top of page

Akademik Jani Thomai, një nga kolosët e gjuhës shqipe


DHIMITËR SHTËMBARI


Aktualisht, është gjuhëtari me më shumë studime shkencore monografike


Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Akademik Jani Thomai (Stefi) është lindur në Seman të ish rrethit të Fierit më 2 shkurt të vitit 1935, domethënë 85 vjet më parë, në gjirin e një familjeje me taban të shëndoshë atdhetar. Është lindur në po atë trevë, ku kanë pas lindur burra të shquar, si at e bir Kostandin e Jani Minga (ky i fundit – Mësues i Popullit), Papa Irakli Pylli – klerik i shquar atdhetar, dëshmor i LANÇ, Naunka Shqepa (Bozo), kolonelët Kozma e Trifon Stefi – kuadro të lartë të formacioneve partizane e të tjerë.

Fisi Stefi, nga ka dalë personazhi i shkrimit tonë, është ndër më të dëgjuarit jo vetëm në këtë zonë, por edhe shumë më gjerë.

Mësimet e para Jani Thomai i mori në vendlindje, shkollën e mesme e mbaroi në Shkodër, ndërsa studimet e larta i kreu në fakultetin e gjuhës e të letërsisë shqipe të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Bazuar në rezultatet e larta e, sidomos, në prirjen për t’u marrë me studime në fushë të gjuhësisë, ky student i shkëlqyer mbahet punonjës pranë Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, në sektorin e leksikologjisë e të leksikografisë.

Kohë më pas, pikërisht në vitin 1972, Jani emërohet punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave.

Me meritë, ngjit bindshëm shkallët e karrierës shkencore

I heshtur prej natyre, por këmbëngulës në çdo punë të filluar dhe rezultativ në detyrë, djaloshi nga Semani do t’i ngjiste gradualisht dhe bindshëm shkallët e karrierës shkencore.

Në vitin 1967 meriton gradën Kandidat i Shkencave Filologjike me temën “Çështje të frazeologjisë së gjuhës shqipe”. Në vitin 1984 mbron gradën Doktor i Shkencave me temën “Prejardhja semantike në gjuhën shqipe”. Tanimë ai gjendet i rreshtuar denjësisht me gjuhëtarët më në zë të Shqipërisë. Falë prodhimtarisë së begatë studimore, sigurisht edhe cilësisë së lartë shkencore arrin që në vitin 1994 të fitojë titullin “Profesor”.

Ndoshta pak me vonesë, megjithatë atij i hapet dera për t’ú pranuar në vitin 2003 Anëtar i Akademisë së Shkencave, madje pesë vjet më pas zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm Shkencor i këtij institucioni të lartë shkencor.

I denjë për të qëndruar me dinjitet krah shkencëtarëve më të njohur të gjuhës shqipe në Shqipëri e jashtë saj, Jani Thomai në vitin 1984 meriton Çmimin e Republikës të Shkallës së Dytë, ndërsa vetëm një vit më vonë dekorohet me “Urdhëri Naim Frashëri i Klasit të Parë”.

Emri i akademik Jani Thomait është i lidhur ngushtë me të gjithë fjalorët e shqipes

Pa as më të voglin dyshim, akademik Jani Thomaj mbetet një nga punonjësit më të shquar në fushë të përgatitjes së fjalorëve të gjuhës shqipe. Ai është bashkëpunëtor në përgatitjen e “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, botuar në vitin 1980, siç është i tillë edhe në “Fjalor i shqipes së sotme”, botuar në vitin 1984, i “Fjalor i gjuhës shqipe”, botuar në vitin 2006 dhe “Fjalor i vogël i gjuhës shqipe”.

I pandalshëm në punën për fjalorët e shqipes, akademik Jani Thomaj është hartues i të parit fjalor frazeologjik të gjuhës shqipe, botuar në vitin 1999. Ndërkohë, ai është bashkëhartues në “Fjalor frazeologjik ballkanik”, botuar në vitin 1975. Merita ka edhe për përgatitjen e “Fjalor i termave të gjuhësisë”, për përgatitjen e “Fjalori elektronik i gjuhës shqipe”, sikurse edhe për “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, botuar në vitin 1985 dhe i ribotuar, sigurisht, i përpunuar, në vitin 2008.

