ARAT SHTERPA




Poshtë, në arat e Grekosalentes, te ullinjtë, çirret Fizarmonika e vogël dhe Defi, si fëmijë, nga pas, u ngjir nga dënesat.

Poshtë në arat shterpa të Grekosalentes, Befas një vajzë del vrik nga dallgët e Mesdheut, shkund flokët një e dy, i hedh para e prapa, shkel tokën prush hop! hop! me këmbë të zbathura – A, nuk duroka një ulli, shkulet dhe ai nga dheu, hedh e përhedh degët para e prapa, kërcen mbi rrënjët si i dehur. Tani, u bënë dy, që kërcejnë Tarantelën – Zbrazuni ju, o detra, zbrazuni o shekuj! Tej në arat e Grekosalentes, çiftin mijëvjeçar, e kish pickuar keqas Merimanga e Nostalgjisë.


Nga Libri: "MOS E SHIKO FUNDIN E DETIT"

42 views1 comment

Shkrimet e fundit