top of page

A thua kam qenë dehur…nga dashuria?



Më poshtë është një bulëz tretet në sytë e mi. Sytë e tu treten në qiellin blu dua të trokas në qelqin tënd gotën ta thyej para teje me një shpërthim të brendshëm mbledh në zemër bulëzat, tretjen e tyre, a thua kanë emër? A thua u ngjajnë bulëzave të syve? Unë, dua të dehem para teje. E mendon një gotë raki sa gradacion shkruan në mallin që digjet brenda meje? E përse duhet të mendoj kështu, koha le të bëhet furtunë, e sytë…, sytë e tu blu, një qiell, një det, një lumë, botë kristalinë e bardhë, e unë? Unë? Asgjë më shumë se një ëndërr e gjallë. Kam shkruar dhe dora ime është e lodhur mbi tastierë nuk shikoj më germën „L“ lulet nuk di si ti përshkruaj, s'kam madje as frymë, as zë, kam hequr dorë nga gjuha e huaj, shqip, vetëm shqip bërtas … por asgjë, të gjitha flenë, asnjëra s'është e zgjuar, vetëm Ti, të rrish në dritare duke më pritur, kështu qenka shkruar. E gota po bëhet pluhur në sy të jetoj me ty. Unë, paskam hequr dorë nga e ujta, paskam hequr, shishja shkëlqen në duart e tua të buta nuk rrihet në vetmi, për dashurinë nuk ka të fjetur, hajde në sytë e mi. Aty është një botë pafund, bulëza të magjishme kristalinë dhe ne do të pikturojmë atje së bashku, bulëzat e tjera që do të vijnë, një nip, një mbesë, një nuse tjetër çupëlinë, do të na mbesin telajo deri sa të gdhijmë, me ta do të ripikturojmë rininë. Syri im le të mbetet syri yt, le të përzihet Bota, kushedi do të zhduken magjitë, dhe ne deri në atë kohë do të rishkruajmë nga pak përditë një tjetër botë, një tjetër, pa një të dytë, do të dashurohemi në kohë e në pakohë, të zgjuar, të etur... të pafjetur, ndoshta me të tria… A thua kam qenë dehur…nga dashuria?

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page