Fatmir Terziu: TYMÇE

Tregim: TYMÇE
Gjendja kur tymi bëhet mënyrë jetese
Në fillim ishte zhurma. Pastaj dalldisja. Pastaj … humbi e gjitha. Sytë po merrnin formën e gjithëgjendjes. Atëherë u shkundën.. por, ama, ende s'e kuptonin. Nuk e kuptonin ata lart. Atje matanë, dukej ende se askush nuk e vinte re tymin. Ndoshta, ngaqë ai nuk erdhi nga oxhaqet. Nuk u shfaq as nga zjarret që ndiznin njerëzit në oborret e shtëpive për të djegur gjethet e thata të vjeshtës. Tymi u shfaq ngadalë, si një frymëmarrje e huaj që dilte nga muret, nga zyrat, nga gojët e atyre që flisnin shumë dhe nga heshtja e atyre që kishin mësuar të mos thoshin asgjë. Ishte një tym i çuditshëm, pa erë të dallueshme, pa ngjyrë të qëndrueshme, që në mëngjes dukej i bardhë, në mesditë merrte një nuancë të verdhë dhe në mbrëmje, kur ndizeshin dritat e rrugëve, bëhej aq i dendur sa fytyrat e njerëzve ngjanin me portrete të vjetra të varura në një dhomë ku askush nuk hynte më. Në fillim, njerëzit u ankuan. Por nuk dinin përse. Kishte shumë gjëra, e kështua ata u ankuan për thatësirën, pastaj për lagështirën, pastaj për ndotjen, më vonë për motin, derisa një ditë e kuptuan se nuk kishin më fjalë për atë që u ndodhte dhe nisën ta quanin thjesht Tymçe, sepse asnjë emër tjetër nuk mund ta përshkruante atë gjendje ku gjithçka ekzistonte, por asgjë nuk dukej e plotë.
E kështu hyri në Fjalor Tymçe. Tymçe nuk ishte emri i një vendi, as i një fshati të harruar mes maleve, ku oxhaqet nxirrnin tym mbi çatitë e vjetra, por një gjendje që kishte zënë rrënjë në jetën e njerëzve, një mënyrë të menduari e të jetuari, e cila, dalëngadalë, ua kishte ndryshuar pamjen gjërave, ua kishte turbulluar kujtesën dhe ua kishte bërë të vështirë të dallonin se ku mbaronte e vërteta e ku fillonte gënjeshtra. Në fillim, tymi kishte qenë i hollë, pothuajse i padukshëm, një mjegull që shfaqej në mëngjes e shpërndahej me lindjen e diellit, por, me kalimin e viteve, ai ishte bërë pjesë e ajrit, kishte hyrë në zyrat e administratës, në korridoret e institucioneve, në dyert e fabrikave të mbyllura, në kafene ku njerëzit flisnin me zë të ulët dhe në shtëpitë ku prindërit u mësonin fëmijëve të mos bënin shumë pyetje.
Askush nuk e dinte me saktësi se kur kishte nisur gjithçka. Disa thoshin se tymi kishte dalë nga oxhaqet e fabrikës së vjetër, të tjerë betoheshin se burimi i tij gjendej në bodrumet e bashkisë, ku ruheshin dosje që askush nuk i hapte, ndërsa më të moshuarit kujtonin se, shumë kohë më parë, ajri kishte qenë aq i pastër sa njerëzit mund të shihnin nga dritaret edhe shtegun që të çonte te kodra e fundit. Tani, kodra ishte zhdukur pas një perdeje gri, ndërsa rruga që të çonte atje vazhdonte të ekzistonte vetëm në kujtesën e atyre që kishin pasur ende mundësi ta përshkonin.
Në këtë qytet jetonte Demosteni, një burrë që kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke punuar në një ndërmarrje industriale, ku zhurma e makinerive i kishte shoqëruar ditët dhe era e hekurit i kishte mbetur në rroba edhe pasi kthehej në shtëpi. Ai nuk ishte njeri që kërkonte të binte në sy, as nuk kishte ëndërruar ndonjëherë të bëhej udhëheqës i të tjerëve. I mjaftonte të merrte pagën në fund të muajit, të blinte bukën, të paguante dritat dhe të shihte se fëmijët e tij rriteshin pa e ndier mbi shpatulla peshën e frikës që kishte rënduar mbi brezin e tij.
