A e njohin Parlamenti dhe Kryeministri Rama i Shqipërisë genocidin serb, përderisa nuk ka akoma një rezolutë për dënimin e tij?!
Nga Skënder Sadri KAPITI
Shteti shqiptar i Shqipërisë do të duhej t’i kundërpërgjigjej me kohë dhe ta padiste Dick Marty-n për shpifje. Vendimi i tanishem politikës së Tiranës për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për mbledhjen e të dhënave mbi rolin që kanë pasur përfaqësues të politikës apo institucioneve shqiptare në luftën e Kosovës pas pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Marty, për trajtim çnjerëzor apo trafikim të organeve njerëzore është një ndërmarrje politike e vonuar, shumë e vonuar dhe bëhet vetëm për të larguar vëmëndjen nga tollovia politike në Shqipëri dhe bëhet vetëm për përfitime elektorale, sepse gjithmonë Tirana Kosovën e ka përdorur për interesat e veta politike.
Tani ky veprim e vendim i parlamentit shqiptar pse u mor?! Sot parlamenti i Shqipërisë i cili është realisht parlament i kontrolluar tërësisht nga Kryeministri Rama, në vënd që të miratonte një rezolutë për njohjen dhe për dënimin e genocidit serb, merr një vendim për hetim të Shqipërisë dhe të institucioneve të saj për kohën e luftës së UÇK-së! Shqipëria duhet ta padisë dhe t’i kërkojë Serbisë dëmshpërblim për dëmet e krimet e saj edhe brënda territorit të Shtetit shqiptar gjatë kohes së luftës në Kosovë.
Po pse botës do t’i vertetojë parlamenti i Shqipërisë se cili ishte roli i Shqipërisë në atë kohë,kur e gjithë bota e di shumë mirë ,pasi edhe vetë bota demokratike ka qenë në mbështetje të luftës dhe në mbrojtje të Kosovës e të popullit shqiptar të Kosovës.
E gjithë bota e di se në Shqipëri nuk është bërë krim, por Shqipëria ka pritur e strehuar mbi 800 mijë shqiptarë të dëbuar e të përndjekur nga regjimi kriminal serb. E gjithë bota politike, mediatike dhe humanitare ka qenë prezent në Shqipëri në atë kohë. Nga Përendimi me tregete vinin të organizuar dhe me uniforma të UÇK-së vullnetarë shqiptarë për të mbrojtur atdheun dhe për të çliruar popullin shqiptar të Kosovës.
Lufta bëhej në Kosovë dhe jo në Shqipëri, prandaj pse dhe çfarë do të duhej ky komision hetimor, dhe çfarë do të duhet të hetojë ai?!
Kjo gjë nuk i shërben aspak mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, por vetëm ndoshta sa ngre tymnaja dhe hije dyshimi artificialisht dhe ndoshta edhe mund të ketë prapavijë të qëllimshme djallëzore.
Kjo është hipokrizia e radhës që ndërmerr pushteti i sotëm në Shqipëri, pasi dhe nëse politika e Tiranës do të ishte e interesuar për Kosovën, ajo duhet të kishte miratuar një rezolutë për njohjen dhe ndëshkimin e genocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës duke e vënë përballë akuzave Serbinë për krime dhe genocid të cilin e di gjithë bota. Por përse politika e Tiranës nuk e ndërmori një veprim të tillë në kohë?!
Politika e Tiranës do të duhej që të ngrinte edhe padi kundër Dick Marty-t për shpifje kundër Shqipërisë që kur ai paraqiti prokjektin antishqiptar serbo-rus. Këtë nuk e bëri as Tirana por as ishpresidenti Hashim Thaçi i Kosovës i cili sot është në bankën e të akuzuarve para Gjykatës Speciale, pavarësisht se kur ishte në pushtet pati deklaruar me mburrje dhe me pompozitet se do ta padiste Marty-n për shpifje.
Por Thaçi nuk e bëri këtë, por bëri të kundërtën, bëri presion mbi deputetët për miratimin e Gjykatës Speciale, pasi e gënjente veten se për këtë si shpërblim nga Gjykat Speciale do të siguronte mos thirrjen dhe mos arrestimin e tij. Pra Thaçit dhe shokëve të tij të ngushtë në Tiranë, si Rama nuk u interesonte raporti i Dick Marty-t por vetëm imuniteti i Presidentit Thaçi.
Parlamenti i Tiranës do të duhej që t’i kërkojë llogari kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për marrëveshjet dhe për “miqësinë“ e ngushtë të Kryeministrit të Shqipërisë me presidentin shovinist dhe me ish ministrin e Millosheviçit, Vuçiç, si dhe për rolin e kryeministrit Rama në komplotin antiKosovë të coptimit të Kosovës, dhe për minishengenin.
Bình luận