top of page

BASHKIM KOPLIKU NJERIU DHE POLITIKANI ME IDENTITET TË LARTË


SHPENDI TOPOLLAJ



In memoriam


Tani që fati i trishtë i një kohe akoma më të trishtë, na ndau nga shoku e miku ynë, bashkëshorti, prindi, intelektuali e politikani Bashkim Kopliku, është rasti të kujtojmë fjalët që Edgar Degas artikuloi në varrimin e E. Manet në vitin 1883: “Ai ishte më i rëndësishëm nga sa mendonim”. Bir i një babai mjek, Bahriut dhe i Kadries, një mësuese që nuk i gjendej shoqja, ai u rrit dhe u edukua në një mjedis librash dhe kulturën që mori prej tyre e manifestoi në çdo hap të jetës së tij. E për më tepër, ai në formimin e tij qytetar, u orientua dhe zbatoi kulturën demokratike. Përherë i shkëlqyer në çdo shkallë arsimimi, pra ashtu si në gjimnaz në Shkodër, i tillë mbeti ai si në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua inxhinier elektrik, ashtu edhe më pas në detyrat që kreu kudo që e caktuan. U.R.T. - ja, ku ai me një vizion e largpamësi të admirueshme, punoi e drejtoi për vite me radhë, qe vendi ku Bashkimi demonstroi si vlerat e larta profesionale, ashtu edhe karakterin e tij të fortë e të pathyeshëm përpara tekave të diktaturës komuniste. Me korrektesën e tij karakteristike, me ndershmërinë dhe interesimin e tij të përhershëm për njerëzit në nevojë, ai fitoi me të drejtë respektin e të gjithëve. Këto vlera, ai i çoi më tej, gjatë kohës së shndërrimit të madh, ku ai përmes vështirësish, mungesash e pengesash pa fund, vuri të gjitha energjitë dhe mençurinë e tij në shërbim të konsolidimit të pushtetit të ri. Qytetarët e Durrësit e mbajnë mend mirë entuziazmin e këtij drejtuesi në krye të Komitetit Pluralist të Rrethit, këtij organizatori të jashtëzakonshëm i cili kudo ngjallte optimizëm dhe që nuk bënte dallime mes tyre. I kudo gjendur, si një tribun, ai u bë simboli i drejtuesit të përkushtuar dhe që udhëhiqej vetëm nga idealet e pastra. Po kështu veproi ai, edhe kur ju besuan detyrat aspak të lehta; ajo e ministrit të Brendshëm dhe më pas si zëvendës Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Fjalimet e tij të qarta e të guximshme, kur ai për dy legjislatura ishte deputet kur Parlamenti ishte Parlament, do të ruhen gjatë në kujtesë. Polemist i paepur dhe me gjykim rreptësisht të pavarur, ai tregoi një identitet që aq shumë na mungon sot, dhe nuk reshti së thëni fjalën e tij si në shkrimet e shumta që botoi, ashtu edhe intervistat televizive që dha. Tip kureshtar, por edhe me bindjen se kështu i shërbente të mirës së përgjithëshme, Bashkim Kopliku interesohej me kujdesin dhe këmbënguljen e një skrupulozi, edhe për gjëra në dukje pa rëndësi, si fjala vjen; ato të problemeve drejtshkrimore. Ai e donte shumë jetën, e kishte të shenjtë familjen, ndaj edhe bënte të pamundurën që të mos i shmangej asnjëherë kënaqësive të saj, brenda mundësive që koha krijoi. Ai iku kur të gjithë ne kishim nevojë për praninë e tij, dhe për këshillat e tij të zgjuara.Por historia nuk do ta harrojë kurrë Bashkim Koplikun, atë burrin e pashëm, dhe me shpirtin e bukur, atë politikanin e hekurt në bindjet e veta, atë debatuesin e palodhur, paçka se sikurse shprehej Enrico Emanuelli “Historia është koha që fluturon pa rregullar të mirat e pa realizuara dhe pa larguar të këqiat që ende kryhen”. Ai bëri gjithçka mundi, si për qytetin tonë ashtu edhe për të gjithë Atdheun, ndaj dhe do të kujtohet përherë me nderimin më të madh.

65 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page