Por një mëngjes, kur mbërriti në punë, gjeti portën të mbyllur dhe mbi të një fletë të bardhë, ku njoftohej se veprimtaria e ndërmarrjes pezullohej deri në një njoftim të dytë. Nuk kishte emra përgjegjësish, nuk kishte afat, nuk kishte shpjegime për pagat e prapambetura. Kishte vetëm disa rreshta të shtypur me shkronja të zeza, sikur fati i qindra familjeve të mund të mbyllej me një njoftim të ngjitur mbi një portë ndryshku.
Demosteni e lexoi fletën disa herë, jo sepse nuk e kuptonte, por sepse shpresonte që, në leximin e fundit, fjalët të ndryshonin. Përreth tij, punëtorët që kishin ardhur nga lagje të largëta rrinin të heshtur. Njëri mbante në dorë kutinë e ushqimit, tjetri kishte ende veshur dorezat e punës, ndërsa një i tretë shikonte nga dritaret e ndërtesës, sikur priste që dikush të dilte e t'u thoshte se gjithçka ishte një gabim. Askush nuk doli. Nga brenda dëgjohej vetëm një zhurmë e largët, ndoshta e një makinerie që kishte mbetur ndezur, ndoshta e erës që përplaste një derë të pambyllur.
Atë ditë, Demosteni u kthye në shtëpi më herët se zakonisht, por nuk kishte sjellë me vete asnjë lajm. Gruaja e priti te dera, duke i hedhur një vështrim duarve të tij, siç bënte gjithmonë kur ai kthehej nga puna, dhe e kuptoi se diçka kishte ndodhur. Ai nuk i tha se e kishin mbyllur ndërmarrjen; i tregoi vetëm fletën, të cilën e kishte palosur aq shumë sa fjalët mezi lexoheshin. Ajo e vendosi mbi tryezë, pranë bukës së mbetur nga mëngjesi, dhe të dy qëndruan për pak kohë përballë saj, sikur letra të ishte një njeri i tretë që kishte ardhur për t'u njoftuar se familja e tyre duhej të mësonte të jetonte ndryshe.
Ditët kaluan, por njoftimi i dytë nuk erdhi. Pagat mbetën të papaguara, dyqanet filluan të shënonin borxhet në fletore, ndërsa nëpër lagje u shtuan njerëzit që rrinin para portave të mbyllura dhe bënin të njëjtat pyetje pa marrë asnjë përgjigje. Në fillim, secili mendonte se halli i tij ishte i veçantë, se ndoshta kishte gabuar diku, se mbase duhej të priste edhe pak. Por, kur pritja u bë më e gjatë se durimi dhe heshtja më e rëndë se uria, njerëzit filluan të kuptonin se nuk ishin vetëm.
Kështu lindi ideja e protestës.
Në fillim ishte një bisedë mes disa punëtorëve, e zhvilluar në një kafene ku tymi i duhanit përzihej me ajrin e rëndë të qytetit. Pastaj u bë një mbledhje e vogël në oborrin e ndërmarrjes, ku secili solli një fletë me emrat e atyre që nuk kishin marrë pagat. Më vonë, dikush propozoi që të shkonin përpara bashkisë, dikush tjetër kërkoi të hartohej një peticion, ndërsa një grua, e cila kishte tre muaj që priste rrogën e të shoqit, tha se nuk mund të pritej më derisa fëmijët të mësonin të flinin pa darkë.
Demosteni dëgjoi gjatë, pa e ndërprerë askënd. Kur erdhi radha e tij, nuk mbajti fjalim. Tha vetëm se njerëzit nuk po kërkonin lëmoshë, por atë që kishin fituar me punën e tyre, dhe se asnjë letër e ngjitur në një portë nuk mund ta kthente padrejtësinë në ligj. Fjalët e tij nuk ishin të mëdha, por kishin peshën e viteve që kishte kaluar përpara makinerive, të mëngjeseve kur ishte ngritur pa zbardhur dita dhe të mbrëmjeve kur kishte ardhur në shtëpi me duart e nxira nga puna. Atëherë, për herë të parë pas shumë kohësh, njerëzit nuk u shpërndanë secili në drejtimin e vet. U larguan së bashku, me bindjen se më në fund kishin gjetur një mënyrë për ta bërë zërin e tyre të dëgjohej. Por tymi nuk e priti protestën si një mysafir të papritur. Ai e kishte nuhatur prej kohësh afrimin e saj. Ditën e protestës, sheshi përpara bashkisë u mbush më herët nga sa kishin parashikuar organizatorët. Njerëzit erdhën nga lagjet e largëta, nga ndërmarrjet e mbyllura, nga dyqanet ku pagat e papaguara ishin kthyer në borxhe dhe nga shtëpitë ku mungesa e përgjigjeve kishte filluar të dukej si një formë tjetër ndëshkimi. Disa mbanin pankarta të shkruara me dorë, të tjerë kishin sjellë fotografi të prindërve që kishin punuar gjithë jetën dhe të fëmijëve që tani nuk mund të vazhdonin shkollën, ndërsa shumë prej tyre nuk mbanin asgjë, përveç një heshtjeje që kishte zgjatur aq shumë sa ishte kthyer në nevojë për të folur.
