top of page

ALVI


JAM SI NJË VELË E PIKËLLUAR…

Miniantologji me poezi nga Kozma Gjergji.



ALVI

(Në kujtim të qenit tim)


Alvi, qenushi im!

E paskam të vështirë

Ndarjen

Përgjithmonë nga ty,

Nga dashuria e gëzimet që

Më ke dhënë kaq vjet.


Me to ti e munde

Dhe largove prej meje

Gjarprin e ligësisë

E më bëre më të mirë.


Alvi, lamtumirë

Mik besnik e i sinqertë!

Sot jam si një

Velë e pikëlluar

Që i ka humbur direku.



NJË DASHURI


Një dashuri në kohën e adoleshencës

U shkëput befas

Si balona nga peri

Dhe humbi qiejve pa kthim.


Mbas kaq vjetësh

Era ma rikthen

Ndonjëherë në ëndërra

Të mrekullohem me atë film.



LULESAHATI


E ka ngritur lartë

Shigjetën gjahtare

Të pistilit.

Kushedi kujt do t'ja

Goditi zemrën!



TËRMETI


Oh, si dridhen me tmerr

Muret, sendet, dyert!

Tendosin gjithë forcat

Të rezistojnë,

Se s'duan të vdesin.


Shtëpitë tona -

Kështjellat e jetës,

Ku lindëm e u rritëm.

Gjithnjë do t’i

Presin e përcjellin

Dashurisht njerëzit.



NËNË TEREZËS


Trishton

Kjo ditë vjeshte

Dhe dielli digjet si qiri,

Shkoi të flerë

Përgjithnjë

Nëna e ledhatimit

Të dhimbjes.


Iku larg, larg…

Dashuria na shikon

Përjetësisht

Me sytë e saj.



DHE ME LIGJ


Të bymehet zemra

Kur grabisin

Me ligj

Dhe bukën e të

Dëshpëruarve nga mjerimi.



DËBORA


Zbardhi gjithçka në qytet.

Pemët në trotuare

Të pasurve iu ngjajnë

Me balerinat në akull,

Kurse të varfërve

Si skelete makabre.



DUARTROKITJET


Me breshëri e kërcëllima

Binin

Plumba

Mbi viktimat.



E PYETËN


E pyetën ish të burgosurin

Se përse tani në liri

Ecte ashtu si i verbri që

S'di ku të mbahet?!


Iu përgjigj:

-Shikoja më qartë

Në terrin e qelisë

Se sa në

Dritën gënjeshtare.



BUALLI


Nuk shqetësohet

Aspak

Se laraskat

I bëjnë glasa

Mbi kokë.


Kozma Gjergji.

82 views3 comments

3 Comments


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
May 06, 2022

Miq dhe kolegë të nderuar z.Myslim e z.Sotir, tungjatjetani!

Ju falenderoj me mirënjohje për mbështetjen e nxitjen që më jepni me vlerësimet e

mendimet tuaja tejet profesionale e dashamirëse për poezitë e miniantologjisë "ALVI".

Ju uroj gjithë të mirat e plotë gëzime suksesesh në krijimtarinë letrare!

Me respekt, K.Gjergji.

Like

sotir.mimi
sotir.mimi
May 06, 2022

S.Athanasi:

Lexoj buqetën me dhjetë poezi si dhjetë direkë që e bëjnë Velën e poetit tonë të dëshpëruar. Dhe të parin veçova ndarjen për jetë me Qenin e tij të dashur. Pastaj u ndala te dashuria në kohën e adoleshencës e cila u shkëput si balona nga peri. (Shikoni gjetjen tejet origjinale dhe krahasimin më me vënd). Dhe . . ., mendova, po të vazhdoj kështu, opinioni im do të kthehet në reçension. Prandaj i dhashë karar vetes, të përfshihem në përkufizimet e mikut tim, Myslymit, se pas tij, nuk mund të shtoj asgjë, përveç kënaqësisë që ndjej nga kjo Miniantologji. Urime se pres me ngazëllim të tjera Miniantologji. / S.Athanasi/ Athinë.

Like

mich.maska
May 05, 2022

I nderuar poet, z. Gjergji! Si gjithmone, prezantohesh me lexuesin me Buqeta te fresketa

poetike, ose "Miniantologji", sic e quani ju. Poezi e nje stili poetik te konsoliduar e te vecante,

konciz, me gjetje te fresketa dhe autentike dhe me nentekste befasuese.

Pa u zgjatur ne analiza,do te vecoja: ALVI, NJE DASHURI, LULESAHATI, TERMETI, NENE TEREZES, DEBORA, bUALLI, ETJ.

ju uroj suksese te tjera...

Me shume respekt: Myslim Maska,Athine.


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page