Agim Lika: NUK LARTËSOHESH DUKE ULUR TË TJERËT.
- 2 hours ago
- 4 min read

Mbi etikën e fjalës dhe përgjegjësinë e krijuesit
Nga Agim Lika
Poet, historian dhe studjues
Një nga dukuritë më të hershme të natyrës njerëzore është përpjekja për t’u lartësuar nëpërmjet zhvlerësimit të tjetrit. Letërsia botërore e ka trajtuar gjerësisht këtë fenomen. Në universin letrar të Balzakut, ambicia, zilia, hipokrizia dhe etja për afirmim shfaqen si forca që përcaktojnë marrëdhëniet njerëzore dhe shoqërore. Edhe pse kohët ndryshojnë, ky mekanizëm mbetet i pranishëm: kur individi nuk arrin të ngrihet përmes vlerave të veta, shpesh përpiqet të zvogëlojë tjetrin.
Kjo dukuri nuk mungon as në mjediset letrare.
Herë pas here, krijuesi, në vend që ta ndërtojë identitetin e vet mbi forcën e veprës, kërkon të afirmohet përmes mohimit, nënçmimit apo zhvlerësimit të një krijuesi tjetër. Këtu lind një pyetje thelbësore: a mund të lartësohet një poet duke ulur një poet tjetër?
Në gjykimin tim, jo.
Letërsia është dhe duhet të mbetet hapësirë e lirisë. Poeti ka të drejtë të trajtojë çdo dimension të përvojës njerëzore: dashurinë dhe urrejtjen, drejtësinë dhe padrejtësinë, shpresën dhe dëshpërimin. Por liria krijuese nuk duhet ngatërruar me mungesën e përgjegjësisë.
Ekziston një dallim thelbësor ndërmjet kritikës së një fenomeni dhe sulmit ndaj një individi ndërmjet denoncimit artistik të një dukurie dhe përdorimit të poezisë si mjet për larjen e hesapeve personale. Poezia mund të lindë nga një plagë personale, por bëhet art kur arrin ta tejkalojë atë. Krijuesi i vërtetë nuk ia përcjell lexuesit mllefin në gjendjen e tij të papërpunuar; ai e shndërron atë në mendim, figurë dhe përvojë universale.
Arti fillon aty ku përfundon hakmarrja personale.
Një përvojë konkrete më ka bërë të reflektoj mbi përgjegjësinë e fjalës së shkruar. Gjatë punës për hartimin e jetëshkrimeve të disa mësuesve që nuk jetonin më, bashkëpunova me dy mësues të vjetër, me përvojë të gjatë profesionale dhe njohje të drejtpërdrejtë të ish-kolegëve të tyre. Materialet që më vunë në dispozicion përmbanin të dhëna me vlerë, por edhe shumë vlerësime negative për disa prej njerëzve që nuk ishin më në jetë.
Përballë kësaj situate, pyetja nuk ishte vetëm redaktoriale, por edhe etike: a duhej që këto gjykime të bëheshin pjesë e jetëshkrimeve të njerëzve që nuk mund të përgjigjeshin më?
Vendosa të mos i përfshija.
Dukuritë problematike, aty ku kishin një domethënie më të gjerë, i trajtova veçmas si fenomene të kohës dhe të mjedisit, por nuk i përdora për të rënduar portretin individual të njerëzve të ndjerë. Një jetë njerëzore është gjithmonë më komplekse sesa gjykimi i një bashkëkohësi. Kujtesa është subjektive dhe marrëdhëniet njerëzore mbartin simpati, antipati, miqësi dhe konflikte.
Kjo përvojë më përforcoi një bindje të thjeshtë: ajo që shkruhet, mbetet.
Konflikti mund të harrohet. Zemërimi mund të shuhet. Rrethanat mund të ndryshojnë. Por fjala e botuar vazhdon të ekzistojë edhe kur shkaku që e prodhoi atë ka humbur çdo rëndësi.
Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e krijuesit: të mos shkruajë vetëm për çastin, por të mendojë edhe për jetën e ardhshme të fjalës së tij.
Në kohën tonë, kur reagimi i menjëhershëm shpesh zë vendin e reflektimit, edhe poezia rrezikon të bëhet vazhdim i konfliktit personal. Një pakënaqësi shndërrohet në varg, një përplasje në poezi dhe një kundërshtar në objekt sulmi. Por poezia nuk duhet të jetë thjesht vazhdimi i konfliktit me mjete artistike.
Kjo nuk do të thotë se poezia duhet të shmangë anët e errëta të jetës. Përkundrazi, letërsia e
madhe ka lindur shpesh nga tragjedia, revolta, padrejtësia dhe vuajtja. Por madhështia e saj qëndron në faktin se, duke hyrë në errësirat e ekzistencës, ajo përpiqet të kuptojë njeriun dhe jo thjesht ta poshtërojë atë.
Kritika mund të jetë e fortë pa qenë fyese. Satira mund të jetë therëse pa u shndërruar në sulm personal. Poezia mund të denoncojë pa humbur dinjitetin e saj.
Në mjediset krijuese ekziston herë pas here iluzioni se ulja e tjetrit e rrit automatikisht vlerën tonë. Por arti nuk funksionon sipas kësaj logjike. Nëse një poet e quan një poet tjetër të pavlerë, kjo nuk e bën poezinë e tij më të mirë. Vlera artistike nuk ndërtohet mbi zhvlerësimin e tjetrit.
Letërsia nuk është një ndërtesë ku njëri duhet të rrëzohet që tjetri të ngrihet.
Kritika letrare është e domosdoshme, por ajo duhet të mbështetet mbi argumentin, analizën dhe kriterin estetik, jo mbi antipatinë personale. Koha, në fund, është kritiku më i rreptë. Ajo i harron zhurmat, por ruan veprat; i zbeh polemikat, por nxjerr në pah vlerat.
Krijuesi duhet të ketë aftësinë të shohë më larg se konflikti i ditës. Nëse arti mbetet rob i mllefit të çastit, ai rrezikon të plaket bashkë me të. Nëse arrin ta shndërrojë përvojën e momentit në një pyetje universale mbi njeriun, atëherë fiton mundësinë të jetojë përtej kohës së vet.
Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet reagimit dhe krijimit:Reagimi i përket çastit. Krijimi synon kohën.
Prandaj, para se të botojmë një poezi të lindur
nga zemërimi, një tekst të nxitur nga konflikti apo një gjykim për një tjetër, duhet t’i bëjmë vetes një pyetje: A do të kem të njëjtin mendim edhe pas disa vitesh?
Jo çdo emocion duhet botuar në çastin kur lind. Jo çdo konflikt meriton të përjetësohet në varg. Jo çdo pakënaqësi personale është domosdoshmërisht temë letrare.
Krijuesi nuk matet vetëm me atë që shkruan, por ndonjëherë edhe me atë që ka urtësinë të mos e botojë.Në fund, koha nuk do të pyesë se kë kundërshtuam, kë sulmuam apo kë u përpoqëm të zhvlerësonim. Ajo do të pyesë vetëm: Çfarë vlere lamë pas?
Sepse njeriu nuk lartësohet duke ulur të tjerët. Poeti nuk lartësohet duke ulur poetin tjetër. Fjala
bëhet e fuqishme jo kur përdoret për të poshtëruar, por kur arrin të ndriçojë, të ndërgjegjësojë dhe të mbetet.
"Letërsia që i mbijeton kohës nuk është ajo që ushqen konfliktin e ditës, por ajo që, duke u nisur nga koha e vet, arrin të flasë për njeriun e çdo kohe."
Autori.








Comments