Në qendër të sheshit, Demosteni mbante një pankartë ku kishte shkruar: “Nuk kërkojmë mëshirë, kërkojmë të drejtën tonë.” E kishte shkruar vetë, me shkronja të mëdha, sepse donte që fjalët të lexoheshin nga larg. Për të, ajo pankartë nuk ishte një copë kartoni e ngjitur mbi një shkop, por përmbledhja e gjithë atyre viteve kur njerëzit kishin punuar, kishin pritur dhe kishin besuar se, po të bënin detyrën e tyre, edhe dikush tjetër do të bënte të vetën.
Protesta nisi me thirrje të qeta. Njerëzit kërkonin përgjigje, emra, afate dhe përgjegjësi. Një punëtor lexoi listën e pagave të papaguara, një grua tregoi se sa herë kishte shkuar në zyrat e administratës pa marrë asnjë përgjigje, ndërsa një i ri ngriti zërin për të kërkuar që dokumentet e ndërmarrjes të bëheshin publike. Për disa çaste, sheshi dukej sikur kishte rifituar një gjuhë që e kishte humbur prej kohësh. Njerëzit nuk flisnin më për hallet e tyre si për turpe personale, por si për çështje që kërkonin përgjigje nga ata që kishin marrë përsipër t'i zgjidhnin.
Pikërisht atëherë, nga ndërtesa e bashkisë doli një zyrtar me një dosje të trashë nën sqetull. Ai u afrua te shkallët, vështroi turmën dhe nisi të lexonte një deklaratë të gjatë, në të cilën përmendeshin procedura, vështirësi financiare, rrethana të jashtme dhe nevoja për të ruajtur qetësinë. Asnjë emër nuk u shqiptua. Asnjë përgjegjësi nuk u pranua. Asnjë datë nuk u dha. Kur mbaroi së lexuari, zyrtari palosi letrën, e futi në dosje dhe u kthye brenda, duke lënë pas vetes një heshtje që zgjati vetëm disa sekonda.
Pastaj dikush thirri se deklarata ishte një tjetër mashtrim. Një tjetër u përgjigj se nuk duhej të largoheshin pa marrë një përgjigje. Nga fundi i sheshit erdhi një zë që kërkonte të bllokoheshin dyert e bashkisë, ndërsa një grup tjetër këmbëngulte që protesta të vazhdonte pa dëmtuar askënd. Fjalët filluan të mbivendoseshin, thirrjet të përplaseshin dhe pankartat të ngriheshin më lart. Ajo që pak më parë kishte qenë një zë i përbashkët nisi të ndahej në shumë zëra, secili duke u përpjekur të dëgjohej më shumë se tjetri. Demosteni vështroi përreth dhe ndjeu se diçka po ndryshonte, por nuk mundi ta përcaktonte menjëherë se çfarë. Njerëzit ishin ende aty, kërkesat ishin ende të njëjta, ndërsa padrejtësia nuk ishte zhdukur. Megjithatë, mes tyre kishte hyrë një lloj mjegulle, një paqartësi që nuk vinte vetëm nga zemërimi, por edhe nga mungesa e besimit se dikush mund t'i dëgjonte pa i përdorur. Atëherë, tymi filloi të ngrihej.
Në fillim u duk si një perde e hollë mbi anën e largët të sheshit. Askush nuk e dinte se nga vinte. Disa thanë se ishte tym nga një kazan i rrëzuar, të tjerë panë një re të errët pranë rrugës që të çonte te ndërtesa e vjetër industriale. Brenda pak minutash, ajri u bë i rëndë dhe njerëzit nisën të kolliteshin. Sytë u mbushën me lot, fytyrat u turbulluan dhe pankartat humbën ngjyrat nën një shtresë gri që përhapej me shpejtësi.
