top of page

Adi Haliti: KUR HESHTJA FLET

ree

 


Vëllim poetik nga, Nikolin Sh. Lëmezhi

 

Vëllimi poetik titulluar, «Kur heshtja flet», e autorit Nikolin Sh. Lëmezhi, është një udhëtim i ngarkuar me emocione filozofike, ku poezia, si një formë e fuqishme shprehëse, shqyrton thelbin e jetës dhe të natyrës njerëzore. Kjo vepër karakterizohet nga një gjuhë e  pasur dhe e thjeshtë, ku del në pah mundësia e eksplorimit të jetës, me qëllim që të kuptojmë më shumë për veten dhe botën përmes asaj që kurrë nuk thuhet, pra, përmes heshtjes.

 Bën përshtypje fakti se, autori ka preferuar që fjalën «Heshtje», ta shkruajë gjithmonë me të madhe, gati sikur të ishte një emër i veçantë i Zotit.

 Titulli i veprës, nuk është vetëm një pasqyrë e një poezie të vetme, por është një manifest që thërret për një meditim të thellë mbi rolin që luan heshtja në jetën e çdo njeriu. Poezia është një reflektim mbi mundësinë e të kuptuarit të asaj që shpesh mbetet e papërshkruar me fjalë, me qëllim që të shohim përtej asaj që shfaqet dhe të ndiejmë jetën në përditshmërinë e saj, përmes gjithçkaje që mbetet e pashprehur.

 Në mënyrë të veçantë poezia me të njëjtin titull si edhe e gjithë vepra, shërben si një pikënisje për të gjithë vëllimin. Ajo zë vend në faqen e 107-të të librit, dhe bën thirrje për të dëgjuar atë që shpesh na shpëton, për të kuptuar se thellësia dhe bukuria e jetës shpesh qëndrojnë në ato momente kur fjalët heshtin dhe shpirtit i jepet mundësia që të flasë përmes ndjenjave të pastra dhe mendimeve të thella, siç thuhet veçanërisht në vargun:

 

«Kur njerëzit heshtin e heshtja flet, aty ka jetë».

 


ree

Ky vëllim poetik është një thirrje për të mos e humbur shpresën, për të kërkuar dritën edhe në momentet e errëta, dhe për të besuar në fuqinë e brendshme që e udhëheq njeriun drejt kuptimit më të lartë të vetvetes dhe të botës. Autori ka krijuar një elegji poetike që është e këndshme sa i takon formës artistike, por që është gjithashtu edhe një shtysë për të reflektuar mbi gjithsecilin që dëshiron të shqyrtojë më thellë shpirtin e tij dhe botën përreth.

 Poezia e vëlla Nikolin Sh. Lëmezhit është një frymëzim për vetë thelbin e jetës dhe të asaj që është shpesh e padukshme, e cila mbetet një pasuri e vërtetë letrare dhe shpirtërore për çdo lexues.

 Duke dashur që zëri i ëmbël i heshtjes dhe gjuha e saj, të jehojnë gjithnjë e më shumë për gjithë lexuesit dhe dashamirësit e poezisë, autori e ka botuar këtë vëllim poetik edhe në gegnishten dialektore në tetor të vitit 2023, (përshtatur nga z. Ndrekë Zalli), në anglisht në dhjetor të vitit 2023, (përkthyer nga znj. Laura Hamitaj) dhe në gjermanisht në maj të vitit 2024, (përkthyer nga znj.  Klodjana Mark Murri).

 Me shumë etje dhe dashuri e lexova edhe versionin e këtij vëllimi, të shkruar në gegnishten dialektore, çka edhe më bëri që ta admiroja veprën akoma më shumë.   

Duke lexuar poezitë e vëlla Nikolinit, njeriu dashurohet me bukurinë e heshtjes dhe bëhet më i aftë për të hyrë brenda vetes, e për të gjetur kështu rrugën e bukur të dashurisë e të paqes së vërtetë.

 Më në fund, njeriu mëson që të mos ketë frikë nga heshtja, por ta dojë atë, ta kërkojë, sepse duke gjetur heshtjen ai krijon edhe mundësinë për të gjetur vetveten. Duke gjetur vetveten, përmbush edhe aspiratat e tij më të thella për të qenë realisht i lumtur.

 I urojmë më të mirat vëlla Nikolinit, dhe e falënderojmë me mirënjohje për këtë vepër  të mrekullueshme letrare, duke shpresuar gjithashtu se do të kemi bekimin të lexojmë akoma më tepër vepra me vlerë prej tij në të ardhmen.  

 

Nga, Adi Haliti

Zvicër

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page