top of page

AJKUNAT E DHEUT TIM


Në shekuj duke udhëtuar me tragjeditë mbi shpinë, gratë e fshatit tim i kanë tretur gjëmat me vajtimet mitike dhe kanë shërbyer këto vaje si kapituj të rëndë të trilogjisë njerëzore Një strofë ligjërimi i një gruaje pilurjote u bë shkas për të shkruar një logatje të gjatë:



AJKUNAT E DHEUT TIM ( Kushtuar vajtimtareve të fshatit)

Ju dete e stere Dhëmbjen ma duroni Djemt e mi sorqeth Vallë mi shikoni? Njërin Mal i zi Tjetrin Anadolli Ju male me borë Kurrë mos jeshilofshi! ( Vajtimtarja)


Çdo mëngjez e darkë,n’ato maja vëndi Dhëmbja pret si shpatë, nga loti shkrin shkëmbi Ca Ajkuna bregu ngrijnë unazë trishtimi S’vret me plumb dyfeku sa godet vajtimi


Kjo vendlindja ime, brengë e tragjedive Dhe kur ka gëzime, s’pushon shiu i syve Vaji del nga gjoksi është më kulm se kënga Kataraktë bën loti kur humnerë është zemra


Kur dalin divanit një rënkim merr toka Zë e zgjidhet xhani, s’rrotullohet bota Llavë e boshtit brenda kur dëgjon del jashtë Ato grykëzëna në mëngjez e darkë


Vallë dridhet tërmeti si buza e Nënës? Çkoqet darameti si rëra e hënës Rënkim oqeani, jo nuk ka si motra Kur i gulçon xhani se i mbyllet porta


Si përcëllim korbi, vresht që s’ka të vjela Qan humbjen e shortit, shpirt kënet e veja Bëhet thagmë vajtimi, ngrin më këmbë i gjalli Eshtrat mbledh qefini, zë lëviz tek varri


Në syrin e lotit gratë e fshatit tim Veç një stinë ka moti, dimër e trishtim Oh sa pak pranverë! Nuk është as një hënë Gratë leshra prerë, Nënat grykëzënë


Kur çlodhen beharet, Mesdheu përgjumet Dalin vajtimtaret, logatin dhe lulet Ligjërimi i lotit merr dete dhe male Sirenat e Jonit humbin s’duken fare


Ajkunat e borës, sirenat e jetës Fshijnë lotët e kohës me dredhë të gërshetës Kur i derdhin vajet rënkon rëndë moti Atje tek sarajet, ndëron vendimet Zoti


Në ato divane kur e kthej unë synë Dëgjoj një logatje, vjen një psherëtimë S’ka Ajkunë në gjallje, kanë thënë lamtumirë Piluri me vaje ka ngrirë historinë


Kopertina e librit tim është marrë nga pikturat e piktorit vlonjat Petrit Cena në ilustrim të librit” Milosao”

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page