Askush nuk e pa qartë se kush e kishte sjellë tymin. Askush nuk mund të thoshte nëse ai ishte pasojë e një zjarri, e një ndërhyrjeje të qëllimshme apo e diçkaje që kishte nisur shumë më herët, në ato dhoma ku vendimet merreshin pa praninë e njerëzve që do të paguanin pasojat. Por, ndërsa tymi dendësohej, një gjë u bë e qartë: askush nuk po arrinte më të shihte tjetrin.
Njerëzit filluan të lëviznin në drejtime të ndryshme. Disa kërkonin daljen, disa thërrisnin emrat e familjarëve, të tjerë ngrinin duart për të treguar se ishin aty. Fjalët që pak më parë kishin qenë të kuptueshme u kthyen në britma të ndërprera. Dikush humbi këpucën, dikush rrëzoi pankartën, ndërsa një burrë i moshuar u ul në bordurë, duke mbuluar fytyrën me duar. Një grua kërkonte të birin dhe përsëriste emrin e tij, por zëri i saj humbiste mes kollitjeve dhe zhurmës.
Demosteni mbante ende pankartën. E kishte shtrënguar aq fort sa druri i saj i kishte lënë një shenjë në pëllëmbë. Për një çast, ai mendoi ta ngrinte edhe më lart, që njerëzit ta shihnin dhe të kuptonin se duhej të qëndronin bashkë. Por nuk shihte më as fytyrat, as duart që pak më parë e kishin duartrokitur. Në vend të turmës kishte një masë lëvizjesh të paqarta, ku secili përpiqej të shpëtonte veten, ndërsa kërkesa e përbashkët ishte zhdukur pas një reje që nuk njihte dallim mes fajtorit dhe të pafajshmit.
Ai dëgjoi një zë pranë vetes që thoshte se protesta kishte marrë fund. Një tjetër përgjigjej se nuk kishte mbaruar asgjë, sepse asnjë përgjigje nuk ishte dhënë. Dikush i bërtiti turmës se gjithçka ishte organizuar qëllimisht për t'i shpërndarë, por askush nuk mund ta vërtetonte. Të tjerë filluan të fajësonin njëri-tjetrin, sikur përgjegjësia të kishte zbritur nga zyrat e mbyllura dhe të ishte shpërndarë nëpër shesh, duke kërkuar një fytyrë ku të ndalej. Demosteni u përpoq të gjente burrin që kishte lexuar listën e pagave, gruan që kishte treguar historinë e fëmijëve të saj, të riun që kishte kërkuar hapjen e dokumenteve. Nuk i gjeti. Për herë të parë e kuptoi se një turmë mund të ishte e bashkuar nga e njëjta padrejtësi, por prapëseprapë të mbetej e pambrojtur përballë mjegullës që i ndante njerëzit nga njëri-tjetri.
Ai uli pankartën dhe kërkoi të largohej nga sheshi. Nuk po ikte sepse kishte hequr dorë nga kërkesa e vet, por sepse nuk mund ta mbronte më atë në një vend ku askush nuk mund të dëgjonte, të shihte apo të kuptonte se çfarë po ndodhte. Kur arriti pranë rrugës anësore, u kthye edhe një herë pas. Bashkia ishte ende aty, shkallët ishin ende të dukshme dhe dritaret e saj vazhdonin të pasqyronin një qiell që nuk shihej më.
Ndërtesa nuk kishte ndryshuar. Kishte ndryshuar vetëm mënyra se si njerëzit mund ta shihnin atë.
Kur tymi nisi të shpërndahej, sheshi dukej sikur kishte kaluar një natë të tërë brenda pak orësh. Pankarta të grisura, copa kartoni, shishe uji dhe fletë të lagura ishin shpërndarë nëpër pllaka. Disa njerëz kërkonin ende të afërmit, të tjerë largoheshin pa folur, ndërsa disa qëndronin në grupe të vogla, duke u përpjekur të rindërtonin atë që kishte ndodhur. Secili kishte parë një pjesë të ngjarjes, por askush nuk e kishte parë të gjithën.
Të nesërmen, qyteti u zgjua me një histori të re.
Nëpër kafene thuhej se protesta kishte dështuar. Në disa zyra thuhej se njerëzit kishin humbur kontrollin. Në një deklaratë zyrtare përmendej se situata ishte normalizuar dhe se institucionet do të vazhdonin të punonin sipas procedurave. Askush nuk fliste për pagat e papaguara, për dokumentet që nuk ishin bërë publike apo për përgjegjësit që nuk kishin dalë të jepnin shpjegime. Tymi ishte zhdukur nga sheshi, por kishte lënë pas një histori që të gjithë e tregonin ndryshe.
