Atje më presin gërmadhat e shtëpisë
dhe dallëndyshet që vijnë përherë e më rrallë
Më presin nën dhè zambakët e vdekur
dhe hijet e të parëve ende gjallë...
Kalldrëmi pret që të m'i puthë këmbët
kodra që heshtur m'i ruan kujtimet
arna e qiellit, hardhia që qan
dhe porta qemerëlartë e diellit
Më presin pemët që s'i mbajnë më frutat
oborri ku dikur ulej perëndia
Më pret hija e qenit që u sëmur prej mërzisë
kur u largova nga shtëpia
Nëna më pret e lutet me psalme
kur muzgu shtrin krahët mbi qytet
zhaurima e detit, tufanët e rreptë
dhe pusi plot brenga e dert.
Pulëbardha varrosur brenda një vale
burimi me mijëra shtëmba thyer
kujtimet burgosur brenda një fjale
dhe lumi që shkon për t' mos u kthyer
Pikëllimi ulur më pret mbi gurë
heshtja nëpër gërma tashmë thinjur
pemët me buzët që dridhen në ethe
dhe ëndrrat me gjethet gremisur...
Atje, më presin gërmadhat e shtëpisë,
dallëndyshet që vijnë përherë e më rrallë
Më presin nën dhè zambakët e vdekur
dhe hijet e të parëve, gjallë...
Comments