Albert HABAZAJ: KY FUNDTETORI NË GJIMNAZIN "HALIM XHELO", VLORË

Vlora në varg –vargu im
Albert HABAZAJ
Është viti i tretë radhazi që shkoj me kënaqësi në gjimnazin “Halim Xhelo”, Vlorë, i ftuar nga drejtoria e shkollës për muajin e letërsisë dhe arteve. Në të tre vitet e fundit, që kam qenë vetë dhe në juri, kam vërejtur se asnjëra veprimtari nuk i ngjan tjetrës dhe se njëra është më e bukur dhe më e arrirë se tjetra, duke kapur kështu standarde të mira në shfaqjen dhe vlerësimin e talenteve të reja të shkollave të mesme.
Mësuesit e nxënësit e “Halim Xhelos” të thonë buzagaz e me mjaltë mirësie në fjalë: “Tetori mund të përfundojë në kalendar, por magjia e fjalës së bukur mbetet gjithmonë e gjallë”.
Rikthejmë kokën pas dhe ndjejmë aromën poetike të tetorit magjik për Vlorën letrare. Na vijnë në kujtesë zëra, pamje, imazhe dhe një botë e tërë romantike na frymëzon e na motivon me ëndrrat e kaltra, me botën e madhe gjimnaziste, të lirë e aq të pastër.
Paraditen e 31 Tetorit 2026 isha i ftuar në gjimnazin “Halim Xhelo”, Vlorë për konkursin poetik për zërat e rinj dhe promovimin e talenteve artistike të gjimnazit: VLORA NË VARG - VARGU IM me lajtmotivin: shkruaj, recito, ndaj, ler një varg pas. Drejtoria e shkollës dhe stafi pedagogjik ia kishin besuar këtë veprimtari të rëndësishme mësueses së talentuar të letërsisë zonjës Imelda Nini. Ajo me kohë kishte përzgjedhur talentet e reja të gjimnazit për të shprehur mundësitë e tyre në dy rrafshe: në interpretim artistik të poezive të autorëve të tjerë dhe në krijimtarinë e tyre letrare. Konceptimin e kësaj veprimtarie letrare - kulturore e kishte bukurmenduar, fakt që u pa në realizimin origjinal, tërheqës dhe mbresëlënës.
Paraqitja, interpretimi
Veprimtaria u zhvillua në Bibliotekën e shkollës dhe ku më mirë se atje mund të ndihet kuptimi. Biblioteka është Hirushja e Kulturës. Më të bukur e të freskët e bënë katër prezantuesit: Emi Kapo, Klejda Sinaj, Franceska Bufaj dhe Kristian Mërkuri, që i dhanë flladin e shpirtit dhe gjallërinë e moshës atij mjedisi simpatik me mësues e nxënës aq të bukur, të pastër e të mirë, që feksnin që në pamje, në shikim, në veshje, në fjalë…
Nga mësuesja e letërsisë ishin përzgjedhur katër poetë të Vlorës: Ali Asllani, Petro Marko, Fatos Arapi e Hiqmet Meçaj.
Ali Asllani nga Vajza (28.11.1884-20.01.1996) është aristokrati atdhetar, sa lirik i shquar, aq diplomat i zoti, princ i Lirikës shqiptare, dashnor i poezisë së vesuar. Është aq i mirënjohur xha Aliu! Për të edhe unë kam bërë disa shkrime, prandaj nuk po zgjatem këtu, se gjenden informacione boll për autorin e “Hakërrimit” të famshëm.
Petro Marko nga Dhërmiu (25.11.1913-27.12.1991) kalorësi rebel i lirisë është lartësi letrare universale. Romancieri i shquar, pionier i Modernizmit dhe i “Brezit të Humbur” (modernist/ ekzistencialist), i cili tok me Jakov Xoxen (mjeshtër i Romanit epik dhe Realizmit Polifonik: realist/ epiko-shoqëror) njihen si themelues të romanit modern shqiptar, ka shkruar edhe libër me poezi. Ndër vjershërimet e P. Markos është edhe një poezi të thjeshtë, thurur në vitin 1937 kushtuar mësuesit e atdhetarit të shquar Halim Xhelo, emrin e të cilit mban ky gjimnaz. Ajo vjershë është shumë e njohur si këngë labe në Tërbaç - Himarë e gjetkë dhe pak e dinë që autor i saj është Petro Marko. Emri i Halimit nga Tërbaçi im që mban shkolla është motiv krenarie dhe përgjegjësie që unë vij me dëshirën më të madhe në këtë gjimnaz. Edhe në çdo kohë.