Demosteni e dëgjoi lajmin në radion e vogël të kuzhinës. Kur folësi tha se gjendja ishte kthyer në normalitet, ai ngriti kokën dhe vështroi nga dritarja. Përballë, në anën tjetër të rrugës, një punëtor pastrimi po mblidhte mbeturinat e protestës. Ai merrte copat e kartonit, i paloste dhe i hidhte në një thes të madh. Kur arriti te pankarta e Demostenit, u ndal për një çast, e ktheu nga ana e shkruar dhe u përpoq të lexonte fjalët. Pastaj e palosi edhe atë dhe e hodhi në thes, bashkë me të tjerat.
Demosteni doli nga shtëpia dhe shkoi drejt sheshit. Donte të gjente ndonjë shenjë që të provonte se ajo që kishte ndodhur nuk ishte thjesht një ëndërr e keqe. Pranë shkallëve të bashkisë, mes ujit të mbetur dhe pluhurit, pa një copë kartoni që kishte ngecur nën një stol. U përkul, e tërhoqi dhe e pastroi me mëngë. Ishte pjesa e poshtme e pankartës së tij. Disa shkronja kishin humbur, boja ishte përhapur dhe fjalia dukej e cunguar.
Ai e mbajti gjatë në duar. Pastaj nxori nga xhepi një laps dhe u përpoq të plotësonte shkronjat që mungonin. Nuk mundi. Kartoni ishte zbutur dhe boja nuk e pranonte më shkrimin e ri. E ktheu nga ana tjetër, por ajo ishte e zbrazët. Aty u ndal, Demosteni e kuptoi se tymi nuk kishte mbuluar vetëm sheshin, as nuk kishte shuar vetëm zërat e protestuesve. Ai kishte krijuar kushtet që secili të largohej me një të vërtetë të vetën, ndërsa e vërteta e përbashkët mbetej e shpërndarë nëpër rrugë, si ato copat e kartonit që askush nuk kishte ndërmend t'i mblidhte. Megjithatë, ai nuk e hodhi pankartën. E palosi me kujdes dhe e futi në xhep.
Në ditët që pasuan, jeta vazhdoi sikur asgjë e pazakontë të mos kishte ndodhur. Dyqanet hapën qepenat, autobusët ndoqën oraret, zyrat shpërndanë formularët e zakonshëm dhe njerëzit u kthyen në radhët e tyre. Ndërmarrja mbeti e mbyllur, pagat nuk u paguan dhe asnjë përgjigje e re nuk mbërriti. Vetëm sheshi kishte marrë një pamje më të pastër, sikur dikush të kishte vendosur se mjaftonte të fshiheshin gjurmët që të zhdukej edhe arsyeja e protestës. Por diçka kishte mbetur. Në një mur pranë tregut, dikush shkroi me bojë të zezë: “Kush e solli tymin?” Të nesërmen, fjalët u mbuluan me një shtresë të bardhë boje. Pas dy ditësh, mbi atë shtresë u shfaq një pyetje tjetër: “Pse kemi frikë të pyesim?” Edhe ajo u fshi, por kësaj radhe disa njerëz e kishin fotografuar. Fotografia kaloi nga një telefon në tjetrin, nga një shtëpi në një tjetër, derisa pyetja u bë më e vështirë për t'u mbuluar se vetë muri.
Demosteni nuk e dinte kush i shkruante ato fjalë. Nuk kërkoi ta zbulonte. Ai filloi të takohej me disa prej punëtorëve, jo për të organizuar menjëherë një protestë të re, por për të mbledhur dokumentet, për të ruajtur kopjet e kërkesave dhe për të shkruar emrat e atyre që kishin mbetur pa paga. Vendosën të mos mbështeteshin vetëm te kujtesa, sepse kujtesa, siç kishin kuptuar, mund të turbullohej, të ndryshohej dhe të mbulohej me aq shumë versione sa të mos dallohej më ajo që kishte ndodhur.
Ata filluan të mbanin shënime. Çdo datë, çdo përgjigje, çdo premtim i pambajtur dhe çdo dokument që mund të sigurohej. Nuk kishin shumë mjete, por kishin kuptuar se edhe tymi më i dendur nuk mund ta zhdukte lehtë një fakt të ruajtur, të krahasuar dhe të bërë të njohur.
