Agim Vuniqi: Zgjedhjet lokale – përballja e një njeriu me sistemin
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 2 min read

Nga Agim Vuniqi
Zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë nuk ishin vetëm një test për partitë politike, por një reflektim i drejtpërdrejtë i betejës mes dy koncepteve të pushtetit: pushtetit të vjetër të lidhjeve klienteliste dhe pushtetit të ri që synon reformën e shtetit nga themelet. Aleanca e pashpallur midis PDK-së, LDK-së, AAK-së, Listës Serbe dhe segmentëve të fuqishëm mediatikë e ekonomikë e dëshmoi se “koalicioni i madh” kundër Albin Kurtit mbetet ende struktura më e organizuar e ruajtjes së status quo-së.
Në këtë garë, qytetarët u përballën jo me ide e programe, por me një presion masiv propagandistik, të ndërtuar mbi frikë, keqinformim dhe nostalgji për “stabilitetin e vjetër”. Mediat, të ndikuara nga pronarë që përfituan nga privatizimet e AKM-së dhe AKP-së, u kthyen në amplifikatorë të një narrative që synonte rrëzimin e legjitimitetit moral të një lideri që nuk pranon kompromis me korrupsionin.
Në fakt, kjo nuk ishte një përballje elektorale e zakonshme, por një test për durimin e qytetarit – një qytetari që, pas dy dekadash tranzicioni të lodhshëm, ndodhet përballë dilemës: të kthehet në duart e atyre që e shndërruan pasurinë publike në pronë private, apo të vazhdojë ecjen e vështirë drejt reformës dhe drejtësisë sociale.
Ndërkohë, komuniteti serb në Kosovë, përmes një homogjeniteti të plotë politik nën kontrollin e Aleksandar Vuçiqit dhe politikës zyrtare të Beogradit, e dëshmoi edhe njëherë instrumentalizimin e demokracisë lokale për interesa shtetërore serbe. Kjo homogjenizim etnik-politik, i diktuar nga veriu, thekson se sovraniteti i Kosovës mbetet ende i paplotë në praktikë.
Në këtë vorbull të presionit të brendshëm dhe të jashtëm, një pjesë e qytetarëve u dezorientua nga përmbytja mediatike, një pjesë tjetër qëndroi indiferente, duke e lexuar zgjedhjen jo si akt politik por si shenjë zhgënjimi ndaj gjithë sistemit. Megjithatë, edhe pse në kushte të pafavorshme, Vetëvendosje arriti të ruajë bastione të rëndësishme dhe të fitojë në disa komuna simbolike, çka tregon se fryma e ndryshimit ende nuk është shuar.
Zgjedhjet lokale e treguan qartë se përplasja në Kosovë nuk është më ideologjike, por strukturore: ajo zhvillohet midis atyre që duan të mbajnë peng shtetin përmes rrjeteve të vjetra të ndikimit – në ekonomi, media, e drejtësi – dhe atyre që kërkojnë një rend të ri republikan e qytetar.
Në fund, qytetari kosovar duhet ta kuptojë se kjo nuk është betejë e një njeriu kundër partive, por betejë e një shoqërie kundër vetvetes, kundër frikës për të qenë e lirë. Dhe derisa të mos çlirohet nga ky kompleks i frikës, çdo zgjedhje do të mbetet përsëritje e së njëjtës skenë, me aktorë të rinj, por me të njëjtin skenar të vjetër.







Comments