Akademik Jani Thomaj ka dhënë ndihmesë edhe për çështje teorike, që duhen mbajtur parasysh kur i hyhet punës për përgatitjen e fjalorëve të ndryshëm.

Gjuhëtari me më shumë studime shkencore monografike në Shqipëri

.

Akademik Jani Thomai, sikundër ka pohuar drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Prof. dr. Valter Memisha, është gjuhëtari me më shumë studime shkencore monografike në Shqipëri. Me zell të jashtëzakonshëm, ai ka bërë kërkime shkencore në mbi 100 mijë faqe nga letërsia dhe publicistika. Ndërkohë mbetet prodhimtar i madh në fusha të tilla të gjuhësisë, si në atë të frazeologjisë gjuhësore, të semantikës leksikore, të dialektologjisë, të fjalëformimit, të leksikografisë etj.

Hapat e para në fushë të dialektologjisë i bëri me studimin “E folmja e katundit Seman”, ku dëshmoi prirjen e theksuar të gjuhëtarit të pasionuar për t’u marrë seriozisht me kërkime e studime. Ca më pas përgatiti studimin tjetër të titulluar “Frazeologjia popullore në veprën letrare të A. Z. Çajupit”.

Dhe mbas këtij studimi do të vinin, radhë – radhë, edhe shumë e shumë studime të tjera me vlera të mirëfillta shkencore. Kështu, ai do t’i jepte shkencës gjuhësore vepra të tilla, si “Leksik dialektor e krahinor i gjuhës shqipe”, “Veçori leksiko – semantike të ndajfoljeve me prapashtesa në gjuhën shqipe”.

Prodhimtaria e pandërprerë e këtij gjuhëtari të palodhur do të vazhdonte me pesë vëllime të botuara, në të cilat përfshihen dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë.

Kryeredaktor, redaktor e bashkëredaktor i shumë punimeve shkencore

Paralelisht me veprimtarinë kërkimore e studimore, gjuhëtari i shquar Jani Thomai kryente edhe detyrën e kryeredaktorit, të redaktorit e të bashkëredaktorit. Janë të shumta ato vepra të botuara nga autorë të ndryshëm, por që kanë kaluar në dorën e këtij shkencëtari të nderuar. Ai është redaktor shkencor për mjaft vepra madhore, sikurse janë “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe”, vëllimi i parë, i dytë dhe i tretë.

Po kështu, studiuesi këmbëngulës Jani Thomai ka redaktuar me korrektësi librin “Shqiptarët e Maqedonisë”, botuar në vitin 1994. Ka redaktuar, ndërkohë, edhe studimin “Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe perspektivë”, botuar në vitin 2005.

Dashamirës dhe tepër i ngrohtë me bashkëpunëtorët e vet, akademik Jani Thomai ka dhënë ndihmesën e vet edhe në botimet e studimeve “Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe” të A. Jasharit, botuar në vitin 2007, “Fjalor frazeologjik shqip - frëngjisht e frëngjisht - shqip” të D. Xhoxhajt, botuar në vitin 2010; “Historia e popullit shqiptar” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vëllimet i parë, i dytë, i tretë etj.

Kujdes prej profesionisti të vërtetë ka treguar edhe për botimin e revistës “Studime filologjike”, organ shtypi i Akademisë së Shkencave, si dhe i disa organeve të tjera, si “Gjuha jonë” e “Studia Albanica”, apo i revistave të tjera që botoheshin në Kosovë, siç ishin “Gjuha shqipe”, “Gjurmime albanologjike”, “Filologji” etj.)

Akademiku Jani Thomaj

I afërt me studentët dhe i lidhur ngushtë me studiuesit

Për rreth 40 vjet akademik Jani Thomai ka dhënë lëndën e dialektologjisë në fakultetin e gjuhë – letërsisë shqipe pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ai është kujdesur që t’ú jap studentëve jo thjesht njohuri mbi këtë lëndë, por, njëherësh, t’u kultivojë atyre dashurinë për gjuhën shqipe dhe prirjen për të kërkuar në të çështje me interes gjuhësor dhe letrar. Nuk janë të paktë ata ish studentë, që, falë edukatës e kulturës së marrë prej profesorit të tyre, i janë futur punës kërkimore në të folmet e krahinave të ndryshme të Shqipërisë.

