Albert HABAZAJ: GRUAJA ME SYTË E ËMBËL
- 2 days ago
- 1 min read

GRUAJA ME SYTË E ËMBËL
Për 14 Shkurtin
Shën Valentinas të dy
Më dukesh si çupë, si flutur,
Sa herë të vështroj në sy
Aq herë bëhesh më e bukur.
Përditë e më shumë të dua
Më tepër se jetën time,
Ta kam thënë një herë, moj grua
S' bëj dot çdo ditë deklarime...
Për të dashur orë e çast
Unë e di, e ndjej si unë,
S’kam ç’të them, se jam me fat
Dy trupa në një furtunë.
Të puth sytë dhe të tërën
S’ është nevoja ta përmend,
Të dua si dielli hënën
Si dikur, besoj mban mend...

Pse siç e do dielli hënën?!...
Mos më shumë ai e dashka
Seç unë të dua me zemër?!
Ç’ kam unë, ç'bën ai përjashta...
Ai ka punë të largët
Ne ndezur ndjenjat mirëfilli,
Sytë si dashuri e pastër
Të qeshur si lule prilli.
Dikush mund të thotë: “Po ky
Qysh shkruan si një i marrë?”
Ç’të bëj? Ti me ata sy
Më çon 40 vjet më parë...
Kur u njohëm, çelëm zogjtë
Në çerdhen e ngroht’ të familjes,
Sa të ëmbël ishin ftonjtë
Vetëm atyre u bindem...
Deshi fati, Zoti deshi
Jemi gjyshër sot moj grua,
Bujaria buzëqeshi
Siç më do, më shumë të dua.
Lundroj kot unë nëpër fjalë
Vetëm ti më bën të lumtur,
Se çdo vit më bën më djalë
Çdo vit bëhesh më e bukur...









I nderuar mik, prof. Fatmir Terziu! Të uroj shëndet e begati! Faleminderit, sepse falë jush, FJALA E LIRË është edhe jona. Ju uroj nga zemra gëzuar ditën e Shën Valentinit! Edhe ne gëzohemi dhe reflektojmë për 14 Shkurtin, jo vetëm rinia, patjetër që ata janë zjarri dhe flaka, por dua të them se ne, këtu dhe ju andej hapësirave të Shqipes - për familjet e shëndosha çdo ditë të tillë ta kemi.
Të jemi si kjo ditë që agoi, se me dashuri vlejmë e duhet të jemi të denjë e besnikë, sepse dashuria e pastër është gurra që mban gjallë familjen, familja mban në këmbë shoqërinë qytetare.
Nga Vlora, Albert HABAZAJ