Agim Bajrami: Ditë vere në Elbasan.
- 2 hours ago
- 1 min read

Sot më doli gjumi
Ende pa aguar
Më një një këngë në buzë
Verore në duar
Përqafova prindërit
Që aq shumë i dua
Ata qenkan zgjuar
Më herët se mua
Dhe dolëm sëbashku
Të zënë dorë për dore
Në fushë, ku kanë çelur
Kaq shumë lule bore
Me gonxhe të bardha
Nën diellin si ar
Një pjesë pakan çelur
Dhe mbi trotuar
Pemët qenkan rritur
Pak më shumë se dje
Sepse dhe ato
Festojnë bashkë me ne
Ngado ndizen zjarre
Që si fik dot era
Ti trembim zhapikët
Që fshihen në ferra
Me fyej dhe curle
Me rite paganë
Kështu kanë vepruar
Dhe stërgjyshërit tanë
Cicërijnë zogjtë
Lumi gurgullon
Festa ka mbërritur
E bardhë si gjithmonë
Që nga Namazgjaja
Gjer tek Bezistani
Sa magjik më duket
Këtë çast Elbasani
Nga të gjithë më shumë
Ne fëmijët gëzojmë
Me lule dhe degë
Portat zbukurojmë
Na këndojnë zemrat
Dhe na ndrisin sytë
Ne me zor e prisnim
Të vinte kjo ditë
Ndaj ja marrim valles
Në çdo rrugë e shesh
Ti ndajmë lumturitë
Këtë ditë mes nesh
Gjyshet kanë gatuar
Gjer në oret e vona
Tepsi ballokumesh
Për familjet tona
Një pjesë prej tyre
Qe të shkrijnë në gojë
Do ti ndaj me shokët
Sapo ti takoj
Përmbi to kam shkruar
Edhe një urim
Paçim gjithmonë festa
Në atdheun tim.








Comments