30-VJET NGA ZGJEDHJET E PARA


30-VJET NGA ZGJEDHJET E PARA “PLURALISTE” NË SHQIPËRI

DHE RIVENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE

SHQIPTARO-AMERIKANE

Nga Frank Shkreli*

Zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit 1991 dhe rivendosja e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara atë muaj, me syrin e një shqiptaro-amerikani pjesëmarrës në ato ngjarje – ishin historike por edhe zhgënjyese, njëkohësisht, për Shqipërinë.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhënjet diplomatike më 15 Mars 1991, kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Muhamet Kapllani dhe ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Raymond Seitz nënshkruan atë ditë, 30-vjet më parë, në Departmentin e Shtetit në Washington, pas pothuaj gjysëm shekulli ndërprerjeje, “Memorandumin e Mirëkuptimit”, në prani të dhjetëra shqiptaro-amerikanëve dhe zyrtarëve të ndryshëm, nga të dy vendet.