top of page

ATHINË, NJË DITË ME DIELL...

Updated: Feb 11, 2020







ATHINË, NJË DITË ME DIELL...

Meditim

Të diele 9 shkurt 2020, bëra një shëtitje nëpër rrugën “Athinas” dhe sheshin “Manastiraq” të kryeqytetit Helen. Rruga ishte e qetë, si çdo të diele kur mbyllen të gjitha shitoret... Edhe sheshi Manastiraq të njëjtën pamje kishte... Mungonin blerësit e përditshëm, ata që i ngushtojnë kaq shumë pezodhromet sa të duhet të shtrëngosh bërrylat fort që të kalosh... Ata që nuk mungonin, si përherë, ishin turistët, e folura e të cilëve, në qetësinë e rrugës, nga theksi apo fjalët, mblidhnin kontinentet. Ata që nuk mungonin, si çdo ditë, ishin të pastrehët që kalonin ditët dhe netët shtrirë mbi shtresa kartonësh, mbuluar me copa batanijesh lloj-lloj ngjyrash, me një gotë plastike me disa qindarka... U mata të bëj një fotografi në një nga pezodhromet e gjerë në krah të një ushqimoreje çasti ku shtatë shtretër ishin në radhë njeri pas tjetrit. Nuk e bëra. Ishte diçka e zakonshme që e shoh përditë rrugëve të Athinës e hyrjeve të kishave. Nuk mund të bëj hap prapa tek kthehesha rrugës “Athinas”... Dy shkrepje. Njëra nga larg... Tjetra nga afër... Natyrë e qetë... Një burrë, kokulur deri në thyerje qafe... Në dorën e lëshuar... një gotë letër karton ku shkruhej “VENETI”... Një qeskë të boshatisur... Bri saj pesë kokrra të shpërndara kokoshkash... Një këmbë e zbathur dalë tej shtresash... Një engjëll me sytë mbyllë... Një fytyrë e pastër fëmije... E bukur deri në madhështi... E dëlirë deri në skajshmëri... Flokë të gjata, Të bukura... Perri... Nuk gjeta fjalë... Portretit ti jap jetë... Thirra Migjenin... Më shkroi... ...Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit ku foshnjën përkundin lott edhe të fshamit...

Mjerimi punon, punon ditë e natë tu’ i vu djersa në gjoks edhe në ballë... Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh...

Mjerimi s’don mshirë...

Përditë shoh qartë e ma qartë Dhe vuej thellë e ma thellë...

O si nuk kam një grusht të fortë t’i bij në zemër malit që s’bzan. Unë – lugat! Si hije...

...”Zotni, zotni, të lutem, zotni, ma fal ndoj send!” Por njeriu – zotni notonte ndër mendime: Sezona e re vjen; sezona! sezona! sezona! dhe gjithnjë sezona: ndrron sezona, do të ndrrohet grueja, ai, fmitë – si e lyp sezona. Me këto mendime i okupuem, nuk e kish në mend lypsin e vogël, të cilin nuk e trazojshin aspak sezonat, por i cili mendonte në heshtje, tinzë, se sa mirë do të ushqehet ky zotni, sa pallto të ngrohtë, sa këpucë të bukura ka... Dhe i shtypun prej këso mendimesh, tue tërheqë ma fort zotnin, i këndoi me za të naltë. “Zozni, zotni, të lutem, zotni, ma fal ndoj send!”...

E tash, mbyllas, duke u larguar, thirra përsëri Migjenin...

“Merrnie e çonie në qytet këtë shtatore. Vendosnie në një shesh! Dhe si përmendore kushtonia ndokujt! Kushtonia atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputetit, e ndokujt tjetër... E në rasë se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndis klasike”. Po njerëz, ju që dini të lexoni e të shkruani, që keni faqe në internet, facebook, instagram, You tube, adresa presidentësh, kryeministrash, ministrash, miliarderë, barkderrë... merreni këtë fotografi dhe dërgojuani, e në mos e marrtë kush, shpërndajeni rrugëve të vendeve ku mjerimi ka foletë...

Athinë 10 shkurt 2020


22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page