Dr. Fatos Arapi nga Zvërneci (19.07.1929-11.10.2018) emër i lartë, një ndër etërit e poezisë bashkëkohore shqipe, që iku me guximin e heshtjes. Poet modern, elitar, ndër themeltarët e poezisë së re qytetare shqiptare, i thellë në mendim si ai, i zjarrtë në ndjenja si Fatos Arapi - Kuota më e lartë e krijimit poetik. Studiuesi dhe shkrimtari polak Andrzej Zaniewski e cilëson Fatosin tonë: “poetin më të madh shqiptar”.
Nga të katër emrat e përzgjdhur, tre nga këta vlonjatë të mëdhenj kanë ikur tek yjet e shkëlqimit shpirtëror dhe na përçojnë dritë të ngrohtë kulture, ndërsa i katërti, Hiqmet Meçaj, qysh nga viti 1948 banon edhe sot e kësaj dite në Vlorën e vjetër, në rrëzë të kodrës së Budakut, duke kaluar pleqërinë e bardhë me Andin, djalin poet e piktor atje sipër, në Shtëpinë e Poetit, si i thonë vlonjatët. Nuk i ikën trishtimi nga shpirti poetit, se e humbi herët Anën e shtrenjtë - Noçen e mrekullueshme, por e mban frymën me dinjitet se ka djalin shok e koleg në letërsi e art.
Hiqmet Meçaj ka lindur në Ballsh më 2 maj 1944 në një familje me origjinë nga Kallarati - Himarë - Vlorë. Është ndër poetët më të njohur në Shqipëri. Me të drejtë mund ta quajmë Poet i Identitetit të Vlorës për kontributin e shquar që ka dhënë e jep për letërsinë shqipe dhe kulturën e Vlorës dhe trevave të saj.
Është poet, prozator dhe veprimtar i kulturës kombëtare, i njohur për zhvillimin e poezisë moderne shqipe dhe angazhim në përgatitjen e antologjive letrare.
Shok i auditoreve universitare me Xhevahir Spahiun, Koçi Petritin, Ndoc Paplekën, Faik Ballancën, Koço Kostën, Pandeli Koçin, Nasi Lerën, Gaqo Bushakën, Adem Istrefin, Sulejman Krasniqin, Foto Qiriazatin etj., me profesorë Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Selman Riza, Androkli Kostallari, Myzafer Xhaxhiu, Fatos Arapi, Jakov Xoxa etj.
Në vitin 1983 u vlerësua me Çmimin Kombëtar për vëllimin poetik: “Tokë e pagjumë”...
Të katër prezantuesit, Kristi, Franceska, Klejda dhe Emi e bënë hijshëm dhe me elegancë paraqitjen e katër autorëve. Vlerat e veprimtarisë u rritën kur gjimnazistët recituan dhe interpretuan poetitë e Asllanit, Markos, Arapit e Meçajt.
Ç’kumbim të ëmbël e melodioz patën vargjet e xha Aliut: “Vlorën edhe Vlorën/ thelp e kam në zemër,/ ditën e kam dritë,/ natën e kam ëndërr…”.
Emocione pruri interpretimi i vargjeve aq të ndjera të shkrimtarit të njohur Petro Marko për Halimin, që na vijnë si një këngë e përvajshme: “Të kish rritur Labëria,/ Djal’ i popullit Halim,/ Halim Xhelo trim o trim,/ Të kish pritur Shqipëria,/Të prit të delje në Vlorë,/ Me flamur të kuq në dorë,/ Po ti u trete i mërguar/ Në Francë e në vend të huaj,/ Shqipërin’ për ta shpëtuar./ Mbahu, moj djalëri, mbahu/ Halimi rrugën e çau,/ Hall e popullit e qau. [1937]”.
Ndërsa poezia e Fatos Arapit quhet një dhuratë hyjnore për brezat. Fisniku i bukurive të shpirtit njerëzor, poeti i madh i epikës dhe tragjedive, i luftës dhe lirisë, i dashurisë dhe tronditjeve të mëdha erdhi me poezinë “ATDHEU”, një poezi me ngarkesë të veçantë emocionale dhe filozofike, ku atdheu nuk trajtohet thjeshtë si hapësirë gjeografike, si vendlindje apo si truall i të parëve, por si një lidhje e thellë shpirtërore e njeriut me rrënjët e veta, ku autori e shikon atdheun si identitet, si përjetim emocional, si dhimbje e mall, si trishtim e dramë njerëzore, patjetër dhe si përgjegjësi morale për ne dhe brezat: “Atdheu është dhimbje, është dhimbje/ Një prill i pikëlluar në shpirt,/ Atdheu është kryqi, është kryqi/ E mban - dhe të mban ty - në shpirt./ Atdheu është toka e premtuar/ Ti shkel si një zot dhe s'e ke ndën këmbë,/ Atdheu s'ka fjalë, ka sy të trishtuar/ Vdes dashuria në dashuri që të çmend./ Atdheu është buka e uritur/ të ikën nga duart e dot nuk e ngop,/ ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur/ me sytë n'errësirë vetveten kërkon./ Atdheu është varr i hapur, është varr/ Një jetë drejt tij shkon me besë që bind,/ Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë/ Në një pikë loti lirinë e lind./ Atdheu yt i vogli, i vogli,/ Ai hyjnori i pavdekshmi - loti.”.
