top of page

ATDHEUT


Pergatiti Fritz RADOVANI:


ATDHEUT




Kjo kangë e botueme së parit në vitin 1902 (libri i tretë i këndimit), botue prej Shoqnisë “Bashkimi”, asht deri diku punim i nji poezisë kroate popullore të njohtun, përshtatë prej Autorit. Ndikimi i gjuhës së huej këtu nuk ndihet aspak. Megjithse ka 40 vjet qi asht botue, gjuha asht e pastër dhe e rrjedhëshme.

Prej dorëshkrimit shohim se kjé shkrue me 12-3-1896, me titull Arbnis.

Strofat e kësaj janë të prekuna të gjitha ma vonë.


1. N’ ty mendoj kur agon drita,

Kur bylbyli mallshem kndon,

N’ ty mendoj kur soset dita,

Têrri boten kur e mblon.

2. Veç se ty të shoh un n’ anderr,

Veç se ty, çuet, t’ kam n’ mendim;

Nder t’ vështira ti m’ jé qanderr,

Per ty i lehtë m’ vjen çdo ndeshkim.



3. Tjera brigje, fusha e zalle

Un kam pa, larg tue ba shtek,

E pergjova tjera valle,

N’ tjera lule syu m’ u rrèk;

4. Por nji fushë ma e blerët nuk shtrohet,

Por nji mal ma bukur s’ rri,

Ma i kulluet nji lum s’ dikohet,

Moj Shqypni, porsi i ké ti.

5. N’ ty ma i bukur lulzon prielli,

Janë ma t’ kandshme stinë e mot;

N’ ty bylbyli pa lé dielli

Kndon ma ambel t’ Madhit Zot.

6. Pa ty lules s’ m’i vjen era,

Pa ty pema fryt nuk m’ bjen;

Mue pa ty nuk m’ del prendvera,

Pa ty dielli nuk m’ shkelxen.

7. Dersa t’ mundem me ligjrue

E sa gjall me frymë un jam,

Kurr Shqypni, s’ kam me t’ harrue,

Edhe n’ vorr me t’ permendë kam. 1902



Shenim nga F.R.:

Edhe n’ vorr me t’ permendë kam.

Kam bindjen se gjithshka nder këto poezi asht një parandjenjë e fuqishme!

Sot asht një fat i madh që kujtojmë ditlindjen e Autorit dhe 30 Dhetorin e 1940.

Po Rinia Shqiptare a do të mërrijë me e kuptue këte varg të At Fishtës?

- Besoj se po!

Pa At Gjergj Fishten dhe pa Veriun e Shqipnisë a ka ATDHE ?!

Pa ty lules s’ m’i vjen era,

Pa ty pema fryt nuk m’ bjen;

Mue pa ty nuk m’ del prendvera,

Pa ty dielli nuk m’ shkelxen.

Dersa t’ mundem me ligjrue

E sa gjall me frymë un jam,

Kurr Shqypni, s’ kam me t’ harrue,

Edhe n’ vorr me t’ permendë kam. Melbourne, 28 Dhetor 2022.




10 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page