Avni Halimi: Vdekja e dashurisë për të vërtetën
- 10 minutes ago
- 3 min read

Ka një dallim të madh mes gjykimit dhe kritikës. Gjykimi vjen nga larg, me ndjesinë e superioritetit, me dëshirën për të përjashtuar. Kritika e vërtetë, në thelb, është një formë e dashurisë për të vërtetën, për artin, për fjalën që guxon të jetë më e bukur se heshtja. Në kulturën shqiptare, ky dallim është zbehur deri në zhdukje. Kritika nuk është më akt kujdesi, por, në rastin më të mirë, një vegël mekanike e vlerësimit sipërfaqësor; në rastin më të keq, një heshtje kolektive.
Në një shoqëri që ende nuk e ka kuptuar se vlerat kulturore nuk ndërtohen vetvetiu, por duan kultivim të qëllimshëm, mbrojtje, analizë të ndershme dhe përkushtim afatgjatë, kritika humbet fuqinë e saj emancipuese. Ajo nuk është më ai zë që thërret vlerën nga errësira, por një mur i heshtur që mban brenda vetëm atë që njeh ose i intereson.
Letërsia fillon aty ku mbaron padurimi ynë. Një tekst i rëndësishëm nuk kërkon admirim të shpejtë, por vëmendje të gjatë; nuk kërkon të pëlqehet menjëherë, por të kuptohet gradualisht. Në këtë kuptim, leximi është më shumë se një ushtrim estetik: është një akt besimi se fjala bart një të vërtetë që nuk shfaqet menjëherë dhe se kuptimi lind vetëm përmes një dialogu të ngadaltë, këmbëngulës dhe të ndershëm me veprën. Po ku është ky përkushtim në kritikën shqiptare? Ku janë lexuesit që nuk lexojnë për të gjykuar, por për të kuptuar? Ku janë ata që ndihen të përgjegjshëm për të mbrojtur bukurinë dhe vlerën?
Sot, kritika ose është bërë zë i shurdhër që përsërit fjalë standarde: “origjinal”, “i guximshëm”, “i pazakonshëm”, pa asnjë përmbajtje konkrete, ose është zhdukur krejtësisht. Një vepër nuk lavdërohet, madje nuk përzgjidhet si vepër e vitit sepse është e mirë, por sepse është bërë nga miku ynë. Një tjetër nuk hidhet poshtë sepse është e dobët, por sepse nuk e ka përkrahjen e duhur. Nuk ekziston më një etikë e vështrimit, një përkushtim ndaj vërtetësisë estetike, ndaj përmasës së padukshme që e bën një vepër të jetë vepër.
Në çastin kur arti pushon së qeni një hapësirë kërkimi shpirtëror dhe shndërrohet në mall për konsum të shpejtë, humbet diçka thelbësore nga natyra e tij. Edhe kritika, kur heq dorë nga roli i saj gjykues dhe bëhet pjesë e mekanizmave të promovimit, nuk i shërben më kuptimit, por qarkullimit. Pasoja e pashmangshme është varfërimi i shijes estetike dhe zbehja e aftësisë për të menduar në mënyrë të pavarur. Në shumë segmente të jetës sonë kulturore, ky proces tashmë duket i përfunduar. Ne s’jemi më një shoqëri që lexon për të shpëtuar veten - jemi një shoqëri që lexon për të mos mbetur jashtë loje.
Pa dyshim, pa kritikë të ndershme, nuk ka as kulturë të shëndetshme. Pa dikë që guxon të thotë “kjo është një vepër e madhe”, dhe të qëndrojë pas kësaj fjale pa interesa, kultura kthehet në një treg zhurmash, ku çdo gjë që bërtet, fiton. Dhe më e frikshmja: në një botë ku askush nuk guxon të bëjë hierarki të vlerave, gjithçka zëvendësohet nga ndjenja (nga “më pëlqen” dhe “nuk më pëlqen”) si të ishim në një rrjet social, jo në një tryezë mendimi.
Në këtë klimë, kujdesi për një vepër është marrëzi. Përpjekja për të ndërtuar një kanon serioz është utopi. Sepse nuk ka më as nerv estetik, as përulësi ndaj fjalës, as dashuri për të vërtetën. Vetë kultura është bërë funksionale, një mjet për të qenë prezent, për të hyrë në rrjet, për të mbetur në qarkullim. Dhe kjo është humbja më e madhe: jo që nuk kemi kritikë, por që nuk kemi më kujdes ndaj kulturës.
Mund të bëjmë konferenca, festivale, panaire të librit, çmime, por nëse nuk ka një vështrim që qëndron gjatë mbi një vepër, me seriozitetin e atij që sheh një jetë të tërë përbrenda, atëherë gjithçka është zbukurim. Është bosh.
Kultura që nuk ka kritikë të vërtetë është si një shtëpi pa pasqyra. Të gjithë rrinë brenda, por askush nuk sheh veten. Dhe një ditë, pa e kuptuar, humbim aftësinë për të dalluar madhështinë nga mediokriteti. Dhe kjo, më shumë se çdo krizë tjetër, është kriza që vret pa zhurmë.








Comments