Një mbrëmje, ndërsa po kthehej në shtëpi, Demosteni pa një djalë të vogël që po vizatonte me shkumës mbi trotuar. Kishte bërë një shtëpi, një diell të madh dhe disa njerëz që mbanin në duar diçka që dukej si një flamur. Mbi çatitë e shtëpisë kishte vizatuar disa vija gri. Demosteni u ndal dhe e pyeti se çfarë përfaqësonin.
- Është tymi, - iu përgjigj djali. - Mësuesja na tha të vizatonim qytetin tonë.
- Po dielli, a nuk mund ta ndriçojë?
Djali ngriti supet.
- Mundet, por nuk e shohim kur tymi është përpara.
Demosteni nuk tha asgjë. Vështroi vizatimin dhe ndjeu se përgjigjja e fëmijës kishte brenda një të vërtetë që të rriturit e kishin ndërlikuar për vite me radhë. Dielli nuk ishte zhdukur. As qielli nuk ishte zhdukur. Por njerëzit ishin mësuar të shihnin përmes një perdeje dhe, me kalimin e kohës, kishin filluar ta quanin atë pamje normalitet. Ai vazhdoi rrugën me pankartën e palosur në xhep. Demodeja Tymçe nuk u zhduk atë vjeshtë. Nuk u zhduk as në dimër, kur ajri i ftohtë e bënte tymin më të dukshëm mbi çatitë e qytetit. Disa ditë ai dukej sikur largohej, por mjaftonte një vendim i pashpjeguar, një premtim i pambajtur apo një përgjigje që nuk vinte kurrë, që njerëzit ta ndienin përsëri në fyt. Tashmë ata e dinin se tymi nuk kishte vetëm një burim dhe se nuk mjaftonte të kërkoje nga qielli të pastrohej, nëse nuk guxoje të pyesje se çfarë po digjej poshtë tij. Demosteni vazhdoi të kërkonte përgjigje. Ndonjëherë lodhej, ndonjëherë dyshonte se përpjekja e tij ishte tepër e vogël përballë një gjendjeje kaq të vjetër, por sa herë që mendonte të hiqte dorë, kujtonte sheshin, fytyrat e humbura mes tymit dhe pankartën që nuk kishte arritur ta mbronte. E kuptoi se protesta nuk ishte vetëm çasti kur njerëzit mbushnin rrugët, as vetëm zëri që ngrihej përballë një dere të mbyllur. Ajo ishte edhe puna e gjatë që vinte më pas: ruajtja e fakteve, këmbëngulja për përgjigje, mospranimi i harresës dhe refuzimi për ta quajtur të zakonshme atë që vazhdonte të dëmtonte jetën e njerëzve.
Një mëngjes, ndërsa kalonte pranë bashkisë, pa se dikush kishte lënë mbi shkallët një fletë të bardhë. Nuk kishte vulë, firmë apo titull. Në të ishin shkruar vetëm tri pyetje:
Kush vendosi?
Kush përfitoi?
Kush do të përgjigjet?
Demosteni e lexoi dhe vazhdoi rrugën. Nuk e dinte nëse do të merrte ndonjëherë përgjigje, por për herë të parë pas shumë kohësh nuk ndjeu nevojën ta shihte qiellin për të kuptuar nëse kishte tym. Mjaftonte të shihte nëse njerëzit ende guxonin të pyesnin.
Sepse tymçe nuk ishte vetëm gjendja kur qyteti mbulohej nga një re e errët, kur protesta humbiste drejtimin dhe e vërteta bëhej e vështirë për t'u dalluar. Tymçe ishte çasti kur njerëzit mësoheshin me atë errësirë, kur nisnin të besonin se nuk kishte asgjë për të parë përtej saj, kur e quanin qetësi heshtjen dhe normalitet pranimin e padrejtësisë. Dhe rreziku më i madh nuk ishte se tymi mund të kthehej përsëri. Rreziku ishte që, një ditë, askush të mos e vinte më re. Atëherë Demosteni kuptoi se qyteti nuk kishte nevojë vetëm për një qiell të pastër, por për njerëz që të mos harronin si dukej qielli përpara se tymi të bëhej mënyrë jetese. Pra një institucion tymi, por jo Tymçe… që njerëzit të besojnë se jeta mund të vazhdojë edhe pa të. Ashtu pra jo më Tymçe…








Comments