Autor i mjaft teksteve universitare, autor programesh universitare dhe pasuniversitare, akademik Jani Thomai mbahet mend jo vetëm si pedagog autoritar, por edhe si udhëheqës i një veprimtarie shkencore nga ana e studentëve. Ai pat qenë titullar i lëndëve “Leksikologji e gjuhës shqipe” dhe “Semantikë leksikore”, lëndë këto që janë dhënë dhe vazhdojnë të jepen edhe në Universitetin e Korçës,në atë të Gjirokastrës, të Prishtinës etj. I gjerë në dije dhe po kështu edhe në shpirt, ky akademik i shquar ka udhëhequr mjaft doktorata, punime masteri, tema diplomash etj.

Akademik Jani Thomai u ka qëndruar afër sidomos shkencëtarëve të rinj. Në rolin e redaktorit, rol që e ka ushtruar gjerësisht, ai i ka kontribuar jo thjesht numrit të lartë të botimeve, por edhe cilësisë së tyre.

Kërkues e referues në disa institucione të rëndësishme evropiane

Hapësira e veprimtarisë studimore, kërkimore e shkencore e akademik Jani Thomait ka qenë jo vetëm në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, as vetëm në fakultetin e gjuhës e të letërsisë pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, as edhe vetëm brenda Akademisë, por edhe jashtë shtetit.

Kërkime studimore ai ka bërë në arkivat e Francës, të Austrisë, Anglisë, Italisë, Rusisë etj. Tepër i përkushtuar mbas detyrës, ai ka sjellë prej andej material tepër interesant, të cilat i kanë shërbyer më së miri shkencës shqiptare të gjuhësisë.

Ndërkaq, ky gjuhëtar i shquar shqiptar ka referuar tema interesante në konferenca të shumta shkencore ndërkombëtare, duke zgjuar interesimin e studiuesve të huaj për gjuhën shqipe. Të tilla tema ai ka referuar jo vetëm në Prishtinë e në Shkup, por edhe në Austri, Bullgari, Gjermani, Hungari, Danimarkë, Itali e deri në Shën Petërburg të Rusisë.

Veprimtaria e gjerë studimore e shkencëtarit nga Semani mbetet një pasuri e madhe në fushë të gjuhësisë, pasuri që është shfrytëzuar dhe vazhdon të shfrytëzohet nga pedagogët dhe studentët e të gjitha universiteteve tona.

Ka qenë dhe mbetet një nga leksikografët më të shquar profesionist

Si leksikolog i talentuar, akademik Jani Thomai ka qënë drejtues i rreth 20 ekspeditave leksikologjike në trevat e ndryshme të Shqipërisë e të Kosovës. Sakaq, ai ka qenë kontribuues shkencor në shumë forume studimore. Kështu, rol të rëndësishëm ka luajtur në Këshillin Shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në vitet 1965 - 2008; në Asamblenë e Akademisë së Shkencave gjatë periudhës 2003 - 2009; në EURALEX (“Shoqata Evropiane e Leksikografëve”). Ndërkohë, ka qenë edhe koordinator për Shqipërinë që nga viti 1988 në Komitetin Kombëtar të AIESEE (“Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve të Evropës Jug - Lindore” në vitet 2008 – 2009.

Shkencëtari Jani Thomai ka dhënë ndihmesë të madhe edhe në Këshillin e botimeve të Akademisë së Shkencave, në Këshillin Ndërakademik për gjuhën shqipe, Shqipëri – Kosovë, ku, për një periudhë katërvjeçare, ka qenë bashkëkryetar etj. Personaliteti i akademikut Jani Thomai është i lidhur ngushtë sidomos me problemet e kulturës së gjuhës në përgjithësi dhe me atë të shqipes standarde në veçanti. Ai ka pas qenë delegat, madje edhe ligjërues në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972.