Hiqmet Meçaj vjen me poezinë lirike të moshës së rinisë “Tulipani i brishtë” (1964): “Puliste sytë. Çast që s’përtëritesh/ më shfaqesh shpesh ti para sysh, pareshtur,/ aty ngadalë, aty i vetëtimshëm,/ aty me vrull, aty i zbehtë, i heshtur./ Kaluan orë... gënjehet vetja vallë?/ Një grimë lumturi, të lumturon?/ Një grimë gazi a i bën dot ballë/ zemrës që rreh si deti kur dallgon?/ Se zemra e saj rrihte pranë meje,/ te zemra ime ngjitur pranë e pranë,/ në flokë kishte ca petale yjesh,/ në buzë i kish mbirë tulipan.”… Në këtë poezi, nëpërmjet interpretimit të ngrohtë dhe të ndjerë, sikur prekëm dashurinë si një çast të papërsëritshëm, pamë zemrën që rreh dhe detin që dallëzon, kuptuam simbolikën e tulipanit, që është çelësi simbolik i poezisë, se tulipani që i ka mbirë në buzë vajzës përfaqëson bukurinë, freskinë, rininë dhe lulëzimin e dashurisë, ndërkohë dhe brishtësinë, që paralajmëron humbjen si dramë e ndjenjës, ndaj metafora e telit të mandolinës është shumë e goditur. A duhet këputur teli i mandolinës, kur dëshirojmë që muzika të vazhdojë deri në mëngjes? E ja kështu, logjika e poezisë e çon në përmasa qiellore vajzën e dashur.
Krijimet letrare të gjimnazistëve
“A ka një varg për të thënë, mos e mbaj për vete” - me këtë synim e dëshirë, me këtë durim e këmbëngulje u punua me talentet e reja, nxënës të këtij gjimnazi.
Për dëgjimin me vëmendje, leximin e teksteve poetikë (poezi a prozë poetike) dhe vlerësimin e autorëve, drejtorja e shkollës, zonja Sonila Banushi kishte gjykuar me seriozitet e përgjegjësi dhe shpalli jurinë: Albert Habazaj kryetar i jurisë, dhe anëtarë jurie: Adelina Ibrahimaj - mësuese letërsie dhe studiuese, Aleksandër Duka, mësues, shkrimtar, si dhe Gjinovefa Mustaqe nëndrejtoresha e shkollës dhe vetë Sonila Banushi, drejtoresha e gjimnazit “Halim Xhelo”.
U paraqitën për konkursin 16 poezi të nxënësve, nga të cilat u përzgjodhën më të arrirat, ku mund të përmendim autorë të dalluar, të përkushtuar dhe të dashuruar pas letërsisë, si Kejsi Gjokaj, Fabio Arizaj, Hygerta Hysa, Sefire Lazaj, Kleida Sinaj, Fabian Hysi etj.
U paraqitën vjersha të mira, me brumë letrar, me gjetje artistike dhe figuracion të bukur, por pati dhe vjersha që ishin patetike, nuk përfaqësojnë grupmoshën, vuajnë për nivel artistik, stil të rëndomtë të shkruari e pak lëng poetik në poezi. Ka që mbarojnë me folje vend e pavend, gjë që i ul vlerat letrare, apo tek-tuk vërehej edhe ndonjë fjalë e vjetër, që nuk është e shqipes standarde.
Na bënë përshtypje të mirë poezitë: "Përsëri të panjohur", Më fal, o kohë" (edhe pse pak e gjatë, 7 strofa me nga 4 vargje), "Gjysma që më ndriçon", "Dialog midis trurit dhe zemrës". Sidomos që “Varreza e fjalëve” ka vargje vërtet të mira, ka musht poetik, ishim në një mendje të gjithë, si juri.
Pati 3 vlerësime me çmime të treta, 2 me çmime të dyta dhe 1 çmim të parë. Nxënësja Sefire Lazaj, klasa XII A u paraqit me 4 poezi. U vlerësua Hygerta Hysa, klasa XII A për poezinë “Zëri i heronjve”. Nxënësi Fabio Arizaj i klasës XI B, u vlerësua me çmim të dytë për prozën poetike “Përsëri të panjohur”, për nivel të mirë artistik, si strukturë lakonike, elegancë shkrimore dhe mesazh për kohën.
