ta marrë veten.
E falënderova shokun tim, mjekun e talentuar Kastriot Lagësira dhe që nga ajo ditë fillova të bëj kujdes me konsumimin e pijeve para se t’i përdorja. Atë muaj të qershorit më vizituan të gjitha familjet e Nishovës dhe një pjesë e familjeve të fshatit Bargullas dhe Novaj, të cilët gjej rastin t’i falënderoj dhe u jam shumë mirënjohës që në një moment kritik të jetës sime m’u gjendën pranë.
Mbylla vitin shkollor dhe provimet me vitin e katërt të shkollës së mesme bujqësore dhe në fillim të muajit korrik u nisa për në Fier. Pasdite zbrita te kushëriri im, Novruz Bejko në Poliçan. Për darkë ai kishte ftuar dajën e tij dhe kishte përgatitur një tavolinë me plot të mira.
Gjatë fillimit të darkës unë vazhdoja të pija ujë, kurse kushëriri im me dajën e vet raki mareje të ftohur në ujin e Bogovës. Lina nga mesi i darkës po merrej me vënien në gjumë të fëmijëve. Zakoni ynë e do që pas dollisë që bëri daja, të bëja edhe unë. Në një moment iu drejtova kushëririt që po më thosh të bëja dolli.
-Ma mbush gotën me raki, se nuk bëhet dollia me ujë. Nguroi një moment, por me miratimin e dajës më mbushi gotën me raki.
-Nëse është shkruar që të sëmurem, ma bëni hallall, por unë sot do e provoj të pi raki, - u them të pranishmëve. Me tërë këto meze të bollshme që ka përgatitur Liria nuk më zë rakia.
Bëra dollinë dhe ndeza cigaren që kisha një muaj që i kisha lënë të dyja.
Në mëngjes u zgjova mirë dhe mora taksinë për në Fier. Në Fier dhe Libofshë qëndrova 15 ditë te njerëzit e dashur të sime shoqeje, ku darka e ku dreka dhe në një farë mënyre më erdhi edhe memoria që deri atëherë nuk mbaja mend bisedat që zhvilloja me dashamirësit …
Kjo ngjarje qe një plagë e rëndë për familjen tonë në Nishovë, e cila ka hedhur rrënjë të thella dhe shpesh ma kujton ime shoqe, duke më thënë: - Bëj kujdes me pijen ...!
Vazhdon…
Redaktoi dhe korrektoi: Muhamet Cenko 30/01/2026








Comments