Ajne Ibërhysaj: DUKE LEXUAR POSTIMIN E POETES THOMAIDA
- 26 minutes ago
- 3 min read

DUKE LEXUAR POSTIMIN E POETES THOMAIDA
Sa e çuditshme është jeta…Ka miqësi që bëjnë të njëjtën rrugë me ty, por nuk takohen. Pastaj vjen një çast dhe rrugët takohen. Ky ishte pikëtakimi im me Tomkën. Me Thomaidën, apo Tomkën, siç e quajnë miqtë e saj, u njoha përmes poezisë dhe aktiviteteve letrare në Kosovë. Sot, duke lexuar postimin e saj, mësova për ndarjen nga jeta të profesorit të nderuar Albert Riska. Dhe ishte një lajm që më ktheu shumë vite pas. Albert Riska ishte studiues dhe pedagog në Universitetin e Elbasanit. Dikur dëshira ime kishte qenë të studioja për Gjuhë dhe Letërsi, por fati nuk më çoi në drejtimin që doja. Megjithatë, jeta shpesh më ka çuar në një drejtim tjetër, ndoshta të kundërt me atë që kam dëshiruar, por letërsia dhe njerëzit e saj kanë mbetur gjithmonë pranë meje. Nuk dua të largohem nga kujtimi i profesorit të ndjerë, sepse vepra e tij do të mbetet.
E pata njohur në një kohë të viteve të rrëmujave, asgjë nuk ishte e sigurt të shkoja në konvikt të bëja atë rrugë aq e shkurtër po të fuste frikën. Unë prisja kush po kalonte ishte prof. Albert Rriska doli nga Univerziteti, i zbriti shkallët me vrap siç e kishte zakon të ecte, dhe unë ju bashkëngjita pas, sikur më afronte një siguri, në atë rrugë shpesh kam pa çunat që kacafyteshin deri sa njëri mbetej i shtrirë dhe pa shenja jete. Ishte periudha e viteve të tranzicionit, kur asgjë nuk dukej e sigurt. Rrugën shpesh kishe frikë ta bëja vetëm . Albert Rriska banonte në konvikt bashkë me familjen e tij. Në konvikt takoheshim shpesh nëpër shkallë. Ai gjithnjë me kokën ulur, i zhytur në atë botën e tij, sikur mendonte në çdo çast. Kur e përshëndesja, ngrinte kokën me qetësinë e tij dhe ma kthente përshëndetjen. Kishte një lloj ftohtësie të natyrshme, jo largësi, por atë seriozitetin e një njeriu me një aure të veçantë, që impononte respekt. Sot, duke lexuar shkrimin e Thomaidës, u ktheva sërish te ajo kohë e konviktit. Bashkë me të ishte edhe bashkëshortja e tij, Luljeta, dhe vajza e tyre, aq e përkëdhelur, sa mua më ngjante me vajzën e filmit “Mimoza llastica”. I kujtoj me shumë dashuri ato ditë, atë familje dhe atë kohë të thjeshtë. Me Luljetën u takova përsëri shumë vite më vonë, në një aktivitet letrar në Vushtrri, në Ditët e Poeteshave. Kur e pashë, nuk u besoja syve. U ktheva edhe një herë për ta parë dhe po, ishte Luljeta. U përqafuam dhe nisëm të bisedonim sikur të mos kishin kaluar vite. Kujtuam kohën kur ishim si dy fqinje në konviktin e Elbasanit. E pyeta për vajzën. Më tregoi se ishte martuar dhe kishte fëmijë binjakë. Më kujtohet me sa dashuri fliste për ta. Ajo dhe Berti, siç e quanin miqtë Albertin, kishin qenë pranë familjes së vajzës dhe kishin ndihmuar në rritjen e binjakëve. Sa e bukur është një periudhë e jetës që mbetet në kujtesë! Një moshë, disa njerëz, disa shkallë konvikti, disa përshëndetje të shkurtra…dhe papritur, pas shumë vitesh, një postim të kthen aty ku mendove se gjithçka kishte mbetur pas. Për mua, ato vite janë miqësi. Janë kujtime që nuk kanë nevojë të përsëriten për të mbetur të gjalla. Shpesh ndalem dhe i kujtoj. Edhe kur nuk mundem t’i takoj, dua t’i mbaj në kujtesë ashtu siç ishin: me thjeshtësinë, çiltërsinë dhe dritën e asaj kohe. Çdo njeri që kam njohur në atë periudhë ka lënë diçka në mua. I tillë ishte edhe prof. Albert Riska: një studiues, pedagog dhe profesor i nderuar, të cilin pata fatin ta njoh, qoftë edhe përmes atyre takimeve të shkurtra në shkallët e konviktit. Ndoshta disa njerëz nuk i njohim gjatë, por mjafton një çast që të mbeten gjatë në kujtesë. Qoftë i lehtë dheu për profesor Albert Riskën. Ngushëllime të sinqerta familjes, bashkëshortes Luljeta, vajzës, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan. Disa njerëz largohen nga jeta, por nuk largohen kurrë nga kujtesa.








Comments