
Atje më presin gërmadhat e shtëpisë dhe dallëndyshet që vijnë përherë e më rrallë Më presin nën dhè zambakët e vdekur dhe hijet e të parëve ende gjallë...
Kalldrëmi pret që të m'i puthë këmbët kodra që heshtur m'i ruan kujtimet arna e qiellit, hardhia që qan dhe porta qemerëlartë e diellit
Më presin pemët që s'i mbajnë më frutat oborri ku dikur ulej perëndia Më pret hija e qenit që vdiq prej mërzisë kur u largova nga shtëpia
Nëna më pret e lutet me psalme kur muzgu shtrin krahët mbi qytet zhaurima e detit, tufanët e rreptë dhe pusi plot brenga e dert.
Pulëbardha varrosur brenda një vale burimi me mijëra shtëmba thyer kujtimet burgosur brenda një fjale dhe lumi që shkon për t' mos u kthyer
Pikëllimi ulur më pret mbi gurë heshtja nëpër gërma tashmë thinjur pemët me buzët që dridhen në ethe dhe ëndrrat me gjethet gremisur...
Atje, më presin gërmadhat e shtëpisë, dallëndyshet që vijnë përherë e më rrallë Më presin nën dhè zambakët e vdekur dhe hijet e të parëve, gjallë...
17/12/2022
コメント