Ndërsa poezia "Varreza e fjalëve" e nxënëses Kejsi Gjokaj, klasa XII A, u pëlqye jo vetëm nga juria, por u duartrokit edhe nga nxënë/sit dhe mësuesit që e ngrohën me dritë të bukur bibliotekën e shkollës këtë fundtetori. Poezia e Kejsit, për nga struktura poetike dhe niveli artistik e tejkalon moshën. Ka imazh, jetë reale prurë me art dhe estetikë. Dhe Kejsi Gjokaj me poezinë "Varreza e fjalëve" e meritoi çmimin e parë për krijimin poetik më të mirë të paraqitur në konkursin poetik, 2026 për zërat e rinj dhe promovimin e talenteve artistike të gjimnazit “Halim Xhelo”, Vlorë. Ja dy strofat e para të kësaj poezie: “Në shpirt kam ngritur një qytet të vjetër/ ku rrugët mbajnë emra që s’i them,/ ku çdo kujtim më shkruan nga një letër/ e çdo e pathënë më rëndon në zemër./ Atje ka dyer që s’u hapën kurrë/ dhe dritare që presin një agim/ ka njerëz që u kthyen veç në hije/ dhe hije që më flasin papushim”…
Epilog
Me krijuesit dhe interpretuesit e rinj të gjimnazit shkëmbyem mendime mbi shkrimtarinë, frymëzimin artistik dhe ëndrrat e tyre në botën e magjishme të librit.
Çaste vërtet të mrekullueshme shijuam përmes këtyre pamjeve dhe paraqitjeve në aktivitetin letrar të zhvilluar në fund të tetorit në gjimnazin “Halim Xhelo”, ku poezia, arti dhe krijimtaria u bashkuan në një takim të veçantë mes brezave. Ky fundtetori, në gjimnazin "Halim Xhelo", përbashkoi në një orë etydi poetik, aurën letrare të zërave më emblematikë të artit letrar vlonjat dhe kombëtar në të njëjtën kohë. Vlora - Muzë, bëri bashkë pena si Ali Asllani, Petro Marko, Fatos Arapi e Hiqmet Meçaj, në një pikëtakim interesant kohësh e idepasionesh me ato të nxënësve krijues dhe interpretues të gjimnazit "Halim Xhelo".Vlora, dallga, vala e bregu, koha që shkon pa kthim e dialogu i gjithhershëm me të, historia, dashuria në kuptimin e saj universal, liria dhe jeta, ishin kuintesencë e vargut dhe e pasionit të tyre për fjalën e bukur.
Nxënësit pjesëmarrës u vlerësuan me certifikata për krijimet dhe interpretimet më të arrira, si një kujtesë e bukur e një sfide të vogël, por që mund të bëhet fillesa e një rrugëtimi të gjatë e gjurmëlënës në jetën e tyre!
Në faqen zyrtare të facebok-ut të gjimnazit “Halim Xhelo”, Vlorë është hedhur videoja e veprimtarisë, si dhe është postuar teksti i mëposhtëm:
“Tetori mund të përfundojë në kalendar, por magjia e fjalës së bukur mbetet gjithmonë e gjallë!
Rikthehemi përmes këtyre pamjeve në aktivitetin letrar të zhvilluar në fund të tetorit në gjimnazin “Halim Xhelo”, ku poezia, arti dhe krijimtaria u bashkuan në një takim të veçantë mes brezave.
Vlora - Muzë, bëri bashkë pena të shquara të letërsisë vlonjate dhe kombëtare si Ali Asllani, Petro Marko, Fatos Arapi dhe Hiqmet Meçaj, me krijimet dhe interpretimet e nxënësve tanë.
Përmes vargut poetik u sollën në vëmendje Vlora, deti, historia, dashuria, liria dhe jeta, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e fjalës për të bashkuar kohë dhe breza.
I ftuar në këtë veprimtari ishte z. Albert Habazaj, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në qytet, studiues, kritik letrar, bibliograf dhe eseist, i cili ndau me të rinjtë mendime dhe përvoja mbi krijimtarinë, frymëzimin artistik dhe botën e librit.
Në përfundim, nxënësit pjesëmarrës u vlerësuan me certifikata për krijimet dhe interpretimet e tyre më të arrira.
Një aktivitet që na kujton se letërsia nuk është thjesht fjalë në letër, por ndjenjë, kujtesë, identitet dhe një rrugëtim që nuk përfundon kurrë”.
***
Është e natyrshme, që nuk mund të bëhen të gjithë nxënësit poetë e shkrimtarë dhe nuk mund t’ju kërkojmë shumë, veçse krijuesve të rinj me synime letrare, që duan ta vijojnë udhën e vështrirë e të bukur të shkrimtarisë, ju urojmë shëndet, sukse se në mësime dhe pena flori!








Comments