top of page

Arti juaj do të jetë përherë në “konflikt interesi” me pa-lirinë e krijuar...


Prof Bujar Kapllani

I dashur Faruk! E lexova shkrimin jo me atë pa-interesin dhe pa-frymën e kritikës mediatike. Mbresa të largëta m’u shtjelluan në një përfytyrimi të pa-afërt, brenda një procesi krijues ku dhuntia juaj e të shkruarit dhe etja për dije synonin veç lirinë. Për Ju liria krijuese është përherë dashuri dhe nuk ka “konflikt interesi”, një artist lirinë dhe dashurinë ndaj atdheut nuk mat me kufij e largësi, por me shqetësimet që ndjen për të, si një bir për nënën e vet. Kufijtë i kanë vendosur ata që shkallën e lirisë e masin me pasuri materiale dhe parat të grumbulluara në sajë të instikteve të tyre pa-kombëtare dhe të pa-liri, si Zylo-t, të cilët e shohin të qenurit në media dhe politikë si “oficerë në rast lufte”. Ndaj për artistin dhe krijuesin ‘Koha’ vlen më tepër se emrat e përdorur në pankarta lavduese për liri mbiemrash, të cilët lënë pas veç trishtim.

Arti juaj do të jetë përherë në “konflikt interesi” me pa-lirinë e krijuar nga tepria e mirqënies, pasi arti buron si magmë e vuajtjeve dhë ëndërrave njerëzore, ndërsa të pa-lirët janë në konflikt interesi me pa-rehatitë e “zgjedhura” në majë të ...kalit! Ata i kanë të gjitha, i dashur Faruk! Përherë “Të Mjerët” do të jemi NE, për sa kohë që një “opinionist” me mbiemër, i mediave kombëtare, del përballë studentëve që kërkojnë liri e të drejta, për t’u folur me përçmim për shpirtin e lirë dhe heroik të Gavroshit të pafajshëm!!! Kjo pa-përputhje e artistit, krijuesit dhe shqiptarit të ndershëm me mbiemrat oligarkë të medias dhe politikës i ka detyruar të jenë “mërgimtarë politikë” jo vetëm jashtë “kufijve” por edhe brenda tyre. Oligarkët me mbiemrat e tyre janë mobilizuar fort t’a mbajnë të “pastër” lirinë e mirqënes së tyre “pa-kufi”. Ndaj edhe shprehja juaj është një simbolikë e goditur për këta mbiemra oligarkësh, se; “Më kollaj mund të mbajnë një han, se një shtëpi komode për banorët…”.

Të admiroj miku im, në dimensione të lirisë atdhetare, kur shprehni mendimin tuaj për Gegnishten e Tosknishten si dy barkushe të zemrës kombëtare, Abetares, ku veç fryma e zotit një sekond fryn dhe kjo zemër të nisë e punoj “pa-aritmi” matematikanturësh antikombëtarë, që gjuhën e dialektet tona duan me i mat me pëllëmba dhe relieve gjeo-grafomanësh.

Liria e ndjek pas artistin dhe krijuesin me pa-kthim në të shkuarën, ndërsa oligarkët me mbiemër nuk i ndahen nga shpina atdheut, se aty ndërtojnë mirë-qenien e tyre, e cila ka frikë nga Liria. Ata, mbiemrat oligarkë, shesin çdo gjë, që të mos zbresin nga kali, aq sa edhe kali është mërzitur së tepërmi, njësoj si kuajt e Hunë-ve barbarë, të cilët nuk i zbrisnin kurrë kalit as kur luftonin, as kur hanin, as kur krijonin rrokje, as kur flinin, as edhe kur...kali kulloste bar!

Të uroj krijimtari të mbarë dhe shpirt lirie në aromën kombëtare që ka për të rilindur si “Zemra e Shqipes”.



25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page