Anjeza Musollari: KRIZA E EDUKATËS DHE SJELLJES PERSONALE NË INSTITUCIONET SHTETËRORE
- 3 days ago
- 4 min read

Kur mungesa e kulturës individuale dëmton figurën e shtetit
Institucionet shtetërore janë pasqyra morale dhe qytetare e një shteti. Qytetari krijon perceptimin për shtetin jo nga fjalimet politike, as nga sloganet apo fasadat institucionale, por nga sjellja konkrete e individëve që takon çdo ditë në sportele, zyra, administratë dhe ambiente publike.
Pikërisht këtu shfaqet një nga problemet më shqetësuese të realitetit tonë institucional, mungesa e edukatës personale, kultura e dobët e komunikimit dhe degradimi i etikës individuale tek një pjesë e njerëzve që ushtrojnë funksione publike.
Në shumë raste, qytetari nuk përballet me profesionalizëm, mirëkuptim dhe korrektësi, por me arrogancë, nervozizëm, mungesë respekti dhe sjellje denigruese. Kjo nuk është vetëm çështje karakteri individual. Është problem serioz institucional dhe shoqëror, sepse çdo punonjës i administratës përfaqëson shtetin.
Një fjalë e rëndë, një ton përçmues, një sjellje arrogante apo një mungesë minimale edukate nuk dëmton vetëm marrëdhënien mes dy individëve.
Ajo godet besimin e qytetarit te institucioni dhe krijon ndjenjën se shteti është larg qytetarit, i ftohtë dhe pa ndjeshmëri njerëzore.
MUNGESA E KULTURËS PERSONALE NUK MBULOHET ME TITULL APO DETYRË
Një nga problemet më të dukshme të kohës sonë është fakti se shumë individë ngatërrojnë pozitën me kulturën dhe autoritetin me arrogancën.
Detyra shtetërore nuk e bën automatikisht njeriun të edukuar, profesional apo qytetar. Pozita administrative nuk zëvendëson kulturën personale.
Në shumë institucione shohim individë që: nuk dinë të komunikojnë me etikë,
nuk respektojnë qytetarin, nuk kontrollojnë tonin e komunikimit,
tregojnë mungesë durimi dhe edukate bazike, e konsiderojnë qytetarin si barrë dhe jo si detyrim institucional.
Në realitet, problemi nuk fillon te mungesa e ligjeve apo rregulloreve. Problemi fillon te mungesa e formimit personal dhe qytetar. Sepse edukata nuk është procedurë administrative. Ajo është kulturë njerëzore.
KUR SJELLJA E NJË PUNONJËSI DËMTON FIGURËN E INSTITUCIONIT
Qytetari nuk e ndan institucionin nga individi që e përfaqëson atë. Kur një punonjës sillet me arrogancë, indiferencë apo mungesë respekti, qytetari nuk thotë: “Ky individ ishte i pasjellshëm.” Ai thotë: “Ky institucion nuk funksionon.” Kjo është arsyeja pse kultura personale e çdo punonjësi publik ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Një administratë mund të ketë, zyra moderne, teknologji, rregullore, struktura organizative, por nëse mungon edukata njerëzore, gjithçka humbet vlerë.
ARROGANCA SI KEQKUPTIM I AUTORITETIT
Një fenomen tjetër shqetësues është perceptimi i gabuar i autoritetit. Disa individë, sapo marrin një funksion administrativ apo institucional, fillojnë të krijojnë distancë artificiale me qytetarin apo “vartësin”. Sillen me mendjemadhësi dhe krijojnë ndjesinë sikur pozita i vendos mbi të tjerët.
Në të vërtetë, autoriteti institucional nuk matet me ashpërsi apo arrogancë. Ai matet me profesionalizëm, qetësi dhe dinjitet.
Njeriu i edukuar: nuk bërtet, nuk fyen, nuk nënçmon, nuk sillet me nervozizëm, nuk e përdor pozitën për të imponuar frikë. Përkundrazi, ai imponon respekt përmes kulturës dhe korrektësisë. Fatkeqësisht, në disa ambiente institucionale është krijuar ideja se sjellja arrogante përfaqëson forcë apo “autoritet”. Në realitet ajo është shenjë e mungesës së formimit personal.
ETIKA FILLON NGA SJELLJA E THJESHTË
Etika institucionale nuk fillon te dokumentet zyrtare. Ajo fillon te mënyra si i drejtohesh një qytetari.
