Fatmir Terziu
S'mund të ndodhej Njeriu dy herë në të njëjtin vend, në të njëtën kohë, … në të njëtën sekondë. Por, ja që ndodhi. Ndodhi të ishte dhe të jetë ende si i tillë.
„I klonuar?“, thanë njëzëri të gjithë në atë Klub.
Ai nuk ua vuri veshin. Madje, as dualiteti i tij nuk u mësua të nxirrte zë. Por Njeriu, Ai njeri, që në fakt solli habinë në mesin e Klubit, tashmë ishte në majë të gojëve të të tjerëve. Ngriheshin në mëngjes dhe me atë e nisnin ditën. Ngryseshin në darkë dhe me të e mbyllnin natën, madje dhe në ëndrra tashmë ai ishte kryefjalë e të gjitha ëndërrave. Njerëzit e atij Klubi në fillim e quajtën zbavitje, dhe me këtë qasje të tij shpotisnin e prodhonin shaka pafund, madje i gajasnin dhe i vinin me të fëmijët në gjumë. Por pas disa kohësh, kur panë se ai tashmë nuk u ndahej nga jeta e tyre, thanë të kërkonin ndonjë mënyrë, a ndonjë melhem ta hiqnin qafe, nga shpirtrat e tyre të virusuar.
Atë ditë vendimi nuk ishte vetëm me fjalë. Ata e nisën me veprime konkrete. Agu e bëri ditën më të ndjeshme, pasi edhe rrugët ishin pa frymorë, zbrazëtia bënte rolin e duhur.
„Jemi në kohën e duhur.“, thanë ata përsëri njëzëri, por me një zë gati si një përshpëritje e vogël. Fundja Klubi i atyre njerëzve dhe vetë ata njerëz të atij Klubi nuk donin më shumë zë. Ata e kuptonin njëri-tjetrin nga mimikat e fytyrës, nga lëvizjet e buzëve. E kështu bënë. Të parët ishin ata të rrjeshtit ndarës, dhe të dytët majtistët, në fund ata të rrjeshtit të djathtë e më tej nuk dihej sa rrjeshta bëheshin të tjerët. Në vendtakim binte shi. Në atë kasolle të ngritur mes dy kodrave ndihej forca e zjarrit bubulak. Rreth tij ishte Zgjidhjebërësi.
„E dija që do të vinit.“, nuk durohet e panjohura, nuk durohet.
Ata panë njëri-tjetrin në sy dhe pritën një copë kohë ndonjë reagim tjetër.
„Ë, nuk e duroni? Nuk e duroni dot më? Ai është vetë…“, foli përsëri Zgjidhjebërësi dhe u pështjell pas krahëve me një velenxe.
„Cili është Ai, ai Njeriu që na bëhet dy, ai që na ka pushtuar jetët tona?“, folën ata sikur të kishin prova me muaj të tërë për atë fjali pyetëse.
„Ai është në qasje një shpirt i butë, i përfshirë në flakët e pasigurive të veta. Ndërsa tjetra qasje është se ai është vetë e panjohura që sillet në vetmi, kërkon një prekje delikate, një shenjë, ose thjesht një buzëqeshje të thjeshtë“, foli Zgjidhjebërësi.
„E panjohura?! Të kesh frikë nga e panjohura?!“, pyetën ata.
„Jo thjesht kaq. Ju më duket se jeni dobësuar nga shija e izolimit, nga ajo që mbeti e ndaluar për të mos arritur kurrë të vërtetën. Por, ja që dikush mund të bëhet i hidhur, ose i mbushur me urrejtje të pafund për të tjerët.“, ndërhyri duke sqaruar Zgjidhjebërësi.
„Po ne e dorovitëm me dhurata.“, thanë ata.
„Pse u lejuan dhuratat? Të shpërndara ashtu si drita e hënës, janë mendimet e një mendjeje të tillë të dëmtuar.“, foli Zgjidhjebërësi.
„Të endeshim falas, të përjetonim pa dashuri?, u përgjigjën ata me një hutim të tendosur në fytyra.
„Sidoqoftë, ky shqetësim do të marrë udhë, atëherë kur asgjë të mos mbetet në atë shpirt të zi. Dhe kështu, ky shpirt do të jetë i djegur nga zemra e tij, e duke u tharë ngadalë në rrjedhën e pafund të kohës, butësisht, duke hequr po aq butësisht çdo zaptim të jetëve të thjeshta. Derisa të vijë ajo ditë fatale për të dhe një shpirt tjetër i përbrendshëm ta shpëtojë atë, Ju kot e shqetësoni Klubin tuaj. Por, tani për tani, ndërsa të gjithë tingujt dhe ngjyrat zbehen në zemërim dhe dëshpërim, ai do të jetë një frymë e keqe. Kjo frymë e keqe do të pushojë, në fundin e humnerës.“, foli dhe u bë i padukshmën vetë Magjistari.
„Mos ishte vetë Ai…, Mos ne nuk ditëm si të pyesim?“, u habitën ata, deri sa një zë i ngjashëm ndërhyri nga pas:
„Vazhdoni të pyesni duke menduar, kur mund të vijë dita? Pyesni veten nëse do të ndihet përsëri dualiteti i tij? Ju mjafton sa ta quani Autofobi! Ju ka pushtuar maska. Nuk shiheni dot fytyrë më fytyrë.“
Dhe iku…, iku duke lënë pas një hije të dyfishtë.
Comentários