Albert HABAZAJ: KËNGA LABE RRON ME NE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 14, 2025
- 1 min read


kënduar nga grupi i grave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
teksti: Albert Habazaj
marrëse: Antoneta Goxho Mehmetaj
kthyese: Shpresa Kapo Çelaj
hedhëse: Hava Çelaj Muçaj
bëjnë eee, mbushin këngën:
Lavdie Goxho Xhakaj, Liri Gaçaj Shkurtaj, Bejushe Gaçaj Veraj, Liljana Rrapi Kapaj, Fatmira Hodo Skëndaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Flutura Nanaj
Që kur lindi lab i parë
(Nuk dihet se kur ka lindur),
Në hall të tij - faqebardhë
Me këngë labe është rritur.
Që kur lindi lab i parë
Në krahë të tij labëresha,
Kënga u rrodhi ujëvarë
Gurrë shpirti, siç e desha.
Në këngë u ndritën gëzimet
Me çfarë kishin në vatër,
Me këng’ labe qanë hidhërimet
Edhe me malet u matën.
Kënga si qiri në vatër
Kënga në shpirt si floriri,
Pika e ujit të pastër
Qumështi i bardhë i gjirit.
Kënga që më mësoi gjyshja
Më ngjan si shqiponjë mbi male,
Nëna, baba, ... dallëndyshja
Më rritën me këngë labe.
Sa herë më dukej si buka
Me këngë zjarrin e ndeza,
Si flori në shpirt e futa
Kënga labe rron në breza.
Ku ka rrjedhur, do pikojë [ref.]
Kënga mjaltë,
Kënga labe - gojë më gojë
Merr uratë
E jetë të gjatë!









Comments