Një “mirëmëngjes”, një ton normal komunikimi, një përgjigje korrekte apo një sqarim njerëzor kanë ndikim të madh në perceptimin publik. Shpesh qytetarët nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm, respekt, komunikim normal, korrektësi, trajtim njerëzor.
Kur përballen vazhdimisht me nervozizëm dhe mungesë kulture, krijohet lodhje psikologjike dhe mosbesim ndaj institucioneve.
Është shqetësuese kur individë që kanë detyrë publike nuk kuptojnë se sjellja e tyre nuk është private. Ajo është pjesë e imazhit institucional të shtetit.
PROBLEMI I EDUKATËS NUK ZGJIDHET VETËM ME DIPLOMA
Një tjetër realitet që duhet pranuar është se diploma nuk garanton kulturë qytetare.
Mund të kesh arsimim të lartë dhe njëkohësisht, mungesë etike, mungesë qytetarie, mungesë komunikimi njerëzor, mungesë vetëkontrolli.
Institucionet shpesh fokusohen vetëm te aspekti teknik i punës, por harrojnë dimensionin njerëzor të administratës.
Një profesionist i mirë nuk është vetëm ai që njeh procedurat. Është ai që di të sillet me dinjitet dhe respekt.
Sepse administrata publike nuk është thjesht mekanizëm dokumentesh. Ajo është marrëdhënie njerëzore.
PASOJAT E KËSAJ KLIME
Kur mungesa e edukatës bëhet normale në institucione, pasojat janë të rënda,
qytetarët humbin besimin, krijohet urrejtje ndaj administratës, shtohet tensioni social, bie autoriteti institucional, krijohet ndarje mes shtetit dhe qytetarit.
Në shumë raste, sjellja joetike e një individi njollos punën e qindra profesionistëve korrektë që punojnë me përkushtim. Sepse mjafton një eksperiencë negative që qytetari të krijojë perceptim negativ për gjithë institucionin.
KULTURA INSTITUCIONALE NIS NGA KULTURA PERSONALE
Nuk mund të ketë administratë të shëndetshme pa individë me kulturë njerëzore dhe etikë personale.
Shteti nuk ndërtohet vetëm me ligje e vendime. Ai ndërtohet me sjellje, përgjegjësi dhe qytetari.
Prandaj është e domosdoshme qi, institucionet të forcojnë standardet etike,
të kërkohet më shumë kulturë komunikimi, të trajnohen punonjësit për etikën publike, të mos tolerohen sjelljet denigruese, të vlerësohen individët korrektë dhe profesionalë.
KUR EDUKATA BËHET “LUKS”
Është shqetësuese të shohësh se si disa njerëz, sapo marrin një detyrë apo një post administrativ, harrojnë elementët bazë të komunikimit.
Një “Mirëmëngjes” nuk kushton asgjë. Një buzëqeshje nuk ul autoritetin e askujt. Një “Mirupafshim” nuk e zvogëlon pozitën e askujt.
Përkundrazi, ato tregojnë qytetari. Por sot duket sikur në disa institucione edukata po konsiderohet dobësi, ndërsa arroganca po ngatërrohet me seriozitetin.
Ka punonjës që: nuk përshëndesin, nuk të shohin në sy, flasin me ton urdhërues, krijojnë distancë artificiale, Dhe kjo është një nga shenjat më të dukshme të degradimit të kulturës personale në administratë.
NJË FJALË E THJESHTË KA PESHË TË MADHE
Në shumë vende të zhvilluara, edukata në komunikim konsiderohet pjesë e profesionalizmit.
Një “Tungjatjeta” e thënë me korrektësi krijon afërsi njerëzore. Një “Mirë se erdhët” krijon respekt. Një “Mirupafshim” tregon kulturë. Por kur këto mungojnë, krijohet ndjesia e ftohtësisë institucionale.
ADMINISTRATA NUK ËSHTË VETËM PROCEDURË
Një pjesë e njerëzve në institucione duket sikur harrojnë se puna e tyre lidhet drejtpërdrejt me njerëzit. Institucioni nuk është vetëm: vulë, dokument, firmë, procedurë. Institucioni është komunikim njerëzor.
‘Mirëmëngjes’, ‘Tungjatjeta’ apo ‘Mirupafshim’ janë fjalë të vogla, por me vlerë të madhe njerëzore.
Institucionet nuk bëhen dinjitoze vetëm nga muret apo titujt, por nga kultura, respekti dhe mirësjellja e njerëzve që i përfaqësojnë ato. Sepse qytetaria fillon aty ku njeriu respekton njeriun.








Comments