Si edhe mjaft nga kolegët e vet, edhe ky studiues i madh i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë rëndësi të veçantë gjuhës letrare, duke mbrojtur dhe propaganduar standardin e saj. Të gjitha studimet e tij i janë kushtuar mbrojtjes, pasurimit dhe konsolidimit të këtij standardi.

Drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Prof. dr. Valter Memisha për akademik Jani Thomain

Në fillim të muajit shkurt, me rastin e një veprimtarie nderuese kushtuar 85 vjetorit të lindjes së shkencëtarit të madh të gjuhësisë shqiptare, akademik Jani Thomait, drejtori i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, Prof. Dr. Valter Memisha, ndër të të tjera, qe shprehur:

“Emri i akademikut Jani Thomai është i lidhur drejtpërdrejt, pazgjidhshëm e përjetësisht me leksikografinë, sidomos me atë njëgjuhëshe të shqipes standarde. Kjo lidhje shpërfaqet komplekse dhe shumëfijëshe. Ai ka dhënë ndihmesë të merituar në formimin, konsolidimin e rritjen e saj, duke u rritur, vepër pas vepre, edhe vetë së bashku me të.

Të gjitha proceset që lidhen me hartimin e veprave të tilla me vlerë kombëtare dhe me funksione të shumëfishta (sidomos me funksion informues dhe normëzues) kanë njohur dorën e leksikografit profesionist, të shkencëtarit mendjekthjellët, të gjuhëtarit punëshumë e kërkues.

Veprat ku është trupëzuar ndihmesa e tij e pazëvendësueshme, u kanë shërbyer përdoruesve të tyre, hartuesve të fjalorëve dygjuhësh me shqipen, studimeve për kategori leksikore e semantike etj., përveç që në çdo fjalor, siç dihet, përpunohet një sistem teorik shkencor, pa të cilin nuk mund të mendohet hartimi i glosarëve, zbërthimi kuptimor e ndërtimi i strukturave kuptimore të fjalëve, tipologjia e shpjegimeve, shtresimi i leksikut, elementet e mbishtresuara në semantikë etj.”

Vlerësime e çmime të merituara dhe...

Kur mëson veprimtarinë e jashtëzakonshme shkencore të akademik Jani Thomait, pyetja e parë që të lind: me cilët tituj të lartë është nderuar ky Kostandin Kristoforidh i ditëve tona? A i është dorëzuar ndonjë dekoratë e lartë prej ndonjërit nga presidentët e Republikës?

I shtrojmë këto pyetje, sepse shikojmë e dëgjojmë që dikujt vetëm nga fakti se boton disa karikatura interesante në ndonjë gazetë i jepet titulli Nderi i Kombit! Ndërsa për këtë shkencëtar, që i le Atdheut një pasuri të tillë, të shkëlqyer për brezat, nuk kujtohet njëri! Dhe fjala është jo vetëm për këtë shkencëtar të gjuhës shqipe, por edhe për mjaft të tjerë, që i kanë dhuruar dhe vazhdojnë t’i dhurojnë Kombit tonë vlera të patjetërsueshme!

Akademikut Jani Thomai i është dhënë titulli “Qytetar Nderi i Qarkut të Fierit”, “Qytetar Nderi i qytetit të Fierit”, “Personalitet i shquar i Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Myzeqeja”.

Në vitin 2015 i është dhënë titulli “ Doktor honoris cauza” i Universitetit publik “Fan S. Noli” të Korçës. (Dhe, çuditërisht, nuk i është dhënë nga Universiteti Publik i Tiranës, ku ai ka pas dhënë leksione në afro katër dekada!

Veprat shkencore të akademikut Jani Thomai tashmë janë jo thjesht në bibliotekat e ndryshme, por edhe në duart e studiuesve më të shquar shqiptarë, si dhe në ato të albanologëve të njohur në Ballkan, Evropë e më gjërë.



Disa nga veprat shkencore, për të cilat ka kontribuar akademik Jani Thomaj



Në Universitetin e “Fan S. Noli” të Korçës, ku iu dorëzua titulli “Doktor honoris cauza”



Jani Thomai, (i katërti nga e majta në të djathë), mes disa gjuhëtarëve

113 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page